29 Korrik 2016 - 08:43
Kryeministrat e dy vendeve bashkë me kabinetet qeveritare janë takuar në hapësirën e mozaikut në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Takimi në këtë institucion ishte organizuar për shkak të simbolikës që ka vetë Biblioteka.
Marrëveshjet qenë prezantuar me pompozitet në një konferencë shtypi në objektin që ruan trashëgiminë e shkruar të Kosovës.
Por sikur dy kryeministrat Isa Mustafa e Edi Rama të zbrisnin në bodrumet ku ruhen rreth 2 milionë ekzemplarë librash, gazetash, revistash e njësi të tjera, do të kuptonin se më shumë i është dhënë prioritet simbolikës sesa misionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Pesë “burime” uji janë lehtë të identifikueshme në katin e parë të bodrumit ku ruhen njësitë bibliotekare të “Pjetër Bogdanit”. Në dy qoshe sa herë ka reshje atmosferike hyjnë në përdorim dy motorë për thithjen e ujit, në mënyrë që niveli i tij të mos prekë librat. Edhe pas ditëve me shi, “burimet” janë të pashtershme. Kovat, lopatat e mjetet e sfungjerta janë të shpërndara gjithandej.
Uji është prezent në disa pjesë të bodrumit edhe kur nuk ka reshje te vazhdueshme atmosferike. Vrimat rrjedhëse mbulohen me sfungjer për të parandaluar shpërndarjen e lagështisë. E plasaritjet e mureve janë tejet evidente. Në vend që koleksionet të ruhen me lagështi konstante, ekzemplarët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndodh që edhe të zhyten në ujë. Ky është halli kryesor i punonjësve të këtij institucioni.
Një investim prej 700 mijë eurosh ishte bërë gjatë viteve 2003 dhe 2004 për ndërrimin e kupolave të BKK-së. Pavarësisht kësaj kulmi nuk e mban ujin, thotë drejtori Fazli Gajraku.
Qeveria e Kosovës nuk ka një afat se kur do të intervenojë për të shpëtuar koleksionet për të cilat ekziston vetë Biblioteka (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.




© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...