Në kalanë e Ali Pashës, aty ku kërkohen gjurmët e Bajronit

1 Shtator 2016 - 09:14      

Gjithnjë e më tepër kalaja e Tepelenës po kthehet në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj gjatë udhëtimit të tyre në Jug të vendit.

Kalaja mesjetare, e ndërtuar prej Ali Pashës, tashmë është kthyer në një simbol të qytetit të Tepelenës, e cila tërheq interesimin e pa përjashtim çdo turisti që ndalohet në ato anë, shkruan Shekulli. Madje është prania në rritje e grupeve të vizitorëve, që vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen për mirëmbajtjen dhe restaurimin e këtij monumenti me vlera të rralla historike, arkitektonike dhe ndërtimore. Aty gjen të huaj. Ata duket se ndjekin gjurmët e një legjende që dha një vepër kryevepër në lidhje me këto vise, ndërsa dashamirës të historisë rikthehen aty për të riparë e ristudiuar gjithçka që mban dhe mbart ajo kala.

Kalaja e ndërtuar nga Veziri i Janinës

Kalaja e Tepelenës vazhdon të përbëjë një prej objekteve, e cila mbart dëshmi dhe vlera të rralla historike. E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në periudhën e lulëzimit të “Pashallëkut të Janinës”, kalaja e Tepelenës është një objekt me vlera të rralla ndërtimore, por edhe një kala, e cila mbart dëshmi të rëndësishme historike. Ajo njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike të Tepelenës me sundimtarin e njohur Ali Pashë Tepelena. Vazhdimisht, përgjatë mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri, të zë syri grupe turistësh të cilët kërkojnë të prekin nga afër vlerat e kështjellës të ndërtuar nga Veziri i Janinës.

Krahas guidave turistike një pjesë e tyre e njohin kalanë e Tepelenës nga përshkrimi që poeti anglez, Lord Bajroni i ka bërë në poemën e tij “Çajld Harold”. “Kisha dëgjuar shumë për këtë kala, kam lexuar edhe Bajronin dhe kam patur mjaft dëshirë që ta vizitoj nga afër. Ndihem mirë që plotësova një ëndrrën time për të qenë i pranishëm në një prej fortifikimeve të ndërtuara nga Ali Pashë Tepelena”, thotë një turist nga Anglia ndërsa viziton mjediset e brendshme të kështjellës. “Kalaja është simboli i qytetit tonë”, thotë Arshiu, njëri prej mësuesve në qytetin e Tepelenës. “Ky ndërtim dhe historia që mbart kjo kala e bën Tepelenën pjesë të vyer të historisë sonë kombëtare dhe një veçanti turistike”, thotë ai. Muret dhe bedenat e gurta të kalasë që bien mbi rrjedhën e lumit Vjosë, e bëjnë atë më tërheqëse për sytë e vizitorëve.

Profili arkitektonik i kalasë së Tepelenës

Tepelena, vendlindja e Ali Pashës, ishte një nga selitë më të preferuara të tij. Në librin e tij, “5 000 vjet fortifikime”, studiuesi Gjerark Karaiskaj pohon se, “ndërtimin e kalasë, Aliu e filloi kur po hynte në konflikt të hapur me Portën e Lartë”. Një mbishkrim në gjuhën greke që është murosur mbi hyrjen lindore e daton këtë ndërtim me 1819. Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit. Ajo nuk ka formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpesh herë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave që shohin në drejtime kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve, të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat e ndërmjetme. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja paraqet pengesa të fuqishme natyrore. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë duke rënë në pjerrësi në anën e jashtme dhe kanë një trashësi që lëviz nga 2.5-5m, në pjesën e poshtme dhe 2-4 m në të sipërmen.

