HIV/AIDS një markë e pakujdesisë

1 Dhjetor 2016 - 12:49      

Hiv/Aids konsiderohet si njëra ndër sëmundjet më vdekjeprurëse në botë, sot në botë konsiderohen miliona të infektuar dhe miliona të tjerë të shuar.

Sot më shumë se kurrë kërkohet kujdes nga sjelljet e rrezikshme seksuale dhe të natyrave të tjera. Fatkeqësisht shumë njerëz sot vdesin dhe infektojnë të tjerët pa ditur se kanë këtë sëmundje,e qindra mijëra të tjerë stigmatizohen nga shoqëria .

Epidemia e HIV/AIDS përbën sot një krizë globale dhe është pjesë e njërës prej sfidave më të vështira për zhvillimin dhe progresin social. Në vendet më të prekur epidemia po gërryen arritjet e zhvillimit ndër dekada, duke minuar ekonomitë, kërcënuar sigurinë dhe destabilizuar shoqëritë. Përveç dhimbjeve që po ju jep individëve dhe familjeve të tyre, epidemia po prek thellësisht strukturën sociale dhe ekonomike të shoqërisë. HIV/AIDS është kërcënimi kryesor ndaj botës së punës: ai po prek segmentin më produktiv të fuqisë punëtore dhe po pakëson të ardhurat, duke vendosur kosto marramendëse në ndërmarrjet e të gjithë sektorëve nëpërmjet zvogëlimit të rendimentit, rritjes së kostos së punës dhe humbjes së dijeve dhe eksperiencës.

Në vazhdim, HIV/AIDS po prek të drejtat themelore në punë, veçanërisht lidhur me diskriminimin dhe stigmatizimin e punëtorëve dhe njerëzve që janë prekur nga HIV/AIDS. Epidemia dhe pasojat e saj godasin në mënyrën më të fortë grupet e dobëta, vulnerabile, duke përfshirë gratë e fëmijët, duke rritur në këtë mënyrë pabarazitë ekzistuese gjinore dhe duke rënduar problemin e punës së fëmijëve.
Historiku i HIV/AIDS-it.

Nëse i referohemi origjinës se HIV/AIDS-it ne fakt nuk dihet saktë. Dihet se është izoluar nga mostra e indit qysh në vitin 1959. HIV mund të ketë qenë gjatë në mesin tonë por tek në vitet e 80-ta është përdorur një emër për identifikimin e tij. Disa thonë se ka ardhur nga majmunët e Afrikës meqë tek ta është gjetur në virus i ngjashëm por që infekton vetëm majmunët. Të tjerët thonë se në vitet 1980 homoseksualët kanë pasur një lloj të pneumonisë (sëmundjes së mushkërive) e cila nuk shërohej me asnjë ilaç. Kjo nuk do të thotë se HIV ka ardhur nga këta meshkuj por se së pari është zbuluar në mesin e tyre. Disa të tjerë thonë se gjatë eksperimentimit me një virus të infektimit me transmetim seksual është zbuluar variant i ndryshuar i këtij virusi, i quajtur HIV.
Atëherë kur shoqëria jonë, në vitet 70-80 gëzonte sukseset e arritura kundër sëmundjeve infektive një lajm i ri tronditi botën. Në horizont po përvijohej një sëmundje e re, vdekjeprurëse ndaj së cilës njeriu ishte i pafuqishëm. Vitet 80-të që shënonin rritjen në mënyrë marramendëse të numrit të rasteve dhe vendeve ku ajo zbulohej por gjithashtu shënojnë edhe périudhën intensive të studimit të saj për të dhënë një kuadër të saktë të kësaj sëmundjeje. Midis studiuesve të tjerë një vend me rëndësi zënë edhe dy shkencëtarët Luk Montanje dhe Robert Gallo.

