Ismail Ymeri, regjisori që la gjurmë në historinë e filmit të Kosovës

14 Korrik 2016 - 12:08      

Prishtinë, 14 korrik - Ismail Ymeri, njëri nga regjisorët që la gjurmë në vitet e arta të kinematografisë së Kosovës, ka vdekur të mërkurën në Stockholm të Suedisë. Ai ishte 60-vjeçar, shkruan sot Koha Ditore.

U lind më 1986 në Turiqec të Drenicës. Qysh në fillet e karrierës së tij si regjisor, u bë i njohur me filmin “Lepuri me pesë këmbë” në viti 1982, njëri nga filmat kult të asaj kohe me skenar të Rifat Kukajt, në të cilin luajtën Melihate Ajeti, Abdurrahman Shala, Istref Begolli, Muharrem Qena, Bislim Muçaj e të tjerë.

Pikërisht me këtë film për fëmijë e të rritur të zhanrit luftarak, produksion i “KosovaFilmit”, Ymeri diplomoi në Akademinë e Regjisë së Filmit në Zagreb. Një vit më herët, më 1981, realizoi filmin e metrazhit të mesëm “Duart e pastra”, për të cilin shkroi edhe skenarin, me aktorët Faruk e Istref Begolli në role kryesore. Njihet edhe për “Migjenin”, të realizuar më 1989, përderisa pas luftës së fundit në Kosovë realizoi filmin “Kur shpirti ndërron jetë” me Hadi Shehun e Enver Petrovcin në rolet kryesore. E ka sprovuar veten edhe në botën e aktrimit. Ka luajtur në filmin “Rojet e mjegullës” të vitit 1988, përkrah aktorëve Xhevat Qorraj, Enver Petrovci e Çun Lajçi.

Pos karrierës së tij filmike, Ymeri qe edhe njëri nga themeluesit e teatrit “Dodona”, në nëntor të vitit 1986, që asokohe njihej si Teatër i të Rinjve dhe i Kukullave.

“Meritat më të mëdha për themelimin i takojnë Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit”, shkruhet në ueb-faqen zyrtare të “Dodonës”. Ishte pikërisht Ymeri i cili e pagëzoi këtë teatër, përderisa shfaqja “Pylli është i të gjithëve”, ku ai ishte asistent regjie, qe e para që u inskenua në këtë teatër. Premiera e kësaj shfaqjeje me tekst të Shaip Grabovcit, nën regji të Borislav Mërkshiqit, u dha më 16 maj të vitit 1987 dhe u reprizua 102 herë, duke grumbulluar 41 mijë e 219 shikues. Ymeri ka punuar në Radiotelevizionin e Prishtinës, ndërsa prej viteve ‘90 të shekullit të kaluar është larguar nga Kosova për në Suedi. Pas luftës, ka hapur në Prizren Akademinë për Film, Teatër, Televizion dhe Radio.

Drejtori i fotografisë dhe ish-udhëheqës i Kinemasë ABC, Milazim Salihu, ka studiuar në Zagreb në të njëjtën kohë me Ymerin, përderisa ishte kameraman në filmin “Lepuri me pesë këmbë”. Ka thënë se për vdekjen e Ymerit duhet të ngushëllohet i gjithë komuniteti artistik, pasi tashmë ndër ta nuk është një regjisor i mirë.

“Po na shkojnë njerëzit. Pak herët po shkojnë. Ka lënë vepra të mëdha. Vendi ka humbur një regjisor të mirë. Pak janë ata që u takojnë gjeneratave të mira. Me filmin e tij ‘Lepuri me pesë këmbë’ për herë të parë ndërkombëtarisht është ditur se kosovarët kanë ditur të bëjnë filma. E tash kemi mbetur duke i kujtuar veprat e vjetra”, ka thënë Salihu.

Drejtori i “KosovaFilmit”, Gani Mehmetaj, ka thënë se Ismail Ymeri ka qenë ndër regjisorët më të mirë që ka pasur Kosova. Sipas Mehmetajt, me dy filmat e tij të realizuar me shtëpinë filmike “KosovaFilm”, Ymeri ka pasur shumë suksese ndërkombëtare.
“Ka qenë autor i shumë filmave dokumentarë. Pas luftës ka bërë filmin ‘Kur shpirti ndërron jetë’, film ky për periudhën e luftës e për krimet. Është film shumë i mirë. Ka pasur mjaft projekte të cilat i ka paraqitur edhe në konkurset e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Ka pasur për qëllim të konkurrojë edhe në konkursin e fundit, por nuk e di a ka arritur ta kompletojë dokumentacionin”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, Ymeri ka dhënë kontribut të madh në artin kosovar edhe nëpërmjet shfaqjeve teatrore.

“Ka qenë shumë aktiv sidomos në vitet ’90 me dokumentarë, të cilët i ka prezantuar edhe nëpër Evropë. Ismajl Ymeri ka qenë në brezin e kineastëve të mirë të Kosovës. Unë kam pasur fatin ta kem edhe mik të mirë. Ka qenë shumë i afërt, i ngrohtë dhe komunikativ. Kosova ka humbur shumë me vdekjen e tij”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, Ymeri si artist ka pasur ide dhe skenarë të gatshëm.

“Herën e fundit kur e kam takuar para disa muajsh ka qenë shumë aktiv. Vdekja e tij ka qenë e papritur”, ka thënë Mehmetaj.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...