27 Shtator 2016 - 14:48
Tryeza u udhëhoq nga prof.dr. Shefkije Islamaj dhe prof.dr. Emil Lafe, ndërkaq në hapje të këtij aktivitet shkencor, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, pastaj edhe prof.dr. Qemal Murati- shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë.
Në këtë tryezë shkencore, siç transmeton KultPlus, me kumtesa u paraqitën studiues të gjuhësisë nga Kosova dhe Shqipëria përmes së cilave u nënvizua rëndësia e organizimit dhe mbajtjes së Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) , si në rrafshin gjuhësor, ashtu edhe në rrafshin historik dhe politik e shoqëror.
Gjatë prezantimit të punës së tyre, studiuesit në lidhje me Komisinë Letrare, shpalosen aspekte dhe të dhëna të rëndësishme, jo shumë të njohura deri më tani për opinionin shqiptar.
Të gjithë studiuesit pjesëmarrës në këtë tubim, në punimet e tyre, në një formë apo tjetër, theksuan se Komisia Letrare Shqipe në Shkodër është një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe më serioze në përpjekjet e pareshtura për përcaktimin e një varianti gjuhësor të përbashkët për të gjithë shqiptarët dhe se mbajtja e KLSH-së çoi përpara procesin e konvergjencës gjuhësore si dhe u hapi rrugë një varg ngjarjesh me rëndësi për të ardhmen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Po ashtu, në këtë organizimin për 100- vjetorin e Komisisë Letrare u nënvizua fakti se vendimet e saj janë sa praktike aq edhe aktuale.
Në këtë tryezë me punimet e tyre u paraqitën: Shefkije Islamaj- Komisia Letrare Shqipe në studimet e gjuhëtarëve shqiptarë, Xhevat Lloshi- Pjesëmarrja e Rajko Nahtigalit në Komisinë Letrare të Shkodrës, Emil Lafe- Në vijim të Komisisë Letrare. “Kumtari arsimuer”, mars - qershor 1921 (shënime rreth qëllimit, përmbajtjes dhe gjuhës së tij, Rami Memushaj- Pse varianti letrar i Elbasanit nuk u bë dot gjuhë letrare, Gjovalin Shkurtaj- Përfundime të Komisisë Letrare që meritojnë të rikundrohen edhe sot, Kujtim Kapllani- Komisia Letrare: autoriteti administrativ - gjuha zyrtare - gjuha e njësuar letrare në kohën e sotme , Qemal Murati- Komisia Letrare Shqipe (1916-1918) - një pararendëse e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), Nexhip Mërkuri- Komisia Letrare e Shkodrës dhe parimi historik- tradicional për drejtshkrimin e emrave vetjakë dhe emrave të familjes, Ragip Mulaku- KLSH hapi i parë konkret në standardizimin e shqipes zyrtare, Begzad Baliu- Komisia Letrare e Shkodrës në dritën e tri raporteve të kohës: Lambercit, Joklit dhe Nahtigalit, Sejdi Gashi - Komisia Letrare Shqipe në Shkodër themeltare për shqipen standarde.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...