Katër vallet e koreografit të “Shotës” si homazh për veprën e tij

22 Shtator 2016 - 09:14      

Prishtinë, 22 shtator – Para se të nisë programi i paraparë në koncertin-homazh të ansamblit të këngëve dhe të valleve popullore “Shota”, në skenë është ftuar e bija e valltarit dhe koreografit të ndjerë, Sylejman Shala. Artiola Shala në koncertin që i është kushtuar kontributit të të atit të saj për “Shotën”, mori një buqetë lulesh. Valltarja e re konsiderohet si pasardhëse e koreografit Shala, që ndërroi jetë tre vjet më parë.

E pas kësaj simbolike u ka ardhur radha këngëve dhe valleve të ansamblit. Janë zgjedhur katër valle nën koreografi të Shalës, që ishte pjesë e ansamblit për gjysmë shekulli. Anëtarët e ansamblit kanë dalë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës me “Vallen e bareshës”, shkruan sot Koha Ditore.

Nëpërmjet tingujve të kompozuar nga Rexho Mulliqi i kanë dhënë shkëlqim ambientit, duke marrë vëmendjen maksimale të publikut që kishte mbushur çdo ulëse të sallës së madhe të TKK-së. Kënga “Për ty vuaj” e interpretuar nga Myrvete Bajrami-Haziri, i ka paraprirë valles “Besa-besë” nën koreografi të Shalës. Vallja nxjerr në pah gjënë më të shquar të shqiptarëve, besën. E Violetë Kukaj nën shoqërimin e orkestrës së “Shotës” ka kënduar këngën “Dashurinë që kam për ty”, e pasuar nga Riza Bytyqi me këngën “Po të baj be pash sytë e tu”.

Valltari e koreografi Shala cilësohet si njohës dhe përpunues i zoti i folklorit shqiptar. Te “Vallja e kaçakëve të Jugut” valltarët kanë dalë me fustanella të zeza. Nëpërmjet lëvizjeve ata kanë kthyer kohën prapa kur shqiptarët sakrifikoheshin maleve në të ashtuquajturat “Lëvizje kaçake”. Doajeni i ansamblit, Ismet Bogujevci, ka kënduar këngën “Taksirati që më ka zanë” e Saranda Aliaj “Ishe vogëloshe”, për t’u pasuar nga formacioni koral i ansamblit me këngën “Kreshtat e Kosovës”. Koreografi Shala veçohet për “Vallen e Malësisë së Madhe” me të cilën është përmbyllur programi.

Qysh në fillim drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, ka thënë se në raste të tilla zakonisht mbahet një minutë heshtje. Por në mbrëmjen e së martës nuk është vepruar kësisoj. Sipas Gjocajt, koreografi Shala e ka dashur skenën dhe duartrokitjet dhe i ka ftuar të pranishmit që nëpërmjet një minute duartrokitjesh të nderohet Shala.

“Në punën tonë të përditshme si obligim i pashmangshëm yni mbetet nderimi i njerëzve që me punën e tyre e kanë ndihmuar rritën më shumë se gjysmë shekullore të këtij ansambli”, ka thënë Gjocaj. Sipas tij njerëzit si Shala kanë bërë që ansambli të krenohet dhe meritojnë respekt maksimal. Ka thënë se vitin e kaluar ansambli kishte në program dy koncerte recitale të dy mjeshtërve të mëdhenj, Xhemajli Berisha dhe Fehmi Shaqiri.
Drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllanaj, ka thënë se janë kujdesur që programi të përbëhet nga koreografitë e Shalës. “Natyrisht mjeshtëria me të cilën Syla e ka përpunuar atë folklor, është veçantia e tij”, ka thënë Asllanaj.

Ajshe Shala, gruaja e koreografit, nuk ka mundur t’i mbajë lotët gjatë dhe pas përfundimit të koncertit. Ka thënë se ishte një mbrëmje prekëse për të (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...