Ëndrrat dhe makthet

21 Janar 2017 - 23:45      

Edhe pse ëndrrat ndoshta nuk i mbani mend gjithmonë, të gjithë ne ëndërrojmë. Ndonjëherë emocionet në ëndrra mund të jenë aq të fuqishme saqë të mos e dimë a ka qenë ëndërr apo zhgjëndërr. Çfarë ndodh në trurin tonë kur flemë?

Aktiviteti i trurit derisa flemë ndahet në pesë faza. Faza e parë zgjat vetëm 1 deri 7 minuta – flemë, por ende shumë lehtë mund të zgjohemi. Kur jemi në fazën e dytë, flemë më fortë dhe është më vështirë që të na zgjojnë, madje 50 për qind të gjumit tonë gjatë tërë jetës e kalojmë në fazën e dytë. Pastaj pasojnë faza e tretë dhe e katërt, kur kemi gjumin më të fortë, kur zvogëlohen rrahjet e zemrës dhe temperatura e trupit. Gjatë kësaj faze somnambulët bëhen aktivë.

Faza e fundit është faza e njohur REM (rapid eye movement – lëvizja rapide e syve). Zakonisht kalojmë nëpër 3 deri 5 periudha REM gjatë fjetjes, ndërsa përsëriten çdo një apo dy orë. Gjatë fazës REM, grupi i muskujve kryesorë në trupin tonë paralizohet komplet, përveç muskujve më të vegjël si të gishtave apo të fytyrës, transmeton Koha.net. Muskujt kryesorë duhet të jenë të paralizuar që të mos bëjmë lëvizje të rrezikshme derisa flemë. Kohëzgjatja e fazës REM varet nga sasia e gjumit. Nëse zgjoheni gjatë fazës REM, do t’ju kujtohen ëndrrat tuaja. Kjo është përgjigje në pyetjen pse ndonjëherë na kujtohen ëndrrat tona.

Edhe pse shkenca ka mësuar shumë për funksionimin e trurit tonë gjatë gjumit, ende dimë shumë pak për këtë. Disa shkencëtarë besojnë që me ndihmën e ëndrrave, trupi ynë bën seleksionimin e kujtimeve që dëshirojmë t’i ruajmë dhe atyre që nuk dëshirojmë t’i kujtojmë, respektivisht që dëshirojmë t’i fshehim apo fshijmë. Ka edhe të tjerë që mendojnë që ëndrrat janë përpjekje e nënvetëdijshme për zgjidhjen e problemeve, për të cilat ai që fle ndoshta as që është i vetëdijshëm.

Pse ndonjëherë kemi makthe gjatë natës?
Zgjidhja e problemeve nuk është ajo që shumica prej nesh i ndërlidh me makthet e natës, por disa besojnë që makthet janë sinjale për gjërat që i bëjmë gabim, shenjë që duhet të ndryshojmë diçka. Edhe pse ëndrrat mund të jenë intensive dhe shpesh të shoqëruara me ndjenjën e ankthit dhe shqetësimit, makthet lindin kur, për shkak të intensitetit të emocioneve, zgjohemi.

Makthet mund të përsëriten shpesh. Alkoolistët, narkomanët apo njerëzit që kanë përjetuar traumë kanë probabilitet më të madh për të përjetuar makthe.

Nuk është e rekomandueshme të hani vakte të mëdha para gjumit, sepse trupi, si dhe sistemi tretës nuk mund të relaksohet tërësisht. Le të jetë dhoma juaj e gjumit vend i rehatshëm dhe i qetë.

Disa njerëz vuajnë nga ndjenja ekstreme e frikës derisa janë në gjumë. Për dallim nga makthet, kjo frikë është vështirë të shpjegohet. Ata rrallë kujtohen se çka kanë ëndërruar, përveçqë kanë përjetuar ndjenjë ekstreme të frikës. Disa madje vuajnë nga halucinacionet menjëherë pas gjumit, gjë që mund të nxisë dhunë apo ikje, dhe e gjitha kjo është pasojë e ndjenjës ekstreme të frikës gjatë gjumit.

Njerëzit me mijëra vjet tentojnë të interpretojnë kuptimin e ëndrrave. Interpretimi i ëndrrave mund të jetë argëtues. Ka shumë burime tek të cilat mund të gjeni përgjigje për ëndrrat. Dëshmitë shkencore ende nuk e kanë vërtetuar tezën që ëndrrat tregojnë diçka, por po ashtu ende nuk kanë dëshmuar që nuk tregojnë asgjë.

Nëse të paktën një herë keni pasur ankth gjatë natës, mos u shqetësoni. Të gjithë herë pas here kanë makthe. Makthi është një ëndërr e keqe, nxit ndjenjën e frikës, ankthit dhe shqetësimit. Në fund të fundit, makthet janë vetëm ëndrra dhe nuk mund t’ju bëjnë keq.

Makthet mund të jenë mënyrë e lehtësimit të stresit të mbledhur gjatë ditës. Ndonjëherë ndryshimet e mëdha si shpërngulja, sëmundjet apo vdekja e personit të dashur, mund të nxisin stresin i cili çon deri te makthet. Po ashtu , shikimi i filmave të frikshëm dhe leximi i librave të frikshme mund të shkaktojë makthe.

Gjetja e burimit të maktheve është mënyra më e mirë për t’i hequr qafe. Sikurse edhe ëndrrat e zakonshme, makthet janë mënyra jonë për t’u përballur me stresin derisa flemë, përcjell Koha.net. Si të tilla, nuk duhen të shërohen. Makthet janë njëlloj të rëndësishme si edhe ëndrrat e zakonshme, prandaj edhe duhen të trajtohen ashtu.

Nëse shpesh keni makthe dhe dëshironi t’i hiqni qafe, kini kujdes në shkaqet e mundshme:

Ankthi dhe stresi
Shpesh paraqiten si rezultat i ndonjë ngjarjeje traumatike, operacionit apo sëmundjes, humbjes së personit të dashur, vuajtjes, si pasojë e të qenit dëshmitar të ndonjë sulmi apo fatkeqësie, kur jeni të mbingarkuar me punë, problemeve financiare, divorcit dhe ndodhive të ngjashme.

Ushqimi me shumë mëlmesa
Nuk është mirë të hani shujta të mëdha para së të bini në gjumë, por as ushqim me shumë mëlmesa, sepse trupi nuk mundet të relaksohet tërësisht për shkak të punës së sistemit tretës.

Alkooli
Alkooli do t’ju ndihmojë të flini në një afat të shkurtër, por mund të shkaktojë zgjim të parakohshëm dhe makthe.

Ilaçet
Antridepresivët, barbituratet dhe narkotikët mund të shkaktojnë makthe.

Sëmundjet
Ethet, gripi si dhe sëmundjet tjera të ndryshme më së shpeshti shkaktojnë makthe.

Makthet nuk janë problem i madh, por nëse janë të shpeshta shkoni te mjeku për të vlerësuar nëse keni nevojë për ndihmë apo jo. Makthet më së shpeshti janë pasojë e stresit dhe ankthit dhe prandaj është e rëndësishme që nëse makthet janë të shpeshta të shkoni te mjeku, sepse stresi kronik mund të ketë pasoja negative në shëndet.

© KOHA

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...