Akademia e Shkencave i përgjigjet kryeministrit Edi Rama me kritika

3 Shtator 2016 - 15:12      

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka reguar ndaj kritikave të bëra nga kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës përshëndetëse mbajtur në Takimin XI vjetor shkencor të Institutit Alb-Shkenca, një shoqatë joqeveritare që bashkon intelektualë dhe vullnetarë të zellshëm të dijes për botën shqiptare, me temë Roli i diasporës në botën shqiptare, dje, sot dhe nesër.

Përmes një letre të hartuar nga Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sqarohet pozicioni I Akademisë, përballë këtyre akuzave. “Është ulëritëse, grupet e shkencës kanë nevojë për investime. Akademia e Shkencave është pa regjistër të atyre që bëjnë apo përpiqen të bëjë shkencë. Tronditëse, nuk ka një regjistër të vendndodhjes së aktivitetit të shqiptarëve që merren me shkencë. Vetë shteti ynë nuk i di ku i ka shqiptarët jashtë atdheut. Nuk jemi aq shumë sa të mos numërojmë njëri-tjetrin, kur e mendon që kinezët numërojnë në kohë reale çdo kinez që diplomohet në çdo vend të globit pavarësisht se nuk shkel më në Kinë. Ne sot s’kemi regjistruar dot popullin shqiptar. Regjistri i të dhënave me shqiptarët kudo që jetojnë, për t’ju dhënë mundësi të jenë pjesëmarrës në jetën politike se duam që shqiptarët të votojnë. Akademia e Shkencave është pamja më kuptimplotë e rrënimit të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri. Po të ngjallej Eqerem Çabej besoj se askush nuk thotë se do mahnitej me progresin e bërë që pas vdekjes së tij”, u shpreh kryeministri Rama.

Në letrën drejtuar kryeministrit, akademikët theksojnë se mbështesin nevojën urgjente që ka sistemi i institucioneve të kërkimit shkencor për reformimin e tij, në funksion të zhvillimit të vendit. “ Prej disa vitesh, si në pikëpamjen shkresore-institucionale, ashtu edhe përmes qëndrimeve publike të anëtarëve të saj, ka theksuar para Kryeministrit nevojën e qortimit të gabimeve që solli reforma e nxituar e vitit 2006 për kërkimin shkencor në vend dhe posaçërisht për organizimin institucional të tij. Për këtë kemi konstatuar të njëjtin preokupim edhe nga Kryeministri i vendit.

Qëndrimi ynë rreth këtij shqetësimi është bërë publik në vijimësi, i inkurajuar dhe në përputhje të plotë me deklaratat më të fundme të konferencave ndërkombëtare kushtuar gjendjes së shkencës dhe përgjegjësive shtetërore ndaj saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbajtur gjegjësisht në Berlin (2015) dhe në Vjenë (2016)”, thuhet në letër. Sipas akademikëve, qëllimi I rekomandimeve ka qënë një reformë të vërtetë në dije.

“Akademia e Shkencave e ka pasur dhe e ka synim parësor krijimin e një realiteti të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit të institucionalizuar ndërmjet bashkësisë shkencore dhe vendimmarrësve politikë; thënë ndryshe ndërtimin e marrëdhënieve të frytshme mes shkencës dhe politikës; mbështetjen e shkencëtarëve të rinj dhe krijimin e mundësive të qëndrueshme për karrierë; përfshirjen e suksesshme të diasporës akademike shqiptare dhe nxitjen e qarkullimit të prodhimit intelektual; përmirësimin e rekrutimeve dhe motivimin e punës kërkimore-shkencore të të rinjve, duke i rikthyer shkencës rëndësinë e merituar në një shoqëri të hapur, si dhe duke spikatur rolin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në letër. Më tej ata theksojnë gjëndjen e mjeruar në të cilën jeton shkenca në vend. “Shkenca dhe kërkimi shkencor në Shqipëri sot zhvillohen në kushtet e një vendi me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe me mundësi financiare minimale. Në buxhetin vjetor të vendit përqindja e ndarë për kërkimin shkencor institucional është më e vogël se ajo e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Akademia e Shkencave e ka bërë të njohur këtë gjendje dhe ka kërkuar shtim e përqendrim të kërkuesve të kualifikuar shkencorë në institute dhe në njësitë bazë të tyre; mbështetjen e kërkimit me laboratorë e mjete financiare të mjaftueshme”, thuhet në letër. Sipas tyre, kjo duhet bërë më së pari në Tiranë, me të njëjtën përgjegjësi e me të njëjtën lartësi kërkesash bashkëkohore si në vendet e tjera (dhe siç ka qenë në kohën e prof. Aleks Budës dhe Eqrem Ҫabejt, kur Tirana me të drejtë njihej si kryeqendër e studimeve albanologjike). Kështu do të mundësohej që bashkëpunimi e bashkërendimi i veprimit shkencor brenda vendit me studiues të dalluar në diasporë, veçmas me kërkues që merren me albanologji, të ishte shumë më i suksesshëm se deri më sot.

Lidhur me pohimin e kryeministrit se është tronditëse që Akademia e Shkencave sot të mos ketë një regjistër të atyre që bëjnë, ose përpiqen të bëjnë shkencë dhe janë shqiptarë dhe që jetojnë kudo në botë, në letër thuhet se kjo nuk është përgjegjësi ligjore e statutore e Akademisë së Shkencave, as ndonjë detyrë parashtruar asaj prej Qeverisë.

“Janë institucione shkencore të tjera të ngarkuara me akte rregulluese ligjore e nënligjore për këtë. Sidoqoftë, e gjejmë me vend të bëjmë të ditur se Akademia e Shkencave ka dhënë një kontribut të vlerësueshëm për krijimin e bazës së të dhënave për shkencëtarët që gjenden me punë jashtë vendit, madje edhe për studentët, në mbështetje të projektit Gain-Brain, që u zhvillua deri në vitin 2012 në përbërje Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Po kështu, Akademia e Shkencave ka programe të veçanta për mbështetjen e kërkuesve të rinj brenda dhe jashtë vendit, si dhe për edukimin përmes shkencës”, thuhet në letër. Letra mbyllet me kritika ndaj qeverisë . “Gjatë tri vjetëve ka lënë shumë pak gjurmë për të realizuar detyrat e programit të saj për shkencën, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku thuhet: Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit. Gjithashtu do t’i ofrohet mbështetje Akademisë së Shkencave, për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore-shkencore në vend. Akademia e Shkencave qysh prej fillimit të investiturës së kësaj qeverie është në pritje të një vizite pune të z. Kryeministër, për të diskutuar rreth reformës në kërkimin shkencor dhe përballimin bashkërisht të situatave”, thuhet në letrën e firmosur nga Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...