
19 Gusht 2016 - 14:26
Sipas tij, ashtu siç përcaktohet në Rregulloren Nr. 05/2014 për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident të aktorëve të teatrove kombëtare dhe teatrove të qyteteve, është mbledhur komisioni paraprakisht i miratuar nga Këshilli Drejtues i TKK-së, i përbërë nga pesë anëtarë: Ilire Vinca, aktore, profesoreshë në UP, Trimor Dhomi, kompozitor, profesor universitar, Kushtrim Koliqi, regjisor, Shkelzen Veseli, aktor, dhe Agon Myftari, regjisor, udhëheqës artistik i TKK-së (kryesues i Komisionit), transmeton Koha.net. Komisioni ka shqyrtuar me kujdes të veçantë dosjet me CV-të dhe aplikacionet, përvojën, bagazhin artistik të kandidatëve, ndërsa intervistat dhe audicionet janë mbajtur më datën 17 dhe 18 gusht. Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion nga dhjetë minuta. Nga gjithsej 56 dosjet e pranuara nga MKRS, njëra ka dalë e pavlefshme, respektivisht e parregullt.
Nga 56 kandidatët, të cilët i kanë plotësuar kushtet për t’iu nënshtruar intervistimit dhe audicionit vetëm 7 kandidatë nuk janë paraqitur para komisionit vlerësues, kurse 2 të tjerë janë paraqitur para komisionit, por nuk kanë pranuar të prezantojnë performancën skenike.
Pas përfundimit të intervistimit, Komisioni dhe ka shqyrtuar format e vlerësimit. Audicioni dhe intervistomi, sikurse edhe procesi i poentimit dhe vlerësimit të kandidatëve, është monitoruar nga afër dhe gjatë tërë kohës nga dy përfaqësueset e MKRS-së: znj. Afërdita Veliu dhe znj. Shejnaze Ismaili nga Divizioni i burimeve njerëzore, dhe nga dy anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së: znj. Xhejlane Godanci dhe z. Arian Krasniqi, në cilësinë e monitoruesve të procesit.
Procesi i votimit dhe i mbledhjes së pikëve është përmbyllur ditën e enjte, datë 18.08.2016, dhe komisioni ka nxjerrë rezultatet me listën e plotë të kandidatëve. Në bazë të poentimit, katër më të suksesshmit, të cilët janë përzgjedhur për të qenë pjesë e ansamblit rezident të TKK-së janë:
1. Gresa Pallaska
2. Edona Reshitaj
3. Ardi Islami
4. Shengyl Ismaili
Po ashtu, Komisioni profesional ka konstatuar se ka pasur para vetes një numër të madh të kandidatëve me talent, kualitet, potencial dhe përgatitje të nivelit të lartë që pa dyshim i nevojiten trupës së ansamblit rezident. Duke qenë kështu, komisioni me bindje dhe gjykim profesional i sugjeroi Këshillit Drejtues që, sipas mundësive që ka në bashkëpunim me MKRS-në, të bëjë përpjekje për hapjen edhe të një konkursi tjetër për edhe së paku 6 aktorë, në mënyrë që ansambli i TKK-së të jetë i plotësuar sipas Ligjit.
Këshilli i TKK-së në mbledhjen vlerësoi punën e Komisionit për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesi të rregullt, profesional dhe transparent të përzgjedhjes së 4 anëtarëve të ansamblit rezident të TKK-së.
Këshilli Drejtues i TKK-së shprehu angazhimin dhe përkushtimin që të sigurojë që zhvillimet brenda dhe rreth Teatrit Kombëtar të jenë në përputhje me Ligjin dhe në funksion të ngritjes dhe avancimit të cilësisë menaxhuese dhe vlerës artistike.
Pavarësisht reagimeve individuale dhe pakënaqësive eventuale, TKK mbetet në orientim të shtimit të aktiviteteve dhe ngritje të cilësisë artistike të shfaqjeve duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin krijues brenda dhe jashtë tij.
Teatri Kombëtar i Kosovës u dëshiron mirëseardhje aktorëve të pranuar dhe në të njëjtën kohë i falënderon të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar, por të cilët, për shkak të mundësive të kufizuara, nuk janë përzgjedhur. Si edhe deri më tani, Teatri Kombëtar i Kosovës do të vazhdojë të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjithë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...