Kjo sëmundje e re filloi të tërhiqte vëmendjen vetëm atëherë kur studiues të tillë si Majkell Gotlib, Frederik Siegal, Henri Man etj. filluan të vënë re se në fundin e viteve 70 u shtuan rastet me Sarkomen e Kaposit (Sarkoma e Kaopsit – është një neoplazi e lëkurës që shoqëron HIV/AIDS-in që shfaqet me lezione në lëkurë. faqe 172 - “Sëmundjet Infektive”- Prof.Ass Shemsedin Dreshaj), filluan të vërehen raste me pneumoni të shkaktuar në pnuemocystis carini. Në vitin 1981, raste të infeksionit të trurit, të traktit tretës, lëkurës me shkaktarë të ndryshëm por që ishin karakteristike për njerëz me mbrojtje imunitare të cenuar filluan të takoheshin shpesh. Këto fakte u vlerësuan sepse sarkoma Kaposi, ky tumor i enëve të gjakut, filloi të takohej në grupe njerëzish, ku nuk ishte karakteristike, gjithashtu ajo lidhej në të gjitha rastet me një dobësim të mbrojtjes imunitare. Pneumocystis carini nuk shkakton kurrë sëmundje tek njerëzit me sistem imunitar normal. U pa se shumica bënin një jetë të shthurur seksuale, ishin tokxikomane që bënin injeksione në venë, dhe nga ata që kishin bërë transfuzion gjaku.

Duke parë këto të dhëna shkencëtarët dhe mjekët arritën në përfundimin se kishin të bënin me një sëmundje në bazë të së cilës ishte dëmtimi i sistemit imunitar, i cili krijonte kushte të favorëshme për zhvillimin e sëmundjeve të tjera. Dëmtime të tilla të sistemit imunitar vëreheshin tek ata të sëmurë që merrnin barna për uljen e forcave imunitare, në disa sëmundje të tjera të rënda si leukemia, në Sindromin e Pamjaftueshmërisë Imunitare të Lindur, ku disa fëmijë të porsalindur nuk përballojnë dot as infeksionet më të thjeshta për shkak të këtij dëmtimi. Por kjo sëmundje e re nuk lidhej me asnjë nga këto raste. Në fund të viti 1982 faktet epidemiologjike treguan se kjo sëmundje e re ishte me natyrë infektive dhe mori emrin "Sindromi i Pamjaftueshmërisë Imunitare te Fituar" (SIDA- frëngjisht, AIDS- anglisht.).

Çfarë natyre duhet të kishte shkaktari i cili pasi sulmonte limfocitet T4, (një nga qelizat më të rendesishme të sistemit imunitar) e shkatërronte atë duke e lënë organizmin në mëshirën e infeksioneve? Me zbulimin e shkaktarit të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse lidhet puna e grupeve kërkimore të drejtuara nga Luk Montanje (Instituti Pastër) dhe Robert Gallo (Instituti Amerikan Nacional i Kancerit). Të dy këto grupe në mënyrë të pavarur nga njeri tjetri zbuluan virusin e AIDS-s.

Shqetësimet sociale dhe gjendja e sotme e HIV/AIDS
Është e qartë se HIV/AIDS është sfida më e madhe e njerëzimit. Shifrat e dhëna për këtë sëmundje janë rrëqethëse. Në bazë të dhënave të OBSH në fund të vitit 2000, 36,1 milionë njerëz të mëdhenj dhe të vegjël jetonin me virusin HIV. AIDS solli 25 milion të vdekur në dy dekadat e fundit dhe 3 milion të vdekur vetëm ne vitin 2002. Vlerësohet se 45 milion njerëz në të gjithë botën do të infektohen ne dekadën e ardhshme. 44 milion fëmijë do të humbin një nga dy prindërit ose të dy në këto 10 vjet.

