8 Shtator 2016 - 08:51
Disenjatori Shyqri Nimani në këtë imazh paraqitet me kitarë. Dikur ai ka kënduar e ka shkruar edhe tekste. Por këtë pjesë në ekspozitën retrospektive e ka mbuluar vetëm nëpërmjet një pamjeje. Pullat postare, librat, pikturat, posterët e veprat e tjera të Nimanit, janë pjesë e ekspozitës, “Një jetë në dizajn”, që është hapur mbrëmjen e së mërkurës.
Posterët, që për Nimanin bëjnë pjesë në punët më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, paraqesin përvjetorë të figurave të mëdha të artit, ngjarje historike, shenjtëreshën shqiptare, Nënë Terezën. Por ka edhe prej tyre që thumbojnë politikën. Pullat postare, të cilat Kosova i ka futur në qarkullim pas luftës së fundit, kanë shtetitur nëpër botë me dizajnin e Nimanit. Në radhë të parë trashëgimia kulturore e Kosovës është shndërruar “ambasador” nëpërmjet këtyre pullave.
E librat e Nimanit në anglisht e shqip janë adresa e parë për historinë e artit shqiptar. Logot me të cilat identifikohen institucionet shtetërore, si Teatri Kombëtar, “KosovaFilmi”, Universiteti i Prishtinës e Galeria Kombëtare e Arteve po ashtu mbajnë vulën e Nimanit. Të gjitha këto së bashku janë pjesë e mozaikut artistik në ekspozitën retrospektive të Nimanit. Të pranishmit kanë veçuar rolin e tij, që nëpërmjet artit ka folur për trashëgiminë kulturore e të vërtetën shqiptare.
Por Nimani nuk është ndalur me kaq. Ka paraqitur edhe realitetin e Kosovës së ditëve të sotme. Në një pjatë të rregulluar me delikatesë zë vend një peshk i gati për servim. Krahas këtij posteri zë vend një tjetër me peshkun gjysmë të ngrënë. E i treti paraqet vetëm skeletin e peshkut me mbishkrimin: “Shitja e pasurive të Kosovës”. Kësisoj vepra paraqet shtetin si një fosil që ka dalë jashtë përdorimit. Janë mbi 30 pulla postare, ku paraqiten eksponate e figura reprezentative të Kosovës.
Artefakti më reprezentativ i Kosovës, “Hyjnesha në fron”, ka qarkulluar nëpër botë në pullën postare të punuar nga Nimani, në vitin 2001, në kohën kur ky eksponat po qëndronte në Beograd. E ajo që cilësohet primadonë e tetarit kosovar, Melihate Ajeti, nëpërmjet pullës postare të Nimanit ka dëshmuar traditën skenike të Kosovës. Vetë Nimani ka thënë se nuk është e lehtë që për ekspozitën retrospektive të përzgjidhen punimet e një krijimtarie më të gjatë se gjysmë shekulli (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...