Trioja shtyn kufijtë e muzikës popullore

29 Korrik 2016 - 10:02      

Prishtinë, 29 korrik- “Unë sot do ta marr çiften e do të dal për gjah”, ka thënë Edona Vatoci, një kantautore e performuese e skenës së re alternative, me të cilën audienca u familjarizua në spektaklin e talenteve “Voice of Albania”, shkruan sot Koha Ditore.

Duke u mbështetur në pajisjet elektronike të kohëve moderne, kënga e njohur popullore e Shqipërisë së Jugut ka jehuar në një version krejtësisht të ri në ambiente të Lapidariumit të Muzeut të Kosovës. Vatoci ka zbrazur potencialin e saj vokal, duke eksperimentuar me këngën që në origjinal i takon një natyre krejtësisht tjetër.

Pas saj, në skenën e improvizuar brenda amfiteatrit të vogël të objektit që për vite kishte mbetur i pashfrytëzuar, është ngjitur Blerta Kosova. Ka performuar një këngë të sajën, që e ka titulluar “Stratosferë”. I karakterizuar me rrjedhshmëri të natyrshme dhe jo formalitet, koncerti i së mërkurës mbrëma - i katërti i serisë “Etnomuzikë e re”- ka vazhduar me një performancë të veçantë. Dy muzikanteve u është bashkuar Arbër Salihu, i cili në skenë ka dalë me çifteli.

“Faleminderit që keni ardhur. Është kënaqësi të bëjmë muzikë në këtë ambient kaq të dashur. Kënga që do ta interpretojmë është pjesë e projektit ‘Kosoveira’, një album që kombinon muzikën tradicionale të skllevërve të Brazilit me muzikën shqipe”, ka shpjeguar Salihu.

Kënga e titulluar “Fija e tejdukshme” nis me tinguj gati se orientalë, e transformohet në një përzierje midis tingujve të çiftelisë dhe atyre alternativë që prodhon teknologjia. I radhës ka qenë një përpunim i interpretuar nga Kosova dhe Salihu.
“Tani do ta dëgjoni një përpunim të një prej këngëve të preferuara të ‘Gjurmëve’. Këngën “Qershi”, ka paralajmëruar Salihu, i cili gjatë kësaj performance e ka shoqëruar Kosovën teksa ajo ka interpretuar në një version “slow motion” tekstin e këngës së një prej rock bendeve më të pëlqyera në Kosovë.

Derisa vajzat janë rehatuar në audiencë, Salihu ka interpretuar një version akustik të këngës së bendit “Oborri”, në të cilin performon bashkë me kitaristin Tomor Kuçi. Ia ka lënë radhën Vatocit për dy këngë të saj: “Hala” e lansuar me videoklip në tetor të vitit të kaluar dhe një tjetër që ende s’e ka dëgjuar audienca.

Skena i ka takuar sërish duos Kosova-Salihu. Ky i fundit e ka bërë paralajmërimin për këngën e radhës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...