21 Janar 2017 - 10:05
Kanella është një nga mëlmesat më të vjetra të njohura, e cila e ka origjinën nga Lindja, ndërsa të dhënat e para për kanellën datojnë në Egjipt qysh 2000 vjet para Krishtit. Ato shënime përmendin veçoritë e saj shëruese dhe aromatike. Krijohet me tharjen e lëvores së pemës së kanellës. Shija karakteristike dhe aroma e kanellës vijnë nga vajrat eterike të kores, përbërësi kryesor i së cilës është cinamaldehidi. Kanella që në historinë e lashtë përdorej si ilaç, madje dhe më shumë sesa mëlmesë, transmeton koha.net.
Edhe pse ekzistojnë katër lloje të kanellës, më të njohurat janë kanella e Cejlonit dhe cassia apo pluhur. Kanella e Cejlonit është në formë shkopi dhe shpesh quhet kanellë e vërtetë. Ka aromë të ëmbël dhe më së shpeshti përdoret si mëlmesë në reçel, pije dhe gjellë të ëmbla. Kanella cassia vjen në formë të bluar apo pluhur dhe ka shije pak më intensive dhe pikante, ndërsa më së shpeshti përdoret për salcat dhe gjellët e veçanta.
Kanella është në dispozicion gjatë tërë vitit, ndërsa kanella më e mirë aktualisht prodhohet në Sri-Lankë. Ka kore të hollë dhe të lëmuar me ngjyrë të verdhë kafeje dhe aromë shumë të këndshme. Përveç veçorive të mëlmesës, të cilat i dimë të gjithë, kanella fsheh edhe shumë dobi shëruese.
Përparësitë për shëndet
Në mjekësinë e lashtë tradicionale, kanella është përdorur për ftohje, fryrje, vjellje, diarre.
Është e shkëlqyeshme për përmirësimin e energjisë, vitalitetit dhe qarkullimit, veçanërisht tek njerëzit që ndiejnë nxehtësi në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa i kanë këmbët të ftohta.
Në disa vende, përdoret si ilaç për diabet, çrregullime të tretjes dhe ftohje, ndërsa shpesh u rekomandohet personave me karakter të dobët, indiferent, shumë të ngadalshëm, si dhe personave që janë të prirë ndaj trashjes.
Kanella ka veçori antibakteriale, antifungale dhe antiparazite, të cilat janë të shkëlqyeshme për luftën kundër infeksioneve vagjinale, infeksioneve të zgavrës së gojës, infeksioneve të veshit dhe ulcerave të stomakut.
Ushqimi i yndyrshëm, i fërguar dhe i përpunuar shkakton inflamacionin e indeve dhe të organeve, të cilat janë të lidhura me sëmundjet më vdekjeprurëse të kohës sonë – sëmundjet e zemrës. Veçoritë antiinflamatore të kanellës mbrojnë nga sulmi në zemër dhe tru, si dhe tek sëmundjet e ndryshme të zemrës dhe kardiovaskulare.
Kanella mund t’i ndihmojë njerëzit që vuajnë nga diabeti i tipit 2. Kanella kontrollon nivelin e sheqerit në gjak, në mënyrë të konsiderueshme mund të reduktojë nivelin e kolesterinë së keqe, kolesterinës së përgjithshme dhe acideve yndyrore në gjak, përkatësisht triglicerideve. Një hulumtim ka treguar se si efekti shërues i kanellës zgjat madje deri në 20 ditë pas konsumimit.
Kanella është burim i shkëlqyer i manganit, fibrave dietale, hekurit dhe kalciumit. Kombinimi i kalciumit dhe i fibrave mund të ndihmojë te largimi i vrerit, çka do të parandalojë dëmtimin e qelizave të zorrës së trashë dhe krijimin e kancerit të zorrës së trashë.
Kanella redukton dhimbjen e shkaktuar nga artriti dhe parandalon përhapjen e qelizave të kancerit.
Kanella është konservuese natyrale, çka është e shkëlqyeshme për të gjithë njerëzit që përgatisin ushqimin për dimër.
Është dëshmuar që kanella lehtëson dhimbjet menstruale dhe parandalon sterilitetin. Kanella te femrat rrit nivelin e progjesteroneve dhe redukton prodhimin e testosteroneve, çka e bën ilaç të shkëlqyer për rregullimin e hormoneve.
Kanella është treguar premtuese te sëmundje të ndryshme neurodegjenerative, duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit, Parkinsonit, sklerozën e shumëfishtë, tumoret në tru dhe meningjitin. Disa hulumtime kanë treguar që kanella redukton inflamacionet kronike të cila janë të lidhura me çrregullimet neurologjike.
Nëse as këto përparësi nuk janë të mjaftueshme për ju, mjekët tani janë duke kryer hulumtime të cilat duhen të dëshmojnë efektin çudibërës të kanellës në kujtesë dhe kryerjen e detyrave të caktuara.
Si ta zgjidhni kanellën?
Nuk mund ta zgjidhni kanellën e duhur nëse nuk i kuptoni dallimet në llojet e saj. Ka dy lloje themelore të kanellës, e këto janë kanella e Cejlonit dhe kanella cassia apo pluhur. Kanella cassia është më e ëmbël, vjen në formë pluhuri dhe shumica e njerëzve më parë përcaktohen për të. E vetmja e metë është që është vështirë të gjendet në treg, por që ka të gjitha veçoritë shëruese. Shanse më të mëdha keni nëse kërkoni kanellën e Cejlonit e cila vjen në formë të shkopit. Më së miri do të ishte që kanellën ta kërkoni në dyqanet e ushqimit organik për të qenë të sigurt që do të merrni kanellën e cila i ka në vete të gjitha veçoritë shëruese.
Në dyqan, nëse ka mundësi, gjithsesi merrini erë kanellës, për të qenë të sigurt që është e freskët. Kanella e freskët duhet të ketë aromë të ëmbël dhe të pasur.
Kanella në formë të shkopit mund të zgjasë tërë vitin, ndërsa ajo e bluara mund të qëndrojë deri 6 muaj. Prandaj zgjidhni formën që do ta ruani më lehtë. E rëndësishme është që shkopinjtë t’i ruani në një kavanoz të mbyllur të cilin duhet ta mbani në vend të ftohtë dhe të errët. Kanella në pluhur me siguri do ta ketë ambalazhin e vet kur e blini. E rëndësishme është që kanellën në pluhur ta mbyllni mirë pas çdo përdorimi. Të dy format e kanellës mund t’i ruani në frigorifer, por herë pas here merrni erë që të jeni të sigurt që është ende e freskët.
Bëni kujdes që të mos konsumoni sasi të mëdha të kanellës çdo ditë sepse mund të ketë efekt të kundër nëse merret në doza të mëdha. Po ashtu, mos i ndërpritni ilaçet që ua ka përshkruar mjeku për shkak të veçorive shëruese të kanellës, dhe gjithsesi këshillohuni me mjekun rreth dozës së rekomanduar të kanellës. Mos filloni me konsumimin e ushqimit të yndyrshëm dhe kalorik vetëm pse kanella mund të parandalojë efektin e tyre negativ në organizëm.
Mos u brengosni për shkak të reagimeve alergjike, sepse ende nuk janë shënuar reaksione alergjike në kanellë. Shijojeni kanellën herë pas here dhe në sasi të vogla. Ajo do të pasurojë shijen e ushqimit tuaj dhe do t’ju ofrojë një varg përfitimesh shëndetësore, madje edhe më shumë se sa keni menduar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...