Sindikata e TKK kërkon shtyrjen e audicionit për aktorët e rinj të Teatrit Kombëtar

17 Gusht 2016 - 09:09      

Prishtinë, 17 gusht – Duke e cilësuar proces të komprometuar, jotransparent dhe të realizuar nga njerëz jokredibilë, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka kërkuar që të shtyhet audicioni për pranimin e aktorëve të rinj të këtij institucioni.

Sipas kësaj shoqate, komisioni përzgjedhës i aktorëve përbëhet nga njerëz jokompetentë. Komisioni i propozuar nga udhëheqësi artistik i TKK-së, Agon Myftari, dhe i votuar nga Këshilli Drejtues përbëhet nga regjisori Kushtrim Koliqi, aktorja Ilire Vinca, aktori Shkelzen Veseli dhe kompozitori Trimor Dhomi. Sipas Rregullores për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident në TKK dhe teatrove të qyteteve, udhëheqësi artistik e kryeson komisionin në rastet e tilla.

Shoqata i ka kërkuar Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës që ta shtyjë procesin duke anuluar vendimin për emërimin e komisionit përzgjedhës. Në rast se Këshilli nuk vepron, Shoqata i ka bërë thirrje për ndërhyrje ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

Sot (e mërkurë) do të mbahet audicioni për një pjesë të aktorëve që kanë konkurruar për të zënë katër pozita si aktorë të ansamblit rezident në TKK. Për këto pozita kanë konkurruar gjithsej 56 kandidatë në konkursin e hapur në qershor të këtij viti.

Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Jeton Neziraj, ka thënë sesi Këshill nuk do të merren me këtë reagim.

E shefi i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, Ndue Ukaj, ka thënë se MKRS-ja do ta trajtojë këtë çështje.

Naser Rafuna, Aurita Agushi, Adriana Morina, Gresa Pallaska, Vlora Nikçi, Kosovare Hoti, Emine Toska e Florentina Ademi janë disa prej emrave në listën e atyre që ia kanë mësyrë kësaj gare (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...