
26 Shtator 2016 - 09:00
Pjesa tjetër ishte detyrë e një formacioni instrumentistesh, dy aktorëve, një dirigjenti dhe një valltareje, shkruan sot “Koha Ditore”. Vepra e bazuar në një përrallë popullore ruse – që është përpunuar nga kompozitori Igor Stravinsky dhe shkrimtari zviceran Charles Ferdinand Ramuz – vë në fokus një ushtar rus që quhet Joseph.
Në Sallën e kuqe, është shpalosur të shtunën mbrëma në kuadër të festivalit të muzikës “DAM Festival”. “Rrëfenja e ushtarit” me titull origjinal “L’Histoire du Soldat” – një vepër teatrale për t’u lexuar, luajtur dhe vallëzuar – për gati një orë i ofroi publikut një performancë që jo shpesh realizohet në kryeqytet.
Aktorët gjermanë Jonas Werling dhe Yannick Rey, të mbështetur nga septet i instrumentistëve të Filarmonisë së Mannheimit nën dirigjimin e Boian Videnoffit, vunë në funksion thuajse gjithë hapësirën e sallës për të ilustruar historinë e ushtarit. Për t’ia marrë violinën ai joshet nga djalli që mundohet ta bindë me para e gjëra materiale. Në pjesën e dytë të veprës që ishte dhënë premierë më 28 shtator të vitit 1918 në Lozanë të Zvicrës, ushtari e rikthen violinën. Por fundi i veprës, që përmban edhe një pjesë ku valltarja Sina Peris nëpërmjet artit të lëvizjeve pa fjalë portretizon princeshën e Josephit, e gjen triumfues djallin që ia del ta intrigojë për të dytën herë ushtarin.
Mes dialogëve të personazheve (Qerling dhe Rey) të realizuara në gjuhën gjermane dhe leximit të narratorit, fjalët e të cilit janë titruar në shqip, rrëfenja merr shpirt sidomos kur solistët e Filarmonisë së Mannheimit interpretojnë notat e Stravinskyt. Melodia që krijohet nga tingujt e violinës, perkusioneve, trumbetës, klarinetës, kontrabasit, trombonës, kornos e “bassoon”-it, përkon mirë me marshin që Joseph bën në skenë. I veshur me rrobat e ushtarit ai shëtit lirshëm nëpër skajet e sallës, derisa djalli realizon pjesët e veta duke hyrë e dalë nga perdet e zeza të trasha. Fundi i “Rrëfenjës së ushtarit” shoqërohet me duartrokitje që i rikthejnë në skenë protagonistët.
Dirigjenti Boian Videnoff, njëherësh drejtor artistik i Filarmonisë së Mannheimit, ka thënë se ideja e realizimit të “L’Histoire du Soldat” ka zënë fill vitin e kaluar kur bashkë me drejtorin e festivalit, Dardan Selimaj, kishin biseduar sesi mund ta sillnin një pjesë të orkestrës së Mannheimit në Prishtinë.
Mbrëmja e pestë e “Festivalit DAM” pas premierës së “Rrëfenjës së ushtarit” ka vazhduar me koncertin e “VER.SA.TILE”. Nina Shala në flaut, Lirika Pula-Kasapolli në piano, Enes Bajramliqi në bateri e Enver Muhamedi në kontrabas kanë interpretuar suitën për flaut dhe jazz piano trio të Claude Bolling... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...