“Ambasadori...” i Surroit botohet në serbisht

8 Shtator 2016 - 14:07      

Prishtinë, 8 shtator - Libri “Ambasadori i Melkizedekut”, i Veton Surroit, tashmë është botuar edhe në serbisht. Përkthyer nga Gjorgje Bozhoviq, me titullin “Ambasador i druge jeretičke beleške” (Ambasadori dhe shënime të tjera heretike), kjo është vepra e tretë e Surroit që botohet në serbisht, shkruan sot Koha Ditore.

Shtëpia botuese “Samizdat B92”, vitin e kaluar, nga po ky autor, ka botuar edhe “Miliarderin”, përderisa më herët këtë vit u botua “Këmbët e gjarprit”.

“Ambasadori...” në përshkrimin e botuesit cilësohet si libër i cili - i shkruar me stil plot me simbolikë - paraqet krejt filozofinë e ndryshimeve historike e politike, të cilat kanë ndodhur në hapësirat shqiptare në disa dekadat e fundit. “Si shkrimtar, i cili gjerësisht vështron dhe analizon kontekstin e tyre, Surroi thekson rrezikun e islamit politik që u kanoset vendeve si Kosova e Shqipëria”, është përshkrimi i botuesit.

“Nëse deri më tani nuk kemi pasur një pasqyrë të qartë të raportit midis shqiptarëve dhe religjionit, Surroi e sjell në këtë libër me krejt faktet e detajet më pak të njohura si me rastin e Al Albanit, i cili solli rrëmujë në islam”. Sipas “Samizdat B92”, në këtë mënyrë, Surroi arrin që jo vetëm të analizojë, por edhe të krijojë një narracion për historinë, për të cilën këtu nuk është shkruar asnjëherë ashtu siç do të duhej.

“Veton Surroi për këtë libër ka marrë çmimin ‘Ardijan Klosi’ për librin më të mirë publicistik më 2015”, thuhet në përshkrimin që i bëhet librit. Në vlerësimin e jurisë së këtij çmimi ndër të tjera shkruhej se ai i është ndarë ‘për mprehtësinë e vëzhgimit dhe të gjykimit, këndvështrimin gjithnjë të freskët, njohjen e shkëlqyer të kontekstit historik dhe social, erudicionin, humorin e hollë, distancën filozofike dhe guximin moral të pashembullt në trajtimin e një teme të vështirë dhe delikate si ajo e institucioneve dhe identitetit të Kosovës sot’”.

“Ambasadori i Melkizedekut” në shqip, botuar nga Botimet KOHA, qe promovuar në qershor të vitit të kaluar, në Panairin e Librit në Prishtinë. Ishte libri më i shitur i edicionit të 17-të të atij panairi. Në dymbëdhjetë kapitujt e librit “Ambasadori i Melkizedekut”, Veton Surroi e ballafaqon lexuesin me iluzionet që u ndërtuan në, për dhe mbi shoqëritë shqiptare në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti. Aty janë qindra histori, të mëdha e të vogla, të shkëputura prej njëra-tjetrës, por të ndërlidhura ngushtë brenda rrëfimit, në masë të madhe edhe tragjik, për shqiptarët dhe Kosovën. Në qershor të këtij viti, Surroi solli romanin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, me të cilin në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë mori çmimin “Autor i vitit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...