Në mesin tonë ka shumë njerëz të infektuar me këtë virus?
Shumë prej tyre ishin të pafat, sepse nuk kishin njohuri për këtë sëmundje vdekjeprurëse. Megjithëse ata jetojnë midis nesh, në thelb janë të vetëm, dhe ashtu të vetëm përballojnë jetën dhe vdekjen. Atyre u kemi një borxh. Për shkak të tyre ne njohim sot këtë sëmundje, për shkak të tyre ne jemi mobilizuar për tu ruajtur nga AIDS ndaj edhe mund të mbrojmë ata që duam. Prandaj duhet t’i mbështesim, t’i ndihmojmë ata në luftën e tyre të përditshme, dhe t’i shpëtojmë nga vetmia. Të gjithë duam të jetojmë në një botë pa paragjykime dhe ndarje për shkak të AIDS.
Çfarë është HIV dhe çfarë është AIDS?

HIV (shkurtim i H-uman I-mmunodeficiency V-irus) është virusi i cili dëmton sistemin mbrojtës të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur prej infeksioneve dhe prej disa lloje kacereve. Stadi më i avancuar i infeksionit HIV është sëmundja AIDS.
HIV është një virus i cili sulmon sistemin imunitar,sistemin natyral të mbrojtjes së trupit. Pa një sistem te fort imuniteti trupi gjen vështirësi ne luftimin e sëmundjeve të ndryshme. Ky virus dhe ky infeksion i krijuar quhet ndryshe HIV.

Rruazat e bardha te gjakut janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar. HIV pushton dhe shkatërron qelizat e caktuara të bardha të gjakut te quajtura qelizat CD4 +. Nëse shumë nga këto qeliza shkatërrohen, trupi nuk mund të mbrojë veten kundër infeksionit.

Faza e fundit e infeksionit HIV është SIDA (sindromi i fituar i mungesës së imunitetit). Njerëzit me AIDS kanë një numër të ulët të qelizave CD4 + dhe marrin infeksionet ose kancer me shpejt sesa personat e shendetshem. Këto mund të jenë vdekjeprurëse.

Por te kesh HIV nuk do te thote te kesh AIDS. Edhe pa trajtim, HIV i duhet një kohe e gjate para se te kaloj ne AIDS-zakonisht nga 10 deri ne 12 vjet. Nese HIV diagnostikohet përpara se te kaloj ne AIDS,ilaçet mund te ulin ose te ndalojnë dëmtimin e sistemit imunitar. Me trajtim, shumë njerëz me HIV janë në gjendje të jetojnë një jetë te gjatë dhe aktive.
Rrugët e transmetimit te HIV-it

Infektimi me virusin HIV ndodh kur lëngjet e një personi të infektuar transmetohen tek një person tjetër nëpërmjet: gjakut, spermës, lëngjeve vagjinale apo qumështit të gjirit. Transmetimi i infeksionit HIV bëhet me rrugë seksuale, nëpërmjet gjakut si dhe nga nëna tek fëmija.
Transmetimi seksual (heteroseksual, homoseksual, biseksual) është rruga kryesore e marrjes së këtij infeksioni. Kryerja e marrëdhënieve seksuale pa prezervativ është faktor i madh rrisku për transmetimin e këtij virusi. Pasoja e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm e rrit shumë rrezikun e transmetimit nëpërmjet kësaj rruge.

Transmetimi nëpërmjet gjakut të infektuar (rruga parenterale)-marrja e gjakut të infektuar dhe nënprodukteve të tij, përbën një mundësi të madhe për transmetimin e këtij infeksioni. Shkëmbimi i shiringave, manipulimi me instrumente të ndotura është një rrugë e rëndësishme për transmetimin e infeksionit. Instrumentet që shërbejnë për shpimin e lëkurës (akupunktura, tatuazhet, shpimi i veshëve, etj), instrumentet e përdorimit vetiak (makinat e rrojës, furçat e dhëmbëve, etj) dhe instrumentet mjekësore të pa sterilizuara janë burim i transmetimit të HIV nëpërmjet kësaj rruge.
Transmetimi vertikal - nga nëna e infektuar tek fëmija- mund të ndodhë para, gjatë dhe pas lindjes. Sot, fillimi i shpejtë i mjekimit me preparate antiretrovirale, lindjet me operacion, mos ushqyerja e fëmijës me gji prej nënës së infektuar, e kanë minimizuar këtë mundësi infektimi. Virusi HIV nuk transmetohet gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të: dushit, vaskës, WC,peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës, etj. Po ashtu nga e puthura (jo e thellë), përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja, kollitja nuk rezulton të merret infeksioni HIV. Infeksioni nuk transmetohet përmes; ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit të kafshëve.
Cilat janë simptomat?


