“Daullet e rezistencës” përlotën audiencën në DokuFest

8 Gusht 2016 - 11:29      

Në shkolla nuk kishte më vend për kosovarë. Jo që nuk kishte vend në aspektin e hapësirës, por regjimi serb nuk lejonte që të rinjtë e vendit të shkolloheshin. Fillimisht nisi me një bisedë për 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa në anën tjetër flitej për një periudhë kur mësimdhënësit e gjeneratës së viteve të 90-ta, ishin shkolluar. “Daullet e rezistencës”, ishte filmi dokumentar që u dha premierë kosovare, sonte në festivalin që po feston ditëlindjen e 15-të DokuFest.

Një dokumentim real i asaj se çfarë kishte ndodhur në vitet e 90-ta në Kosovë, një rrëfim që shkonte përtej rrëfimit, duke u treguar në detaje çdo fjalë, çdo lëvizje e çdo gjë tjetër që u kishte ndodhur këtyre nxënësve nga regjimi serb. Arsimimi paralel, helmimi i nxënësve e demonstratat e viteve 1995 e 1997, tregohen detajisht nga vetë protagonistët e këtyre ngjarjeve, në filmin dokumentar të shkruar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre e regji të Mathieu Jouffre, u mirëprit përpos me duartrokitje ashtu edhe me lot në sy nga të pranishmit që ishin në një numër mjaft të madh në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.

“Shfaqja e filmit në DokuFest për ne është shumë e rëndësishme, sepse kjo është premiera jonë kosovare”, tha para fillimit të filmit regjisori Jouffre i cili poashtu falënderoi të gjithë përkrahësit e këtij filmi.

Padyshim që për ata që veç i kanë përjetuar këto ngjarje është një rikthim në kohë, dhe një emocion i veçantë. Kështu ndihej edhe njëra ndër protagonistet dhe nëna e skenaristes Lumturie Gashi Luci, e cila për KultPlus, tregoi se këto gjëra nuk i harron kurrë, por sot kur e pa edhe filmin të kompletuar bashkë me transmetimin e protestave dhe gjërave të tjera, u ndie edhe më e emocionuar se zakonisht.

“Jam krenare për punën që është bërë, fillimisht po flas si nënë e pastaj edhe si njeri që kam qenë pjesë e atyre ngjarjeve. Mendoj që për këto gjëra duhet shumë më tepër të flitet, por sigurisht unë e fajësoj edhe vetën pasi që, prindërit duhet të jenë ata që ti përmendin këto gjëra, duhet të dihen, të dokumentohen dhe të transmetohen tek gjeneratat e reja”, pohoi Gashi Luci.

E për skenaristen Besa Luci, ishte ndjenjë shumë e mirë që filmi premierën kosovare po e ka në DokuFest, ajo theksoi para të pranishmëve që filmi i saj të jetë një ndër filmat e shumtë që do të flasin për këtë periudhë.

“Jemi shumë të lumtur që filmi ka premierën edhe në DokuFest, kështu që tematika është për vitet e 90-ta në Kosovë, për arsimin paralel ku kjo për ne nuk është dokumentuar aq sa duhet dhe besojmë që do bëjmë një hap para në këtë drejtim. Shpresojmë që ky film të jetë një prej filmave të shumët që do të flas për vitet e 90-ta”, u shpreh Besa. “Daullet e rezistencës”, konkurron në kategorinë e Ballkan Dox, në Dokufest, ndërsa premierën ndërkombëtare pritet ta ketë me 15 gusht në Sarajevo Film Festival.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...