14 Shtator 2016 - 15:39
Kështu të paktën ka bërë të ditur producenti dhe skenaristi i filmit Besart Sllamniku, i cili po ashtu ka treguar se kjo është arsyeja që filmi do të rishfaqet në Prishtinë.
Filmi nga sonte e deri të premten do të rishfaqet për publikun, por që këtë herë në teatrin Oda.
“Filmi është shfaqur në kinemanë ABC nga 21 marsi deri më 6 prill dhe edhe pas kësaj, kërkesat e publikut kanë qenë të mëdha për ta parë filmin. Kjo na ka bërë të mendojmë seriozisht që ta rikthejmë atë sërish në Prishtinë. Meqenëse në kinema tashmë nuk është më në repertor, atë kemi vendosur ta shfaqim në teatrin Oda. Ashtu edhe siç e kemi bërë të ditur, filmin jemi duke e shfaqur nëpër vende të ndryshme të Kosovës. Përveç Prishtinës, deri më tani ‘Zonjusha’ është shfaqur në Prizren dhe Ferizaj, ndërsa planifikohet të shfaqet në Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Tiranë,” ka deklaruar Besart Sllamniku.
“Zonjushat” është realizimi filmik i radhës i regjisorit kosovar Genc Berisha. Ky është shumë më ndryshe nga të mëparshmit që Berisha ka realizuar deri tani, transmeton emisioni Express në KTV.
“Zonjushat” është film i metrazhit të gjatë, i cili ka bërë bashkë një numër të madh aktorësh nga Kosova, shumë prej tyre të dëshmuar tashmë në këtë fushë.
Me skenar të Besart Sllamnikut dhe Lulzim Bucollit, filmi u takon tri zhanreve të ndryshme: krim, dramë dhe komedi. Filmi flet për tre gangsterë lokalë, të cilët ngarkohen për një punë të cilën asnjëherë nuk e kanë bërë, por pagesa e majme dhe krenaria e tyre i shtynë që ta pranojnë punën. Rrugës përballen me probleme të njëpasnjëshme, duke kuptuar ngadalë se janë futur në kurth.
"Zonjusha" është realizuar me mjete vetjake dhe pa asnjë mbështetje institucionale. Madje, të gjithë aktorët e përfshirë në këtë film punën e kanë bërë në bazë vullnetare dhe pa pagesë.
Filmi pas premierës u vlerësua si për realizimin po ashtu edhe për lojën e aktorëve.
Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamed Arifi, Besnik Krapi, Igballe Qena, Dukagjin Podrimaj, Kumrije Hoxha, Nëntor Fetiu, Edona Reshitaj janë disa prej aktorëve të përfshirë në filmin “Zonjusha”.
Filmi sonte, të enjten dhe të premten do të shfaqet nga ora 20:00.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...