“Charlie Hebdo” ndez reagimet me karikaturën për tërmetin në Itali

6 Shtator 2016 - 15:01      

Berlin, 6 shtator - Karikatura në të cilën “Charile Hebdo” i paraqet viktimat italiane të tërmetit në një pjatë pastash ka nxitur reagime në shtetin i cili është ende në zi për 300 njerëzit që kanë humbur jetën tragjikisht një javë më parë, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW.

Vizatimet në edicionin e fundit në revistën satirike franceze paraqesin viktimat e përgjakura të tërmetit. Mbishkrimi “salcë domatesh” shihet mbi portretizimin e një njeriu të përgjakur dhe të lënduar, derisa një grua e djegur përshkruhet si “penne gratin”. Në anën e djathtë, një grumbull i trupave të pajetë nën rrënoja mban titullin “lazanja”. Vizatimet janë të ilustruara me titullin “Tërmeti në stilin italian”.

Tërmeti goditi pjesën qendrore të Italisë më 24 gusht, duke e lënë qytetin e vogël Amatrice të rrënuar e të djegur. Qyteti, ndryshe njihet si vendi i pastave all’amatriciana. Kryetari i qytetit, Sergio Pirozzi, i cili në mëngjesin e 24 gushtit në mënyrë dramatike deklaroi se “nuk ka mbetur asgjë nga qyteti”, ishte habitur nga karikaturat.

“Si ka mundësi që dikush bën karikatura për të vdekurit”, ka thënë ai. “Jam i sigurt se kjo satirë e sikletshme dhe e turpshme nuk reflekton qëndrimet franceze”, ka shtuar ai.

“Vizatimet janë të neveritshme”, ka thënë ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando. “Mendoj se nuk është e dobishme të komentohet më tej, sepse mendoj se do të prodhojë pikërisht efektin që ata e kanë për qëllim. E ajo është të krijojnë skandal dhe të tërheqin vëmendje për karikaturat”, ka shtuar ai. Senatori italian Pietro Grasso ka thënë se respekton “lirinë e satirës dhe të ironisë”. “Prandaj edhe unë kam lirinë të them se kjo është e neveritshme”, ka thënë ai.

Derisa shumë italianë kanë treguar solidaritet për revistën pas sulmit në vitin 2015, duke shkruar “Je suis Charlie Hebdo”, në media sociale, karikatura në edicionin e fundit të revistës nëpër “Twitter”, “Facebook” dhe gjithkund tjetër është cilësuar “e tmerrshme”, “me shije të hidhur” dhe “mosrespektuese”.

“Satira shpesh është e ashpër, por duhet të ngacmojë të fuqishmit në institucione, kurrë viktimat apo të dobëtit”, është një prej komenteve në “Twitter”. Derisa në një tjetër shkruhet se tallja me fëmijët refugjatë, religjionin ose viktimat italiane të një tërmeti nuk është satirë apo liri e shprehjes, por është urrejtje.

“Pajtohem me fjalën e lirë, por askush nuk mund të luajë me dhimbjen e një shteti. Kjo nuk është mënyra e duhur”, ka shkruar Marc Serra. E në shumë të tjera shkruan: “Nuk jam më Charlie Hebdo”.

“Satira politike është tjetër gjë, por mos bëj shaka me të vdekurit”, ka shkruar Daniela Degrassi.

Tërbimi në media sociale arriti deri në atë pikë saqë Ambasada Franceze në Romë është dashur të dalë me një deklaratë ku thotë se Qeveria Franceze nuk ndan të njëjtin mendim me revistën dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për një gjë të tillë. Në deklaratë shkruhet se karikaturat “absolutisht nuk përfaqësojnë” pozitën e Francës dhe se është “karikaturë e medies dhe ato opinione të shprehura janë të gazetarëve”.

“Charlie Hebdo” u është përgjigjur kundërshtimeve rreth publikimeve dhe një tjetër karikature në faqen e tyre zyrtare në “Facebook” që i referohet faktit se në të kaluarën krimi i organizuar ka kontrolluar kompanitë e ndryshme të ndërtimit në Itali. Karikatura pasuese portretizon dikë gjysmë të varrosur në rrënoja dhe aty shkruan: “Italianë, nuk është ‘Charlie Hebdo’ që i ka ndërtuar shtëpitë tuaja. Është mafia”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...