Faruk Begolli harrohet nga institucionet në përvjetorin e vdekjes

24 Gusht 2016 - 08:43      

Prishtinë, 24 gusht - ”Krejt çka kam ba, unë e kam ba pa mendue, pa naj plan paraprak. Edhe, krejt jeta jeme asht qashtu, pa plan. E kam ditë nji parim n’jetë, e ai asht: filloja punës, e masandej e sheh se kah e çka. Dhe: me u krye puna. Pa marrë parasysh sakrificën, pa marrë parasysh rrethanat, puna me u krye. S`ka lidhje rezultati, s`ka lidhje kritika: puna me u krye. E, mundësisht, me u krye me kënaqësi”, i kishte thënë aktori Faruk Begolli dramaturgut Jeton Neziraj në kohën kur ky i fundit po përgatiste një monografi për të, më 2007.

Në fakt Begolli që ka vdekur më 23 gusht të atij viti ka kryer shumë punë për Kosovën si në teatër e film ashtu edhe në Universitetin e Prishtinës. Të gjithë kolegët e tij thonë se e vlerësojnë figurën e Begollit dhe se ai është i pazëvendësueshëm. Por në ditën kur u mbushën 9 vjet qyshkur ai nuk jeton më, rrjeti social “Facebook” ishte i vetmi vend ku u përkujtua aktori me nam në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Asnjë institucion shtetëror nuk i ka kushtuar asnjë aktivitet aktorit e regjisorit me nam. Vitin e kaluar ishte organizuar një ndejë në teatrin “Dodona” – vend ky që Begolli e llogariste si shtëpi të dytë. E sivjet nuk është bërë as një aktivitet i tillë. Drejtori i “Dodonës”, Agron Shala, të martën nuk ka dhënë përgjigje lidhur me atë se përse nuk është organizuar ndonjë aktivitet për Begollin.

Aktorja Melihate Qena, që ishte kolege e Begollit, në “Dodonë”, ka thënë se udhëheqësit e institucioneve duket se gëzohen kur vdesin njerëzit e mëdhenj në mënyrë që t’ua zënë vendin.

Mosorganizimin e asnjë aktiviteti, dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Agim Selimi, e ka arsyetuar me faktin që punonjësit ndodhen në pushime. Sipas Selimit, Faruk Begolli është i pazëvendësueshëm.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se nuk pret që institucionet ta kujtojnë Begollin në këtë përvjetor dhe as në ndonjë përvjetor tjetër.

Sipas tij edhe sikur të bëhej ndonjë ceremoni formale, do të më dukej si farsë. Faruk Begolli ka luajtur në rreth 70 filma artistikë metrazhesh të ndryshme dhe në dhjetëra shfaqje teatri (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...