3 Gusht 2016 - 15:16
Këtij manfestimi tradicional, për të parën herë, në Krahinën e Plavë-Gucisë, në zemrën e Alpeve të Shqipërisë, i parapriu edhe organizimi i festivalit folklorik mbarëkombëtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, që u mbajt nga data 29 korrik dhe përfundoi me 1 gusht 2016, transmeton sot Malësia. Po ashtu u mbajt edhe sesioni shkencor për figurat më emblematike të Krahinës së Plavë-Gucisë.

Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje edhe të presidenti të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, këshilltarit të parë të Presidentit, z. Flamur Gashi, ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ernal Filo, kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, veprimtarëve Smajl Latifi, Bahtjar Hoti, Nikollë Camaj e të tjera.
Presidenti Nishani u prit me entuziazëm në Plavë e Guci me plisa të bardhë!
Të pranishmit në këtë tubim u dëshiroi mirseardhje aktivisti i njohur i kësaj ane, z. Tahir Gjonbalaj, i cili tha se për ta është një ditë e veçantë, pasi që tokën e Plavë Gucisë e Vuthajve, për herë të parë e preku kreu i shtetit shqiptar, presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani.
Gjonbalaj ndër të tjerat tha: “I nderuer President, ju jeni sot në vendin ku u zhvilluan shumë ngjarje të rëndësishme historike. Jeni në vendin ku u zhvilluan beteja të rëndësishme si betejat e Nokshiqit. Në vendin ku shqiptarët iu kundërvunë vendimeve të Kongresit të Berlinit. Jeni në vendin e heronjve si: Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Ahmet Zenelit, Sadik Ramës, Ismajl Nikoçit, e shumë e shumë të tjerë, të cilët u sakrifikuan për të mirën tonë”.

Gjonbalaj theksoi se në vitet 1902-1908, Prof. Dr Jovan Cvijiq, i ardhur nga Beogradi së bashku me studentët e tij, gjatë qëndrimit në Guci, duke parë pozicionin e Alpeve tona, arriti në konkluzionin se: “Në këtë vend cilido pushtues që do vinte, për t’i pushtuar këto troje do hynte me krye e do dilte pa krye”. Për këtë arsye, Alpet tona të mrekullueshme ai i quajti Bjeshkët e Nëmuna.
“Ju jeni sot, në vendin, i cili edhe pse me toka të pakta dhe me popullsi të vogël në numër, ka qenë cilësuar si vendi më strategjik në kufi me Malin e Zi, prej krahinave të tjera të Shqipërisë deri në Luftën e Dytë Ballkanike të vitit 1912, ku ishte tokë e pandarë e Shqipërisë etnike. Faktet e përmendura dëshmojnë se të gjithë pushtuesit e këtyre trojeve, me gjithë përpjekjet që kanë bërë nuk kanë mundur të zhdukin zakonet, traditën dhe kulturën e fiseve shqiptare dhe aq më pak të asgjësojnë elementin shqiptar. Ky element jeton edhe sot. Pra ne jemi këtu autoktonë, ku kemi ruajtur të pastër gjuhën tonë shqipe ” theksoi Gjonbalaj.
Në fjalën përshëndetëse Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, tha se është kënaqësi e veçantë për të personalisht që është pjesë e këtij takimi madhështor, e kësaj feste të mrekullueshme, e këtij gëzimi vëllazëror. Nishani shtoi se nuk kishte se si mos t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në këtë takim tradicional të përvjetshëm që organizohet në Alpet e mrekullueshme në këto bjeshkë të bekuara, nuk kishte se si mos t’i përgjigjet ftesës tepër të sinqertë të nxënësve dhe mësuesve nga Plava e Gucia, që së bashku me shumë nxënës të tjerë shqiptarë nga Rozhaja, Tuzi, Tivari e Ulqini, u takuan së bashku para disa muajsh në Tiranë. “Kur po vija këtu duke kaluar përmes Bjeshkëve të Dukagjinit e Kelmendit, në mëndje më shkonin këngët e Lahutës Malcisë, të Atë Gjergj Fishtës.

E si vegim para syve të mi tek sa kujtoja atë mesazh historik kombëtar që përfaqëson ajo poemë. Më kalonin parasysh kolosë të kombit shqiptar si Jakup Ferri e Ali Pashë Gucia, Çelë Shabani e shumë e shumë tjerë burra dhe gra të këtyre trojeve kreshnike që dhanë jetën që gjuha jonë shqipe, flamuri ynë kombëtar, të trashëgohet dhe të ruhet brez pas brezi. Ndaj sot së bashku të thërrasim fort nderim për jetë të gjithë atyre kolosëve të kombit shqiptar”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Nikollë Camaj, i cili tha se po bëhen pothuajse 20 vite që kur ka filluar ky manifestim këtu në mesin e këtyre bjeshkëve të bekuara e jo të nemura si i patë emëruar dikush, por që kësaj herë janë të gjithë të priviligjuar pasi që në mesin tonë është presidenti i Republikës së Shqipërisë, është presidenti ynë. “I nderuar president çdo herë që paraqiteni në mesin tonë jeni zë shprese për ne shqiptarët e trojeve etnike që jetojmë jashtë shtetit amë, jeni zë shprese pasi që ju asnjëherë nuk ngurroni ta thoni realitetin me emrin që ka.
Prandaj zoti president shqiptarët në MZ nuk i gëzojnë ato të drejta për të cilat flasin”. Camaj po ashtu rikujtoi presidentin se para pak ditësh kryeministri i Malit të Zi, u dekorua nga shteti amë, por që dekoratat e flamuri shqiptar nuk mund t’i takojnë atij që përfaqëson regjimin e atij kryeministri i cili brenda një viti 3 herë e merr dhe 3 herë e burgos flamurin tonë shqiptar.

Në Festival morën pjesë grupe të shoqërive kulturo-artistike nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Malësia, Plavë-Gucia, Konispoli i Çamërisë dhe Medvegja e Dardanisë. Kështu që pothuajse krejt java e fundit e muajit të korrikut dhe dita e parë e gushtit kaluan në shenjën e organizimit dhe manifestimeve shqiptare.
Vendin e parë e fitoi “Grupi koreografik Trevar” nga Tirana, të dytin “ShKA Maja e Karajfilit”, dhe vendin e tretë “Grupi i Konispolit”.




17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...