Përfundoi edicioni i 11-të i festivalit të muzikës DAM”

28 Shtator 2016 - 08:54      

Prishtinë, 28 shtator - “Klubi 90” - një grup muzikantësh të rinj, të lindur në vitet ’90 - dhe koncerti recital i kitaristit Drilon Çoçaj, kanë qenë protagonistë të mbrëmjes, që përmbylli edicionin e njëmbëdhjetë të festivalit të muzikës “DAM”, shkruan sot Koha Ditore.

Koncerti i muzikantëve të rinj, studentë të Fakultetit të Muzikës, ishte spektakël me vepra të njohura të literaturës klasike botërore dhe një vepër premierë të kompozuar nga Gresa Broqi. E në pjesën e dytë të mbrëmjes, skenën e Sallës së Kuqe në Prishtinë e zotëroi krejtësisht kitaristi që nëpërmjet tingujve gërshetoi periudha të ndryshme kohore.

“Berceuse Op.43” e Georgy Bazilevskyt për violonçel, obo dhe piano, ishte vepra e parë që u dëgjua në koncertin e së hënës mbrëma. Gresa Broqi në violonçel, Albin Abazi në obo dhe Denita Dedushaj në piano jetësuan tingujt e “Berceuse” që njihet si kompozim muzikor, zakonisht në kohët 6/8 dhe që ngjason me ninullat. Deri në veprën premiale, disa herë janë ndërruar vendet e karrigeve, mbajtësve e partiturave për të improvizuar një sallë koncertale, në të cilën muzikantët e rinj interpretuan edhe vepra të kompozitorëve të njohur si Gabriel Faure, Tomaso Albinioni, Alessandro Marcello, Antonio Vivaldi e Camille Saint-Sawns. Vepra “Danse Macabre” për violonçel, obo dhe piano e Saint-Sawns e përmbylli pjesën e parë të mbrëmjes. Por para saj, skena u mbush me koristë të korit “Gjakova”, dhe solistë e solo këngëtarë që interpretuan veprën “Identitet” të shkruar nga njëra prej protagonisteve të “Klubit 90”.

“Vepra ‘Identitet’ që u dha premierë është vepra ime e parë që e kam kompozuar. Kjo vepër ka qenë ndjesi momentale. Atë ndjesi fillimisht e kam shprehur në piano. Prej pianos jemi bërë një numër shumë më i madh dhe u bë kjo që e keni parë sonte. Ka qenë eksperiencë shumë e mirë”, ka thënë violonçelistja Gresa Broqi, për veprën që është interpretuar nga baritoni Adhurim Grezda e mexosopranoja Fiona Shabani. Në violonçel kanë interpretuar edhe Kaltrina Berisha e Dejan Cvetkovski – mysafirë nga Maqedonia. Të gjithë kanë marrë direktiva nga dirigjenti Astrit Pallaska.

Muzikantët e rinj e kanë lëshuar skenën për t’ia lënë vendin një kitaristi që tashmë e ka dëshmuar talentin. Drilon Çoçaj, koncertin e tij recital e ka nisur me tingujt e veprës “A Fancy” të shkruar nga John Dowland. Vepra melankolike e kohës së renesancës - melankolia që e karakterizon në përgjithësi kompozimin e Dowland- i ka hapur udhë rrugëtimit nëpër barok, renesancë, romantizëm e deri në modernizëm. I tillë është konceptuar programi i koncertit recital që i kishte paraprirë festivalit “DAM” me shfaqje në Kalanë e Vushtrrisë.
“Festivali është shumë i mirë dhe ka pasur artistë shumë të mirë. Ka qenë pak e lodhshme, sepse unë e kam hapur këtë festival. Jam i vetmi që kam pasur koncert solo dhe e kam prezantuar ‘DAM’-in edhe jashtë Prishtinës, në Vushtrri, Pejë Gjilan. Dhe Post-DAM do të vazhdojë edhe në Gjakovë e Prizren”, ka thënë Çoçaj.

“Programi është serioz, sepse ka vepra nga renesanca, baroku, romantizmi dhe pak modernizëm”, ka shtuar ai. Me kitarë, Çoçaj e ka jetësuar edhe suitën për violonçel të kompozitorit të mirënjohur Johann Sebastian Bach e sonatën “Classica” të Manuel Maria Ponces që është homazh për Fernando Sor. Koncertin recital dhe festivalin “DAM”, Çoçaj i ka përmbyllur me interpretimin e veprës “Lieder” të Franz Schubertit.
Dardan Selimaj, drejtor i festivalit të muzikës “DAM”, ka thënë se edicioni i sivjetmë është përmbyllur me sukses. Mbi 100 mysafirë kanë performuar për shtatë net në kuadër të rreth 20 koncerteve. Mungesa e një salle adekuate është përmendur sërish qysh në hapje të festivalit, por “DAM”-i ka sjellë edhe një tjetër edicion ku muzika sfidon kushtet.

“Mund të them se kemi arritur të prezantojmë një program të pasur me interpretime të padëgjuara më herët. Kemi arritur të prezantojmë edhe një vepër skenike si ‘Rrëfenja e ushtarit’”, ka thënë Selimaj. “Rrëfenja e ushtarit” me titull origjinal “L’Histoire du Soldat” – një vepër teatrale për t’u lexuar, luajtur dhe vallëzuar - të shtunën mbrëma u jetësua nga solistë të Filarmonisë së Mannheimit dhe aktorë gjermanë.

“Por edhe kemi pasur mundësi të prezantojmë emra të rinj vendorë që premtojnë. Dhe jo vetëm muzikantë të dalluar nga jashtë”, ka thënë Selimaj. E pikërisht emrat që premtojnë i kanë dhënë vulë festivalit që tash e 11 vite ka ofruar hapësirë për ta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...