Mira Meksi boton novelën për shqiptarofobinë

26 Gusht 2016 - 15:53      

Tiranë, 26 gusht - Libri i ri i shkrimtares Mira Meksi “Vrasje në Venecia” është një novelë policeske, që flet për aventurat fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë dhe për shqiptarofobinë.

Novela e Meksit është botuar nga shtëpia botuese Onufri dhe është shpërndarë nëpër librari vetëm një ditë më parë.
Bëhet fjalë për një krim të llahtarshëm që ndodh në Venecia një mesnatë fundnëntori. Pranë urës së Turkeshëzave, Fantino varkëtarit i gdhendet në retinë me saktësi pamja e tmerrit: imazhi i një djaloshi të pashëm mbi urë, i cili nxjerr nga pelerina e zezë kokën e prerë të një gruaje të re shumë të bukur, që çurkon gjak.

Identikiti i vrasësit në polici vë në pranga refugjatin shqiptar Adrian Gjergji, i cili akuzohet se ka vrarë të dashurën e tij, xhazisten shqiptare Anila Duka, e zhdukur ditën e shfaqjes së krimit. Hetimi i çështjes me emrin e koduar “Koka e Meduzës” vendos në një përballje të ashpër, komisarin e policisë së Lagunës, Matteo Genovese dhe kryeinspektorin e policisë, Marino Lambertini, në zhvillimet më të pabesueshme dhe më halucinante që mund të njohë hetimi i një krimi të mbinatyrshëm, të çuditshëm, të pashpjegueshëm dhe pa corpus delicti.

“Një novelë policeske me shpirt legjende, ‘Vrasje në Venecia’ është portretizimi thriller i aventurave fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë, si edhe i shqiptarofobisë”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga enti botues i këtij libri.

Novela “Vrasje në Venecia” e Mira Meksit vjen pas një varg romanesh si: “Frosina e Janinës”; “Porfida – Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave”, dy romaneve për adoleshentë “Planeti i ngrirë” dhe “Fantazma me sy njeriu” , apo novelës së mëparshme të saj “Ballo në Versailles”, dhe përmbledhjeve me tregime: “Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; Zonja plakë e Parisit” etj. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...