Foto: Koha

Të rinjtë e Lipjanit trajnohen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

26 Gusht 2016 - 11:05      

Një pjesë e të rinjve të qytetit të Lipjanit janë njoftuar me metodat e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Grupi prej 35 vetash të enjten ka marrë pjesë në punëtorinë që kishte për fokus trashëgiminë kulturore.

Sipas komunikatës për media të dërguar nga UNDP, në kuadër të projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, “Ndërtimi i besimit përmes mbrojtjes kulturore në Kosovë”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, të rinjtë kanë përfituar nga punëtoria inovative, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Punëtoria mblodhi 35 të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Komunën e Lipjanit, për të mësuar se si të arrijnë tek zgjidhjet vetjake për mbrojtjen dhe promovimin e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në komunikatë. Lorika Hisari, arkitekte dhe zyrtare e projektit, ka thënë se është kënaqësi e veçantë të shohësh një grup kaq të madh të të rinjve të interesuar dhe të motivuar të mësojnë më tepër rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Ajo që më bëri më së shumti përshtypje është fakti së ata dolën me një mori idesh inovative për iniciativa gjithëpërfshirëse që do t’i implementonin së bashku. Pjesëmarrësit qenë shumë mirënjohës për organizimin e punëtorisë së sotme, si dhe për vizitat në xhaminë e qytetit dhe kishën ortodokse serbe, vizita këto që shumica e tyre po i përjetonin për herë të parë,” citohet të ketë thënë Hisari. Sipas komunikatës, pjesëmarrësit mësuan se qëllimi i projektit është të rritet besimi mes komuniteteve, si dhe respekti e toleranca për identitetin dhe trashëgiminë kulturore.

“Ata u informuan për trashëgiminë e pasur dhe të llojllojshme të Kosovës, për lokalitetet e trashëgimisë kulturore të Komunës së Lipjanit, si dhe për praktikat e duhura ndërkombëtare të angazhimit të të rinjve në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që të kuptojnë që trashëgimia kulturore nuk i përket vetëm së kaluarës, por edhe të ardhmes së tyre”, shkruhet në komunikatë. Siç njofton UNDP gjatë punëtorisë, të rinjtë kishin mundësi të shprehnin mendimet e tyre, të shtronin pyetje dhe të diskutonin për trashëgiminë kulturore dhe të jepnin ide kreative. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...