16 Gusht 2016 - 11:45
Terasa ishte mbushur me të rinj të cilët dukej se po e shijonin këtë mbrëmje, ku muzika ishte vetëm si hyrje për të vazhduar tutje me fjalimet të cilat i sollën organizatorët e Festivalit të Filmit amator për të rinj “Youth Film Fest 2016”.
Festivali u jetësua vitin e kaluar e për të vazhduar edhe këtë vit me qëllim që të promovojë aftësitë dhe kreativitetin e të rinjve në fushën e filmit. Në këtë edicion të dytë, u tha që festivali promovon tri tema: fuqizimin e të rinjve, gratë në biznes dhe teknologjinë, mjedisin dhe shoqëria. Në këtë mbrëmje ku edhe u bë hapja solemne e festivalit, u ftuan të gjithë që të aplikojnë me idetë e tyre rreth temave të cilat përcjellin mesazh pozitiv në shoqërinë kosovare. Shpend Lila nga ICK, tha që janë me fat që punojnë me Këshillin Rinor të Ambasadës Amerikane për herë të dytë rreth këtij festivali.

“Këtë po e bëjmë që t’ju japim mundësi të rinjve se si të bëjnë një film deri te shfaqja e tij dhe të ju japim atyre një mundësi më shumë. Ne si ICK dëshirojmë që përmes filmave aplikues të tregojmë storiet e suksesshme në fushat e teknologjisë”, tha në fjalën e tij në hapje të këtij festivali, Lila.
Ndërsa, Diellza Malazogu e cila vjen nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, tregoi më shumë rreth veçantisë së këtij edicioni. Ajo tregoi se “Youth Film Fest”, fillimisht nisi si ide e vullnetarëve që donim të jepnin kontributin e tyre për Kosovën, që të rinjtë e Kosovës t’i prezantojnë idetë e tyre për vendin e tyre përmes filmit.
“Duke u bazuar në suksesin që patëm vitin e kaluar vendosëm që të vazhdojmë edhe këtë vit. Ndryshimi nga edicioni i parë janë temat. Temat nuk do të jenë vetëm një si vitin e kaluar që ka qenë “My Kosovo”, por do të ndahen në tri forma”, tha Malazogu. Ajo tutje tha që beson që të rinjtë e këtij vendi kanë shumë që të ofrojnë dhe tregojnë në këto tema.

Me hapjen e këtij eventi, hapet edhe konkursi për aplikime për filma dhe do të zgjasë deri me 1 dhjetor. Pas këtyre fjalimeve dhe muzikës që sollën grupi “The Lovers”, u shfaq filmi fitues nga edicioni i kaluar. Gjatë këtyre ditëve do të ketë workshope dhe aktivitete të ndryshme për të rinjtë. Ky festival organizohet nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane në partneritet me Qendrën Inovative të Kosovës (ICK).
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...