Foto: Koha

Përurohet objekti i ri i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”

23 Gusht 2016 - 16:55      

Është përuruar objekti i ri i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, projekt ky i cili ishte nisur qysh para pesë vitesh.

Objekti trekatësh, i pajisur me rreth 400 mijë ekzemplarë në hapësirën prej 30 arësh në lagjen “Dardania”, sot hapi dyert për lexuesit e librit.

Këtij numri të librave do t’i shtohen edhe botimet e Grupit KOHA, e cila do të jap një donacion me të gjitha botimet për bibliotekën e qytetit, raporton Koha.net.

Në ceremoninë e përurimit të këtij objekti ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i bibliotekës Munish Hyseni dhe drejtori i ri i Drejtorisë së Kulturës në komunë, Besart Vllahinja.

Me këtë rast, Ahmeti u ka bërë thirrje edhe shtëpive të tjera botuese që t’i bashkohen iniciativës së Grupit KOHA dhe të dhurojnë librat e tyre për bibliotekën. Ahemti shfrytëzoi rastin të tregoj për arsyet e vonesës së funksionalizimit të këtij objekti.

“Në kohën kur e kemi marrë mandatin, ky objekt ka qenë pothuajse i përfunduar. Nuk e ka nisur kjo administratë këtë bibliotekë, duhet ta themi që është nisur nga administrata e kaluar. Është vendosur si projekt, është realizuar si projekt, mirëpo arsyeja e vonesës së funksionalizimit të këtij objekti kanë qenë problemet me punëkryesin”, ka thënë Ahmeti.

Objekti ishte paraparë që të funksionalizohej vitin e kaluar, por bartja e librave në këtë objekt ishte penguar për shkak të mungesës së inventarit. Asokohe, sipas përgjigjeve të zyrtarëve komunalë, objekti kishte telashe me kulmin që pikonte gjatë reshjeve dhe me mosinstalimin e ngrohjes.

Këto ishin arsyetimet për mosbartjen e stafit në objekt të ri.

I iniciuar në kohën kur Komuna e Prishtinës qeverisej nga Isa Mustafa, objekti i ri i bibliotekës së kryeqytetit ishte llogaritur të finalizohej me 2.5 milionë euro. Ndërsa për ta funksionalizuar objektin, që me vite të tëra ka mbetur bosh, Komuna e Prishtinës është dashur tani të paguaj edhe 25 mijë euro. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...