“Nëna lutet për ne” me tri momentet e Shën Terezës

6 Shtator 2016 - 10:20      

Prishtinë, 6 shtator - Në tri akte shpalosen tri momente të ndryshme të jetës së Nënë Terezës që rrëfejnë fëmijërinë, kohën kur mori vendimin të bëhej murgeshë dhe në fund shkuarjen e saj në Kaltutë për të ndihmuar të varfrit.

Ky mision jetësor ka bërë që të dielën ajo të shenjtërohet pas kanonizimit që i bëri Papa Françesku në Vatikan, shkruan sot “Koha Ditore”. E një ditë pas kësaj, u përurua drama “Nëna lutet për ne” e Abdullah Zenelit.

E shkruar qysh më 1998, një vit pas vdekjes së Nënë Terezës, kjo vepër u promovua në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për kaq vite këtë dramë Zeneli e kishte ruajtur në sirtar, duke shpresuar se një ditë do të inskenohej pa pasur në mendje që ta botonte. Por sebep për botimin e kësaj drame është bërë pikërisht ngjarja që zuri vend të dielën në Vatikan.

“Dëshira ime ka qenë të inskenohet, por që nuk arrita dhe ajo që ishte në fushën time e realizova. Është një dramë që përçon mesazhin, humanizmin e Nënë Terezës dhe merret me tri kohë shumë delikate të historisë sonë personale”, ka thënë Zeneli, teksa ka treguar se koha e parë zë vend në kohën kur Nënë Tereza ishte 8 vjeçe, atëherë kur përfundoi Lufta e Parë Botërore.

“Kur Ballkani ishte krejt i djegur dhe ishte edhe helmimi i babait të Nënë Terezës, ku edhe i vdiq në duar dhe aty filloi kalimi në një sferë hyjnore i Nënë Terezës, që fëmijë. Koha e dytë është vitit 1959 kur ajo themeloi ‘Motrat e dashurisë’, dhe vështirësitë që pati të mbijetonte në gjithë atë katrahurë në Kalkutë, pak vite pas pavarësisë që mori India në atë kohë. Dhe krejt në fund vjen vitit 1979, kur ajo nderohet me çmimin ‘Nobel’”, ka thënë Zeneli. Ai po ashtu ka thënë se në dramën e tij është edhe një kohë paralele që përveç asaj që ndodh në ceremoninë e çmimit edhe në Kalkutë ku mbërrijnë shumë dhurata për Krishtlindje, ku ndër ato dhurata janë disa letra që vijnë nga Shqipëria.

Studiuesi e përkthyesi, Anton Nikë Berisha, ka thënë se mënyra se si paraqitet jeta e Nënë Terezës në këtë vepër kap një dimension tjetër.

“Nuk besoj se ndonjëherë është botuar një libër, aq më tepër një test i tillë kushtuar Nënë Terezës, ku figura e saj del në mënyrë jo vetëm të qartë, por edhe në mënyrë artistike”, ka thënë Berisha, tek ka folur për punën dhe misionin e Nënë Terezës. “Ajo nuk ka pasur të bëjë me ndihma sociale, ajo lutej për të tjerët, donte që dashurinë e Zotit t’ua përcillte njerëzve që ishin para vdekjes. Ajo donte që ata të mos vdisnin të zbrazët e të dëshpëruar. ‘Nëna lutet për ne’ është një titull jo edhe shumë poetik, por është shumë domethënës, sepse ajo kishte harruar veten për të tjerët, sepse lutej për të tjerët. Ajo askënd nuk e pyeste se si quhej, për të ka qenë e rëndësishme vetëm të merrej me ata që kishin nevojë, pa dallim”, ka shtuar ai.

Poetja Ilire Zajmi botimin e librit e ka cilësuar si të qëlluar, duke e marrë parasysh edhe kohën e përurimit.

“Promovimi i këtij libri po bëhet vetëm një ditë pasi Vatikani e shpalli të shenjtë Nënë Terezën...Të gjithë e njohim Abdullah Zenelin si person që ka dëshmuar se është një prej botuesve më seriozë, i cili letërsinë dhe fjalën shqipe tashmë e ka dërguar përtej kufijve, duke ekspozuar librat nëpër panaire të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Zajmi për drejtuesin e shtëpisë botuese “Buzuku”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...