14 Shtator 2016 - 11:06
Kompania e udhëhequr nga arkitekti me nam botëror, Ron Arad, tash gati dy vjet s’ia ka dalë të sigurojë fonde për ta jetësuar projektin që një pjesë të kompleksit “Emin Gjiku” e shndërron në qendër të trashëgimisë hebraike e ndërfetare në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Për projektin e hartuar në tetor të vitit 2014, kabineti i ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, po ashtu pohon se nuk ka bërë asgjë konkrete. E hapësira ku sipas vendimit të marrë nga ish - ministri, Memli Krasniqi, në maj të vitit 2013, parashihej të zinte vend kjo qendër, pa lejen e MKRS-së tashmë është shndërruar në Muze të Artit Amerikan nga menaxhmenti i qendrës për art bashkëkohor “Stacion”.
Projekti i hartuar nga “Ron Arad Associates” kishte qenë hapi i parë që kishte marrë MKRS-ja qysh prej kohës kur në kuadër të “Javës së tolerancës”, ministri i atëhershëm i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte shprehur gatishmëri që gjatë vitit 2013, me ndihmën e arkitektit me nam botëror, Ron Arad, të finalizonte një ekspozitë të përhershme që do të prezantonte “në mënyrën më të mirë trashëgiminë e komunitetit hebraik të Kosovës”. Ron Arad njëherësh ka qenë këshilltar special i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecie më 2012.
Në fillim, MKRS-ja e kishte prezantuar iniciativën si Muze i Trashëgimisë Hebraike, por pas hartimit të projektit muzeu është shndërruar në qendër hebraike dhe ka marrë edhe shtesën “ndërfetare”. Jetësimi i projektit qe përllagoritur të kushtojë rreth një milion euro. Siç kishte deklaruar partneri lokal i këtij projekti, Bekim Ramku, në maj të vitit që shkoi, fondet për realizimin e qendrës së trashëgimisë hebraike e ndërfetare në Kosovë do të kërkoheshin nga investitorë privatë në Britani të Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por një gjë e tillë s’ka dhënë asnjë rezultat.
Drejtuesi i këtij institucioni, Albert Heta, në korrik të këtij viti pa lejen e shtetit hapi Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë në objektin e mbrojtur me ligj.
Objekti që aktualisht shfrytëzohet nga Muzeu i Artit Amerikan në databazën e trashëgimisë kulturore përshkruhet si objekti i vetëm i mbetur nga Çarshia e Vjetër, dikur dyqan farkëtari. Nuk përmendet sinagoga…(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...