Në brendësi ato përforcohen me braza druri dhe deri në gjysmë e lartësisë shërbenin edhe si mure mbajtëse, për shkak të mos nivelimit të terrenit të brendshme më atë të jashtëm. Kullat si edhe në ndërtimet e tjera të Ali Pashës bien me faqe shumë të pjerrëta. Ato janë veshur nga jashtë me gurë të skuadruar me kujdes dhe zbukurohen nga korniza horizontale guri. Në pjesën e sipërme, muret përfundojnë me shtegun e rojeve dhe një parapet, ku janë hapur frëngji të shumta për armë zjarri, midis të cilave ka frëngji dyshe për pushkë, ndërsa në vendet më delikate janë ndërtuar mashikula për hedhje lëngjesh të nxehta. Ndërtimet e brendshme për ekonomizimin e vendit i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemere cilindrike, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues.

Pastrohet kalaja për turistët

Me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për vizitorët bashkia e Tepelenës ka ndërmarrë një nismë për pastrimin nga plehrat dhe mbetjet urbane të kështjellës mesjetare të qytetit. Sipas përfaqësuesve të bashkisë Tepelenë, puna është përqendruar në ambientet e brendshme të Kalasë me qëllim pastrimin dhe sistemimin e mjediseve të saj. Kjo nismë ka si qëllim bërjen të vizitueshme dhe tërheqëse për turistët të kalasë mesjetare të Tepelenës. “Aktualisht ne kemi ndërhyrë në kështjellë duke larguar mbetjet e ndryshme urbane që ishin depozituar prej vitesh”, thonë përfaqësuesit e Bashkisë. Ndërkohë në javët në vazhdim bashkia do të ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi me banorët për heqjen e gardheve të ndryshme në brendësi të kështjellës. Vitet e fundi ka ardhur në rritje numri i turistëve të cilët kërkojnë të informohen dhe të vizitojnë kalanë e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena.

Tunel për lidhjen e Currilave me qytetin

Së shpejti plazhi i Currilave dhe ai i Kallmit do të bashkohen me qytetin bregdetar të Durrësit me anë të një tuneli, e kjo falë një projekti që pritet të realizohet së shpejti. Burime nga Bashkia e Durrësit kanë bërë të ditur se tuneli do te fillojë në Rrugën e Dëshmorëve, në drejtim të kryqëzimit me rrugën “Aleksandër Goga” poshtë Muzeut të Dëshmorëve nën fabrikën e tullave dhe do të dalë në pjesën perëndimore të kodrës së Currilave. Gjatësia e këtij tuneli parashikohet të jetë 1.2-1.4 km, ndërsa pika e nisjes së tij do të merret kryqëzimi i rrugës “Kasem Durrësi” me rrugën e “Dëshmorëve”, nga ku do të fillojë rampa zbritëse për në tunel. Projekti më i ri që pritet të realizohet në Durrës është një tunel që do të nisë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në Currila, një projekt gjigant që do ta lehtësonte aq shumë jetën e qytetarëve durrsakë. Për projektin e ri është bërë edhe thirrja për pjesëmarrje në tender për hartimin e një Studimi dhe Projektimi për Realizim të Tunelit në aksin Muzeu i Dëshmorëve-Currila.

Ndërtimi i këtij tuneli është domosdoshmëri për lehtësimin e trafikut në pjesën jugperëndimore të qytetit duke filluar nga hyrja e Portit dhe drejtohet për në Plazhin e Currilave deri në Kallm dhe krijon një unazë me qendrën e qytetit me zonën perëndimore. Fondi limit për hartimin e Studimit dhe Projektit është 12. 500. 000 (dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë dhe mbulohet nga buxheti i bashkisë së Durrësit. Ende nuk dihet se kur është vendosur të ndërhyhet për të filluar punimet, por janë zgjuar shpresat se shumë shpejt mund të niset me realizimin e një prej projekteve mbase unike në vendin tonë, por jo për vendet të tjera që janë krejt të zakonshme dhe të natyrshme, ku nënkalime të tilla kanë bërë që të funksionojnë kryeqendra të mëdha botërore.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...