Habia e zviceranëve për shtëpitë që ndërtohen nga diaspora në “Batusha’s House”

8 Gusht 2016 - 17:38      

Në konferencën e radhës për media të “DokuFest”-it janë prezantuar filmat të cilët do të shfaqen sot.

Për të folur për filmin “Batusha’s House”, të pranishëm ishin dy regjisorët e filmit, Tino Glimann dhe Jan Gollob. Glimann dhe Gollob janë arkitektë me profesion dhe kishin mësuar nga shokët e tyre shqiptarë në Zvicër se azilkërkuesit nga Kosova ende vazhdojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre (me fitimet nga puna që bëjnë në Zvicër).

Të habitur nga kjo, ata kanë ardhur në Prishtinë për të ndjekur procesin e ndërtimit të shtëpisë së Kadri Batushës. Kadri Batusha ka 15 vjet që po ndërton shtëpinë e tij në Prishtinë, pa leje pune, plan apo arkitekt. Ai është përkujdesur vetë për gjithçka që ka të bëjë me shtëpinë. Nga pikëpamja e tyre si arkitektë, regjisorët thanë se shtëpia është e qëndrueshme.

“Në një mënyrë Batusha ka vendosur biografinë e tij në atë shtëpi interesante dhe kjo tashmë është e dukshme”, tha Glimann. Kadri Batusha do të jetë i pranishëm sonte, në shfaqjen e filmit në ora 20:00.

Fondi “Field of Vision” ka sjellë në DokuFest filmat “Gatekeeper”, “Like” dhe “The Journey”.

“Gatekeeper” pasqyron punën e vështirë të një detektivi të pensionuar i cili i përkushtohet parandalimit të vdekjeve në të ashtuquajturat “shkëmbinjtë për vetëvrasje”.

Regjisorja vlerësoi bashkëpunimin me Field of Vision. “Ata të japin shumë liri për të vepruar gjatë xhirimeve” tha Yung Chang.

Në një kohë ku vlerësohemi nga popullariteti që gëzojmë në rrjetet sociale, Garret Bradley ka realizuar filmin e shkurtër “Like”. Filmi paraqet një ngjarje shumë interesante, e cila së fundi është bërë industri në vete – njerezit paguhen për të bërë like dhe folloë në rrjetet sociale.

“Ekziston një grup i të rinjve që duan të punojnë nga shtëpia, s’duan të kenë shefin e tyre dhe kjo është puna e duhur për ta” tha Bradley.

Në një seri të dokumentarëve me gjashtë pjesë, regjisori Mathew Cassel ndjek rrugëtimin 1800 kilometërsh të një refugjati sirian, i cili largohet nga Damasku për ti ofruar gruas dhe fëmijëve një jetë më të mirë. “Fillova të ndjek një person i cili po vinte në Evropë dhe kam bërë gjithë udhëtimin bashkë me të, kur për herë të parë u hap kufiri nga Ballkani për refugjatët dhe për mua ishte çështje urgjente ndjekja e kësaj ngjarjeje”, tha Cassel.

Ai kishte filluar xhirimet me fondet e tij por më pas kishte vazhduar të bashkëpunojë me Field of Vision dhe The New Yorker.

Disa nga regjisorët, filmat e të cilëve do të shfaqen sot, u prezantuan nga Drejtori Artistik, Veton Nurkollari.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...