Mira Meksi: Në historitë e librave të mi jo vetëm jeta ime, por edhe e të tjerëve

9 Gusht 2016 - 13:44      

“Mora vendimin për të varrosur dashurinë time. Atë që kish mbetur nga dashuria ime. Sepse në të vërtetë , s’kish mbetur shumë, veçse një lëndë e ngurosur, e cila ishte kthyer papritur në një grusht hi që dukej si shkrumbimi i një trupi të çmuar pas riteve mortore antike. Burri që dashuroja më kishte tradhtuar…”.

Kështu shkruan shkrimtarja Mira Meksi në faqen e parë të novelës “Pa zemër në kraharor”, botim i “Onufrit, nNjë novelë kushtuar Carlo Fuentesit, autorit të novelës Aura, për të na sjellë një udhëtim në Meksikën imagjinare, përmes një kërkimi për dashurinë… Libri është një rikthim në vendet që dikur i ka shkelur përmes jetës së një personazhi, që kërkon të jetë e lirë nga dashuria… ”, thuhet në hyrje të intervistës së saj për gazetën Shqip.

-“Duhet të zgjedhësh o do jetosh histori si në libra o do shkruash libra….”, thotë John Fante. Te ju si ndodh?

Nuk mendoj se jam ndodhur ndonjëherë përpara një dileme të tillë, ndonëse tingëllon shumë bukur nga autori i një libri të dashur për mua “Qeni im budalla”. Ka pasur raste kur kam përjetuar ngjarje apo ndjenja të denja për t’u rrëfyer mot à mot, ndërkohë që shkrimësia, është shumë më tepër se një ngjarje apo ndjenjë, është tërë jeta ime. Nga Fonte do më pëlqente të përmendja më tepër thënien: “… që të shkruash duhet të duash…”. Kjo po, është thelbësore për mjeshtërinë e shkrimtarit.

-Sa është jeta e shkrimtarit në historitë që shkruan?

E kam thënë shpesh se në lëndën e krijimeve të mia nuk ka asnjë “shpikje” të mirëfilltë, apo produkt tërësisht imagjinativ. Jeta e shkrimtarit është shumë në atë që ai shkruan. Edhe kur duket sikur nuk është në mënyrë të drejtpërdrejtë, si ngjarje të jetuara apo karaktere personazhesh, është pa dyshim në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet ndjenjave, mendimit, botëkuptimit të tij. Por të kuptohemi drejt, në historitë që shkrimtari shkruan është edhe jeta e tij, edhe jeta e të tjerëve që ia kanë besuar atë me rrëfenjat e tyre. Raportet mes tyre janë të ndryshme gjithsaherë.

-Le të ndalemi te romani juaj, PorfidaBallo në Versailles. Duket sikur tema e librit është një homazh ndaj një periudhe që ka të bëjë me rininë tuaj…?

Është kështu siç thoni ju, homazh ndaj një kohe që nuk është më dhe që ishte rinia ime. Ka shumë autobiografi në këtë roman. Është pasqyra e kohës së rëndë të diktaturës e përjetuar në lëkurë, por edhe e përpjekjeve tona për të krijuar lumturi dhe për ta shijuar rininë tonë. Jo gjithçka ishte errësirë. Thuhet se edhe në Ferr, njeriu ia del të krijojë gëzim. Porfida-Ballo në Versailles është edhe romani i shpresës për të ardhmen dhe njëkohësisht i frikës së madhe se a do të ishim ndonjëherë pjesë e Europës së cilës i përkisnim gjeografikisht. Është metaforë e lirisë dhe e traditës së kombit tonë si rrënjës i kësaj Europe të lirë.

-Thoni se krijimet tuaja nuk janë produkt tërësisht imagjinativ, dhe ka gjurmë të jetës suaj në to, por në përmbledhjet tuaja me tregime “Mali i shpirtrave” dhe “Buzë të panjohura gruaje”, ju keni lëvruar tregimin fantastik lënda e të cilit është pjellë e imagjinatës…

Në të vërtet kam lëvruar dhe lëvroj tregimin neofantastik, ku elementi fantastik është i pranishëm, por nuk krijohet nga imagjinata, ndonëse i përngjan asaj. Ai krijohet nga realitetet paralele përkundrejt këtij realitetit që jemi mësuar ta quajmë objektiv, të cilat i japin shkrimtarit sinjale të ekzistencës së tyre.

-Qasja ndaj historisë që keni shpesh në letërsinë që shkruani, ka një shkak te ju? Vjen natyrshëm?

Përherë ka një fillesë që ngjiz baltën në poçarinë e shkrimtarit, një fillesë që krijon bazamentin e ngrehinës së veprës letrare. Vjen natyrshëm. Mund të jetë kujtim, ndjenjë, aromë, ëndërr, ndjesi… E kam thënë shpesh se fillesat e veprave që kam shkruar, në përgjithësi kanë ardhur nga fëmijëria ime. Nga kujtime imazhesh. Sidoqoftë janë përherë pjesë e jetës sime, përjetimeve, eksperiencave.

-Si është kufiri mes jetës dhe imagjinatës në ato çfarë shkruani?

Në mënyrë sempliste përfytyrojeni kështu: jeta dhe eksperienca ime apo e të tjerëve është lënda kryesore e shkrimësisë, imagjinata janë erëzat. Ky është raporti.

-Romani “E kuqja e demave” me korridat, ndeshjet me dema, duket larg kësaj botës sonë. Njëlloj si universi i largët i ikonave të Onufrit. E megjithatë, imtësitë me të cilat përshkruhen, përjetimet e gjalla flasin për një botë tuajën.

Po, ky roman ka shumë elementë autobiografikë. Një pjesë e mirë e lëndës së tij, ku bën pjesë edhe përvoja ime si përkthyese letrare, edhe ndeshjet me dema, është marrë nga qëndrimi im i gjatë në Spanjë. Nisur nga eksperienca e një tjetër shkrimtari në lidhje me korridat, nga Heminguej, krijova eksperiencën time dhe u bëra një “aficionado” e ndeshjeve me dema. Sa për universin e ikonës, fillesa është sërish në fëmijërinë e largët; një ikonë e fshehur që ime gjyshe e ruante me fanatizëm, jo vetëm përndezi imagjinatën time fëmijërore, por bëri që më vonë t’i përkushtohesha studimit të ikonografisë, dhe sidomos asaj të Onufrit tonë.

-A jeni identifikuar ndonjëherë më ndonjë nga personazhet tuaja?

Para shumë vitesh në një intervistë në shtyp kam shpallur: “Në romanin tim Frosina e Janinës, Ali Pashai jam unë”.

-Mund të jetë letërsia një fshehje e bukur e jetës së shkrimtarit?

Po, ose një shpallje e saj nën një mbulesë të bukur që të tjerët e konsiderojnë trillim. Ndodh që t’u besoni sekretet tuaja jetës së një personazhi? Ndodh shpesh.

-Si përkthyese sa e keni gjetur jetën e shkrimtarit në librat që keni shqipëruar?

Shumë. Fjala vjen “Dashuria në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquezit është historia e dashurisë së prindërve të tij. Shkrimtari dhe letërsia e tij janë dy botë të ndryshme? Janë të ndryshme domosdo, edhe duke pasur pjesë të njëllojta. Sepse letërsia nuk është realiteti, është diçka më shumë, e pasuron atë. Përndryshe, ç’kuptim do të kishte?

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...