Foto: Koha

Dita e tretë e Seminarit: Në këndvështrimin linguistik nuk ekziston koncepti “gabim gjuhësor”

19 Gusht 2016 - 08:55      

Prishtinë, 19 gusht – “A ka gabime gjuhësore?” Kjo është pyetja që ka shtruar studiuesi, njëherësh profesor i gjuhës shqipe, Bardh Rugova.

Për të ardhur te një përfundim, ai ka shkruar tri fjali të ndryshme dhe u ka kërkuar folësve të ndryshëm të shqipes, kryesisht arsimtarëve e mësuesve të shkollave fillore të Kosovës, t’i komentojnë dhe të përgjigjen se cila prej tyre është shkruar me gabime gjuhësore e cila jo, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Djali ka me shku n’shkollë”, “Djali ka me shkue ne shkoll” dhe “Djali ia dha librin atyre”, ishin tre shembujt, të cilët Rugova i paraqiti në anketën e tij të realizuar me 200 respondentë. Pavarësisht përgjigjeve që ka marrë, ai ka ardhur në përfundim se nuk ekziston koncepti i gabimit gjuhësor.

Sipas tij, “kjo anketë ka provuar se në perceptimin e zakonshëm në Kosovë një formë gjuhësore konsiderohet e saktë ose jo nëse është në përputhje me botëndijimin e të anketuarve për shqipen standarde”. Këtë prezantim ai e bëri të mërkurën në kuadër të edicionit XXXV të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës nëpërmjet kumtesës me titull “Gabimet gjuhësore”.

“Si përfundim, në këndvështrimin linguistik nuk ekziston koncepti ‘gabim gjuhësor’, ndonëse brenda një sistemi ka trajta gramatikore dhe jogramatikore që i konkurrojnë njëra-tjetrës. Në këndvështrimin studimor, punë e gjuhëtarit është ta hulumtojë gjendjen e gjuhës dhe të bëjë parashikime, mbështetur në metodat linguistike dhe mbi faktet e mbledhura për zhvillimin e dinamikave të gjuhës”, ka thënë Rugova.

Në këndvështrimin psikologjik, siç ka thënë ai, përdorimi i gjuhës është i lidhur me gjendjen e folësit dhe ndjekja e gabimit krijon “memecë”, ndërsa në këndvështrimin social lidhet me nevojën e komunikimit.

“Kërkimi i gabimeve gjuhësore në tekste dhe paraqitja e tyre si gjetje studimore është një punë shumë e lehtë dhe nuk është assesi objekt studimi i gjuhësisë. Studimet gjuhësore janë më të komplikuara se kaq, realizohen me metoda të mundimshme dhe të lodhshme për të përshkruar gjendjen gjuhësore dhe për të parashikuar dinamika të zhvillimit të gjuhës. Shumë shpesh janë të mërzitshme. Duan shumë durim. Si e tillë, e komplikuar, e lodhshme dhe e mërzitshme është shkenca. Dhe pikërisht kjo e bën shumë interesante”, ka thënë Rugova, i cili për t’iu përgjigjur pyetjes se a ka gabime gjuhësore e ka zbërthyer studimin e tij në disa këndvështrime të ndryshme linguistike.

Këndvështrimi i parë është ai i sistemit gramatikor. Për këtë ai ka bërë dallimet themelore në mes të nocioneve “gabim” dhe “gramatikalitet”. Në këndvështrimin e dytë, atë të studiuesit të gjuhës, të atij që kërkon të gjejë përgjigjen për gjuhën si mjet komunikimi mes njerëzve ka ardhur në përfundim se “nuk mund të ekzistojë nocioni ‘gabim’”. Ndërsa, për dallim nga dy të parat, këndvështrimin e tretë dhe të katërt Rugova e ka bazuar në aspektin tekstor ose kontekstual. Njëri social dhe tjetri psikologjik.

“Derisa dy këndvështrimet e para sqaruan se studiuesi i gjuhës nuk njeh gabim, por gjendje gjuhësore dhe se ka trajta gramatikore dhe jogramatikore, nuk e diskutuam deri në fund nëse forma jogramatikore është gabim gjuhësor. Këtu hyn në punë pranueshmëria”, ka thënë Rugova, i cili më tej ka sqaruar se performanca gjuhësore e një individi varet nga gjendja e tij personale psikologjike, nga rrethanat sociale dhe kompetencat e tij.

Sipas Rugovës, asnjëra nga këto nuk ka kufij që e ndajnë të drejtën nga e gabuara. Prandaj ka parashtruar pyetjen përse në perceptimin e të anketuarve në Kosovë, shembujt e fillimit konsiderohen “gabim”.

“Kjo vjen si pasojë e propagimit të vazhdueshëm se gjuha e njësuar letrare e vitit 1972 është gjuha shqipe e të tjerat janë shkarje nga norma. Inercia e kësaj propagande dhe ideologjia, për të cilën kam diskutuar më 2014 në Konferencën e Pogradecit, është manifestuar përmes mësuesve të asaj periudhe dhe një grupi autorësh që vazhdojnë të kenë trajtim preskriptiv (të parashkruar) për gjuhën dhe sjelljen shoqërore përgjithësisht”, ka thënë Rugova, i cili hapi ditën e tretë të Seminarit. Aktivitetet vazhduan me referime tjera. Pas Rugovës, me kumtesën “Broad semantic classes of Baltic loanwords in core Albanian vocabulary: their lexical change and underlying reasons (an attempt of classification)” u prezantua studiuesi Dens Diminish. Më pas Dritë Bardhaj - Krasniqi u prezantua me kumtesën “Të shprehurit e shkakut me dhe pa parafjalë”, Berton Sulejmani me “Gjuha e dokumentacioneve të shkollave të Shkupit” dhe Martin Survoçak me kumtesën “Reduplikimi si mjet frazeologjik në gjuhën shqipe”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...