“Don’t Breathe”, në pozitën e parë

7 Shtator 2016 - 11:39      

Ishte një fundjavë e suksesshme për filmin, “Don't Breathe”, i cili po vazhdon ta ruajë pozitën e parë në arkat filmike të Amerikës Veriore.

Filmi i zhanrit Triller psikologjik, arriti të shesë bileta në vlerë prej 15.7 milionë dollarëve, dhe kështu u emërua kampion i kësaj jave, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.

Siç duket publiku e ka mirëpritur këtë projekt të zhanrit triller psikologjik, pavarësisht se filmat aksion dominojnë në shijen e adhuruesve të filmit të cilët i vizitojnë kinematë.

Filmi i fundit i studios Warner Bros, “Suicide Squad”, po vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë të kësaj liste, me 10 milionë dollarë të fituara. I bazuar në librin komik me të njëjtin emër, filmi i regjisorit David Ayer në rolin e protagonistëve i sjell aktorët yje të Hollyqoodit: Will Smith, Margot Robbie, Jared Leto, Jai Courtney dhe Cara Delevigne. Ata portretizojnë një grup kriminelësh me aftësi të jashtëzakonshme, të cilëve qeveria u kërkon ndihmën për ta mposhtur një kriminel të rrezikshëm dhe kështu ata përfundojnë duke e luajtur rolin e heronjve. Kjo është java e pestë e këtij projekti në arkat filmike, dhe e dyta javë që nuk po arrin ta zërë vendin e parë.

Në javën e tij të katërt të shfaqjes, filmi “Pete's Dragon” arriti të kthehet në top pesëshe dhe të pozicionohet në vendin e tretë të arkave filmike me 6.5 milionë dollarë të arkëtuara nga shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë. Filmi është ripërpunim i projektit të vitit 1977 me të njëjtin emër, por në vend se të përfshijë dragonj të animuar të formatit 2dimensional, versioni i ri i tij përfshin krijesa pothuajse reale të realizuara me teknikën CGI. Historia e filmit origjinal po ashtu ka ndryshuar. Këtë herë, Pete, i personifikuar në film nga aktori Oakes Fegley, është një jetim që pas një aksidenti me veturë vazhdon të jetojë në një pyll në shoqërinë e Elliot-it, dragoi miqësor që e shpëton atë nga rreziqet. Sidoqoftë, kur Pete zbulohet që po jeton në pyll, nga disa vendas që jetojnë në afërsi, ekzistenca e tij dhe e mikut të tij dragua rrezikohet dhe derisa disa banorë të këtij fshati provojnë t’i vrasin ata, disa të tjerë mundohen t’i mbrojnë.

Ndërsa, filmi i ri i animuar, “Kubo and the Two Strings”, i cili i përfshinë zërat e aktorëve yje si: Charlize Theron, Ralph Fiennes dhe Matthew McConaughey, u pozicionua në vendin e katërt të kësaj liste, me 6.4 milionë dollarë të fituara nga e premtja deri të dielën. Filmi formatit 3D, i cili i takon zhanrit fantastik dhe aventurë, është realizuar nga studioja filmike Laika, e cila është përgjegjëse për filmat e suksesshëm “Coraline,” “ParaNorman” dhe “The Boxtroll.”

Top pesëshja u plotësua me filmin e animuar të aktorit Seth Rogen, 'Sausage Party', me gjithsej 5.3 milionë dollarë të arkëtuara nga shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë. Ky projekt e shtjellon jetën e pemëve dhe perimeve, pasi blihen nga njerëzit dhe dërgohen në shtëpi, pa e ditur se do të hahen nga ta. Filmi nuk është i realizuar për t’u parë nga fëmijët. Kjo, pasi përmban skena të frikshme, por edhe një fjalor të rëndë. E, ndër aktorët që i kanë huazuar zërat për këto personazhe janë: Seth Rogen, Salma Hayek, James Franko, Jonah Hill, Bill Hader, Paul Rudd, etj. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...