Pas maratonës gjyqësore, “Hakmarrja” merr drejtësinë në Tiranë

13 Shkurt 2017 - 15:38      

Pas 21 viteve gjyqësore, me kthime dhe rikthime në të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda mbyll me pafajësi dosjen e të ashtuquajturës “Hakmarrja për drejtësi”.

Për shkak se gjyqtarët e Apelit për Krimet e Rënda ishin konsumuar gjatë kësaj odiseje gjyqësore, trupa gjyqësore u komandua nga KLD-ja nga anëtarë të Apelit të rretheve dhe me relator gjyqtarin Alaudin Malaj.

Gjykata deklaroi të pafajshëm të 10 të akuzuarit e “Hakmarrjes për drejtësi”. Me përjashtim të Dritan Hatës dhe Gentian Cakës që ndodhen në burg, shumica e të tjerëve, mes tyre Altin Arapi e Orik Shyti, e kanë ndjekur procesin e dy dekadave me statusin e azilantëve politikë, jashtë Shqipërisë.

Gjykata deklaroi se përveç shpalljes së pafajësisë, të pandehurve t’u hiqet edhe masa e sigurisë. Por, ndërsa ende nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës së Apelit, Top Channel mësoi se 5 gjyqtarët janë bazuar tek vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila një vit më parë i konsideroi provat e mbledhura kundër 10 të akuzuarve si të manipuluara.

Bëhet fjalë për kontrolle banesash, marrje e dëshmisë dhe dokumentash të sekuestruara nga policia atëherë kur nisi procesi ndaj të akuzuarve, mosha mesatare e të cilëve ishte asokohe 25 vjeç.

Gjykata e Lartë e konsideroi fals një dokument në të cilin shfaqej platforma e “Hakmarrjes për drejtësi”, çka praktikisht kupton se gjyqësisht ajo që është lakuar si organizata "Hakmarrja për drejtësi", nuk ka ekzistuar. Argumenti kryesor për këtë është konstatimi i ekspertëve grafikë që çmojnë se shkrimi i Altin Arapit ishte falsifikuar dhe platforma nuk ishte shkruar prej të akuzuarit.

Në vendim, Gjykata e Apelit vlerëson, sikurse Gjykata e Lartë, se janë përdorur në gjykime prova të deklaruara të pavlefshme, duke rënduar të gjykuarit. 10 të akuzuarit u gjykuan për ngjarjet që tronditën vendin nga viti 1994 deri në vitin 1996, për akuza të rënda që nga vrasja e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, disa vjedhje të armatosura, mes tyre e ish-firmës piramidale “Gjallica” dhe “Vefa” apo edhe pengmarrja e një fëmije në Vlorë.

Ky vendim konsiderohet i formës së prerë, ndërkohë që gjatë gjykimit edhe përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar kthimin e akteve.

Gjykata shpalli të pafajshëm këta persona: Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...