19 Shtator 2016 - 22:33
Për herë të gjashtë, “Etno Fest” shndërroi fshatin “Kukaj” në një atraksion për ta vizituar dhe për t’u njohur për së afërmi me kulturën dhe traditën e shqiptarëve prej viseve të ndryshme.
Festivali mblodhi edhe kësaj radhe artistë të profileve të ndryshme, të cilët u prezantuan me punën e tyre, gjersa edhe shumë të tjerë kishin ardhur thjesht për qejf, ashtu siç nuk mungoi as publiku, raporton emisioni Express në KTV.
Ekspozitat, shfaqjet, filmat, performanca, biseda odash, promovimet e librave dhe ndejat e natës e karakterizuan “Etno Festin” e këtij viti.
Një pjesë e mirë e festivalit u ishte dedikuar ansambleve që me punën e tyre mëtojnë ta ruajnë folklorin shqiptar. Një nga këto ansamble ishte ai nga Shkodra, “Ylber mbi Kala”, i cili mori pjesë për herë të tretë.
Ky ansambël është krijuar rreth 40 vjet më parë, më pas kishte një pauzë, dhe tash e 12 vjet nuk ka ndaluar punën. Merr pjesë nëpër shumë ngjarje me karakter kombëtar e ndërkombëtar.
Me një program të pasur u prezantua edhe grupi folklorik “Podguri” nga Istogu.
Pas këtyre dy grupeve, momenti ishte biseda ode, promovime librash, këngë shahirësh dhe shfaqja e filmit dokumentar për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi.
Ndërsa, një pjesë tjetër e kësaj hapësire po bëhej gati për shfaqjen teatrore "Të jetosh në ishull" nga teatri "Dodona" i Prishtinës. Me regji të Arbnesha Grabovci – Nixhës, në të luajnë Danjela Marlaj, Enis Metaj e Blerim Hasani. Dhe në fakt, kjo treshe kishte diplomuar me këtë shfaqje me rastin e premierës në Prishtinë, derisa ky ishte një prezantim ndryshe, meqë ata po luanin në një ambient të hapur.
Programi i “Etno Festit” kishte rezervuar vend këtë vit edhe për monodramën “Marr guximin” të Teatrit Kombëtar të Tiranës. Në të luan aktori i njohur shqiptar Mehdi Malkaj, i cili u shpreh i emocionuar nga ajo që kishte parë në këtë fshat dhe në këtë festival.
Për aktorin, “Marr guximin” është një projekt i veçantë.
Për mikpritësin e mysafirëve, regjisorin e njohur Fadil Hysaj, “Etno Fest” ka arritur në fazën e pjekurisë dhe ka fituar publikun e vet.
Ndryshe, në mesin e atyre që kishin ardhur për t’u argëtuar në festival ishte edhe aktorja Teuta Sadiku.
Në këtë festival të veçantë nuk ka munguar as “Arti i magjes ilire”, performancë gastronomike me ushqime ilire nga Ahmet Dursun.
Ky ishte “Etno Fest”-i për këtë vit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...