Shtëpia Kadare hap dyert për ”Muajin e leximit”

26 Shtator 2016 - 16:00      

Në vigjilje të “Muajit të Leximit” apo përndryshe muajit Tetor, shtëpia KADARE nuk gjen “prehje”.

Kjo shtëpi është listuar si një nga objektet më të vizitueshme gjatë sezonit turistik edhe pse ka qenë në restaurim. Nga trajtimi arkitektonik, siç shkruan atsh, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë.

Sot mes shumë pjesmarrësve, miq dashamirës, intelektualë të qytetit të Gjirokastrës, mësues të nderuar, artistë e shkrimtarë, u bë promovimi i librit “Alizot Emiri” i autorit Shpëtim Emiri.

Alizot Emiri ka qënë dhe mbeti Librari i pare i Gjirokastrës, por dhe i vetmi që meritoi këtë emër. Që në vitet 30, hapi në Gjirokastër librarinë e parë me emrin kuptimplotë “Dante Aligeri”.

 

Edhe sikur vetëm ky fakt do të mjaftonte për ta bërë “Zoten” siç e thërrisnin në Gjirokastër, një ndër kontribuesit e veçantë e të rëndësishëm të kulturës së qytetit.

Kushdo që pati rastin ta merrte në dorë, veçanërisht gjirokastritët ose ata që e kishin njohur Alizotin, u mbushën me frymë freskie që buronte nga origjinaliteti, sinqeriteti, spontaniteti, bukuria dhe mençuria njerëzore e pasqyruar në disa dhjetëra episode që përbëjnë përmbajtjen e tij.

Ky libër sjell risi të tjera dhe të shumta. Nëpërmjet gjykimeve të gjirokastritëve dhe personaliteteve të kulturës, artit dhe jetës shoqërore në vend, që e kanë njohur, plotësohet portreti i Alizot Emirit, librarit kryesor të qytetit.

Ai përkufizohet prej tyre si njeriu enciklopedi, patriot i ndershëm, iluminist, me takt pedagogu, që kishte nderim dhe dashuri për librin, njeri i dashur e hokatar, me humor të hollë e shpotitës, që i buronte së brendshmi, ironik, disa herë edhe i hidhur, por gjithsesi i qeshur dhe fin, njeri i respektuar dhe personazh i veçantë i jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës.

Ai shkruan me një stil të zhdërvjellët, interesant, tërheqës që ia ka shumëfishuar së tepërmi vlerat, duke e shndërruar gati-gati në një vepër artistike, në të cilën autori zhvendoset nga arti i zakonshëm te analizat sociologjike e filozofike, në gjykimet rreth zhvillimeve e realiteteve dhe në vlerësimet që karakterizojnë epokën.

Libri “Alizot Emiri – Njeriu, libràri e gàzet fisnike” është gjithashtu një studim me tipare historike, sociologjike e filozofike.

Ky libër, është një himni për qytetarinë dhe fisnikërinë gjirokastrite, që i shtohet botimeve të jo pak autorëve të tjerë, të cilët kanë shkruar për të gjithashtu me dashuri të pafundme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...