-Ethe.
-Dhimbje fyti.
-Dhimbje koke.
-Dhimbje të muskujve dhe dhembje të përbashkët.
-Gjëndra të fryra (ënjtur nyjat limfatike).
Simptomat mund të paraqiten nga disa ditë për disa javë pas një person është i infektuar me parë. Simptomat e hershme zakonisht zhduken brenda 2 deri në 3 javë.
Pasi simptomat e hershme largohen, një personi te infektuar nuk i shfaqen me këto simptoma për shume vjet. Mjekimet mbajnë virusin nën kontroll dhe ndihmoj sistemin imunitar të qëndrojë i shëndeteshëm. Por pa trajtim,virusi vazhdon e përhapet dhe sulmon sistemin imunitar. Pas një pike të caktuar simptomat rishfaqen dhe mbeten. Këto simptoma zakonisht përfshijnë:

- Nyjat limfatike te fryra
- Lodhje ekstreme.
- Humbje peshe
- Ethe.
- Djersitje natën.
Çka është AIDS?


AIDS (shkurtim i A-cquired I-mmune D-eficiency S-yndrome) i referohet një sërë shenjash, infeksionesh dhe disa kancere që shkaktohen në organizëm prej dëmtimit të sistemit imunitar nga virusi HIV. Një person i cili është infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk do të thotë që është doemos i sëmurë me AIDS. Mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë me AIDS. Pra, HIV nuk është sinonim i AIDS. Historia e infeksionit nga HIV mendohet të ketë filluar vite më parë, por vetëm në maj 1984, Robert Gallo në SHBA, izoloi virusin HIV e ky vit shënon fillimin e epidemisë së HIV/AIDS-it.
Cilat janë shenjat ?


Është e pamundur të llogaritet koha e saktë nga momenti i infektimit deri në zhvillimin e sëmundjes AIDS e shfaqjen e shenjave. Kjo kohë është e ndryshme për individë të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale e psikologjike.
Përgjithësisht kjo periudhë është 2 deri në 15 vjet. Me futjen e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe mbijetesa e të sëmurëve. Infeksioni HIV/AIDS kalon nëpër disa faza: Infeksioni fillestar, periudha dritare, faza asimptomatike, faza simptomatike dhe stadi AIDS.
Infeksioni fillestar - me hyrjen në organizmin e njeriut e virusit HIV sasia e tij në gjak fillon të rritet me shpejtësi. Megjithatë një pjesë e tyre mund të ankojë për shenja të ngjashme me ato të gripit si: temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskulare, dhimbje të kyçeve, djersë natën, neveri, të vjella, si dhe diarre apo zmadhim të gjëndrave.
Periudha dritare - mbasi një person është infektuar, sistemi imunitar i tij futet në veprim duke prodhuar antitrupat për të luftuar virusin. Periudha nga momenti i infektimit me virusin HIV deri në shfaqjen e këtyre antitrupave në gjak, quhet “periudha dritare”. Nëse një person i infektuar me HIV bën testin e thjeshtë gjatë kësaj periudhe ai do të rezultojë negativ, mbasi antitrupat nuk janë akoma të kapshëm. Në këtë periudhë ky person mund të infektojë të tjerët pa e ditur as vetë.
Periudha asimptomatike - Më pas fillon një periudhë pa shenja që mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vite. Gjatë kësaj periudhe personat e infektuar ndihen mirë, bëjnë një jetë normale dhe duken të shëndetshëm, por ata janë infektues për të tjerët.
Periudha simptomatike - Mbas një periudhe me një shëndet relativisht të mirë fillojnë të shfaqen simptoma të lehta që tregojnë që sistemi imunitar ka filluar të dëmtohet. Shenjat përfshijnë: temperaturë, djersë natën, humbje në peshë, kruarje, herpes, infeksione mykotike, etj. Në këtë periudhe personat HIV pozitiv fillojnë të preken nga infeksionet oportuniste të cilat shkaktohen nga organizma që në persona të shëndetshëm nuk mund të shkaktojnë sëmundje dhe që përbëjnë një kërcënim të madh për jetën.
Stadi AIDS - Dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, bën të ç’organizohet i tërë sistemi imunitar i tij. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportuniste apo të kontrollojë shfaqjen e disa tumoreve, duke u shfaqur kështu AIDS. Shenjat më të shpeshta të kësaj faze janë: humbje e madhe në peshë, dobësi, këputje, diarre e vazhdueshme që zgjat më tepër se një muaj dhe që nuk dominohet nga mjekimi, myk i shprehur, herpes, temperaturë e vazhdueshme, djersitje natën si dhe shenja sipas infeksioneve të ndryshme oportuniste.
Si bëhet parandalimi i HIV-it?


