“La La Land” triumfon në festivalin e Torontos

20 Shtator 2016 - 19:46      

“La La Land,” një film muzikor, i cili e rrëfen historinë e dy të dashuruarve që i ndjekin ëndrrat e tyre në Hollywood, e fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Filmit në Toronto, të dielën më 18 shtator.

Filmi u shpërblye me çmimin “People's Choice Award”, i cili vendoset nga anëtarët e publikut dhe kështu “La La Land” u shndërrua në konkurrent të madh në edicionin e sivjetmë të shpërblimeve Oscar, në garën për çmimin kryesor “Filmi më i mirë i vitit”, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.

Filmat të cilët në të kaluarën e kanë fituar çmimin kryesor të festivalit në Toronto dhe më pas kanë përfunduar duke fituar çmim akademik, janë: “Slumdog Millionaire”, “The King's Speech” dhe “12 Years a Slave.”

I realizuar nga regjisori i filmit 'Whiplash', Damien Chazelle, në të cilin luajnë aktorët Ryan Gosling dhe Emma Stone, filmi e rrëfen historinë e një pianisti të muzikës jazz, Sebastian, i cili bie në dashuri me Mia-n, një aktore në kohët moderne të Los Angelesit.

Sebastian vazhdimisht po mundohet t’i bëjë njerëzit, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit, ta rikthejnë interesimin drejt muzikës tradicionale Jazz, derisa Mia po ballafaqohet me vështirësitë e sigurimit të një roli të mirë filmik, pavarësisht se gjatë gjithë kohës merr pjesë në audicione të ndryshme.

Tashti në edicionin e tij të 41-të, Festivali i Torontos renditet në mesin e festivaleve më prestigjioze të botës si ai i Kanës, Venedikut dhe festivali Sundance, transmeton Koha.net. Gjatë mbarëvajtjes së tij, më shumë se 400 filma janë shfaqur për publikun dhe shumica prej tyre janë projekte të mëdha Hollywoodiane, që pritet të nderohen në këtë sezon të shpërblimeve.

Ndër filmat e tjerë të nderuar në edicionin e sivjetmë të festivalit në Toronto janë: “Jackie”, me regji të Pablo Larrain-it, dokumentari “I Am Not Your Negro” nga regjisori Raoul Peck, “Free Fire” nga Ben Wheatley etj. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...