Rreth 100 vepra arti të evidencuara në “Grand” do të barten në Muze

27 Shtator 2016 - 09:30      

Prishtinë, 27 shtator - Rreth 100 vepra artistike, që janë evidencuar brenda objektit të hotelit “Grand”, në kryeqytet, nga një komision i themeluar dy vjet më parë, sipas planeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, do të barten në Muzeun e Kosovës.

Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ishte themeluar në fund të vitit 2014 për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodhen brenda objektit të hotelit që para disa dekadash njihej si ndër më të mirët në Ballkan, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyrtarë të AKP-së nuk kanë dhënë detaje se ku ndodhen tash ato, pos se janë në vend të sigurt. Ky institucion nuk i ka bërë publik as emrat e anëtarëve të Komisionit dhe as të autorëve të veprave. Të vetmet vepra të identifikuara nga ky fondus janë ato të skulptorit Agim Çavdarbasha, mes të cilave njëra me titull “Pritja”.

Madje edhe gjithë iniciativa për formimin e një komisioni të tillë, kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë, Çavdrabasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që, sipas familjes, dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty. Në anën tjetër kabineti i ministrit të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Kujtim Shala, nuk është i informuar për këtë çështje.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka konfirmuar se veprat e identifikuara do të barten në Muzeun e Kosovës.

“Komisioni ka kryer punën e evidentimit të këtyre veprave arti. Të gjitha janë vendosur në një vend të sigurt. Pritet të bëhet një vlerësim në të holla i këtyre veprave dhe më pas do të barten te Muzeu i Kosovës”, ka thënë Kaloshi.

Ai ka konfirmuar po ashtu se në ndërtesën e hotelit “Grand” janë evidentuar rreth 100 vepra artistike. Por nuk ka dhënë emrat e anëtarëve të Komisionit që është marrë me këtë punë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...