Zbulohen 3 autorët e grabitjes spektakolare në Rinas, një i arratisur në Rumani [video]

6 Shkurt 2017 - 16:13      

Për grabitjen në aeroportin e Rinasit, që bëri bujë vitin e kaluar, policia aktualisht ka zbuluar të tre autorët.

Dy nga tre autorët e grabitjes së Rinasit ndodhen brenda territorit shqiptar dhe tashmë janë identifikuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Burime nga këto njësi sqaruan për Report Tv se autorët janë identifikuar dhe ndaj tyre me miratimin e gjykatës është nxjerrë masa e sigurisë arrest me burg në mungesë.

Por ajo që ka shtangur policinë në momentin e ekzekutimit të urdhër-arresteve është fakti se asnjë prej të dyshuarve nuk ndodhej në banesë.

Nga kontrollet, që Policia ka bërë në sistemin TIMS, dy autorët kryesorë të grabitjes në Rinas ndodhen në Shqipëri dhe nuk rezulton të jenë larguar nga vendi.

Nga verifikimet e kryera rezulton se ideatori këtij grupi është A.P 37 vjeç, se 2 ditë pas grabitjes ka lënë territorin shqiptar dhe destinacioni i tij ka qenë Rumania.

Ende nuk dihet nëse ai qëndron në Rumani apo pas këtij udhëtimi të korrikut 2016 ai ka lëvizur nga Rumania për t’u fshehur diku tjetër.

A.P ka qenë shofer në makinën e grabitjes spektakolare që ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, në 30 qershor të 2016-s.

Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën edhe të shërbimeve partnere të inteligjencës për arrestimin e tyre.

Drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj i pyetur sot në lidhje grabitjen në aeroport ka konfirmuar se hetimet janë në rrugë të mbarë.

Zbulimi i autorit të parë është bërë pas gjurmëve që janë gjetur në një paruke në vendin ku u dogj makina e e grabitjes në aeroport.

Tre personat morën rreth 1 milion euro, pasi u futën në brendësi të aeroportit ndërkombëtar pa u shqetësuar nga askush, ndërkohë që kompania e cila merrej me sigurinë ICTS, nuk bëri asgjë për të ndaluar makinën që të futej në pistën e avionëve.

Ky grup kriminal sipas hetimeve rezulton se ka kryer një sërë grabitjesh me armë e dhunë ndërsa objektivi i tyre kryesorë kanë qenë gjithmonë bankat dhe kompanitë e transportit të vlerave monetare.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...