Foto: Koha

Dyshja ruse edhe me “Dialogun” i sjell mesazhe paqeje Kosovës

27 Shtator 2016 - 08:33      

Prishtinë, 27 shtator - Muzika romantike e kompozuar nga gjermani Max Bruch ka hapur mbrëmjen koncertale “Muzikë për paqe”.

Instrumentistët nga Rusia, Maria Nemtsova, në piano dhe Vitaly Vatulya në saksofon kanë zgjedhur tinguj romancës për piano violë e saksofon, për ta hapur koncertin, shkruan sot “Koha Ditore”. Kësisoj mbrëmjen e së dielës në kuadër të “DAM Festivalit” gjithçka është sjellë rreth paqes.

Pas romancës, radha u është lënë tingujve të pianos, duke sjellë për të pranishmit “Fantazinë op.49” për piano të Frederic Chopinit. Nemtsova gjatë interpretimit ka bërë që të marrë jetë vepra inspiruese e kompozitorit polak. E shkruar për një marsh solemn, kjo fantazi nis të marrë e frymon trajta pasiononte e virtuoze duke mos lënë anash marshimin si triumf në kuptimin pozitiv.

Pas kësaj vepre saksofonisti është rikthyer në skenë për të nisur me interpretimin e sonatës “Fuzzy bird” në tri pjesë. Nemtsova e Vatulya kanë zbërthyer triptikun e Takashi Yoshimatsus për zogun në vrap, duke kënduar dhe në fund duke fluturuar. Kësisoj vepra arrin majën me metaforën e zogut që fluturon në paqe.

Kosova si vend që ka nevojë për paqe, të dielën, ka qenë nikoqire e premierës së veprës “Dialogu” të kompozitorit Valton Beqiri. E konceptuar si një dialog i brendshëm fillimisht duket sikur instrumentet nuk “merren vesh” mes vete por në fund gjendet një gjuhë e përbashkët. Vepra duket si një përshkrim me tinguj i situatës politike në vend. Por megjithatë, kuptimi i saj shtrihet edhe më gjerë. Ka një mesazh universal.

Vetë kompozitori Valton Beqiri, ish-ministër i Kulturës, ka thënë se vepra ka qenë porosi nga instrumentistët në kuadër të programit “Muzikë për paqe”.

Nga romantizmi si fillim, instrumentistët kanë mbyllur mbrëmjen me veprën kontemporane “Historia e tangos” të kompozitorit Astor Piazzolla.
Pianistja Maria Nemtsova, ka thënë se së bashku me Vatulyan zakonisht përgatisin një program që është kombinim i stileve të ndryshme.
“Kjo nuk është hera jonë e parë në Prishtinë dhe në Ballkan. Është hera e tretë. Ne jemi të lumtur që njohim shumë njerëz, që mund t’i bashkojmë ata dhe ta ndajmë muzikën me ta. Po ashtu në punëtori kemi qenë këtu me studentë. Ishin syçelur dhe shumë të motivuar”, ka thënë saksofonisti që bashkë me kolegen e tij kanë bërë thirrje për paqe në Kosovë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...