Parandalimi i përhapjes përmes rrugës seksuale - Masa më e sigurt do të ishte mos kryerja e kontakteve seksuale penetruese me partnerë të rastësishëm e të shumtë si dhe më e rëndësishmjapërdorimi i prezervativit. Kjo njihet si ABC-ja e parandalimit.
Parandalimi i përhapje përmes rrugës së gjakut (parenterale) - Mospërdorimi i drogave me injektim, mos shkëmbimi i ageve e shiringave. Përpara se të procedohet me instrumentw gjatë manipulimeve të ndryshme duhet bërë tepër kujdes që ato të jenë të sterilizuara.
Parandalimi i transmetimit vertikal – është e këshillueshme që çifti përpara se të marrë vendimin për të pasur një fëmijë duhet të testohet nëse kanë pasur sjellje risku. Nëse gruaja shtatzënë rezulton pozitiv për HIV, rekomandohet ndërprerja e shtatzënisë. Por është e drejta e çiftit të vendosi për të pasur fëmijë apo jo. Në rast se çifti vendos ta mbajë fëmijën, rekomandohet fillimi i terapisë antiretrovirale dhe planifikohet lindja cezariane. Pas lindjes rekomandohet që fëmija të mos ushqehet me qumësht gjiri nga nëna e infektuar.
Tek kush qëndron rrezikshmëria më madhe e infektimit me HIV/AIDS?
Të rinjtë


Shqipëria duke pasur popullsinë më të re në Europë mbart rrezikun e përhapjes së infeksionit HIV, në mënyrë të veçantë në prani të shumë faktorëve sociale, ekonomike dhe kulturore të cilët i bëjnë të rinjtë predispozuar ndaj HIV/AIDS. Ndër këta faktorë mund të përmendim: mungesa e aksesit ndaj një informacioni të mjaftueshëm, mungesa e një edukimi seksual të përshtatshëm duke përfshire njohuritë shëndetësore në lidhje me seksin, mungesa e shërbimeve të ndryshme për të rinjtë veçanërisht në zonat rurale.

Gratë dhe problemet e lidhura me gjirin

Gratë janë veçanërisht vulnerable ndaj infeksionit HIV për shkak të arsyeve biologjike, social-kulturore dhe ekonomike. Sipas një studimi të UNDP te vitit 2001, Shqipëria paraqiste indeksin më të ulët të zhvillimit të lidhur me gjininë midis vendeve të Europës Lindore. Gratë shqiptare paraqesin një nivel të ulët të pjesmarrjes në proceset vendim-marrëse. Gjatë viteve të tranzicionit, fenomeni i dhunës në familje është përkeqësuar, kjo sidomos ne zonat rurale. Ky problem karakterizohet nga “heshtja”, mbetet brenda mureve të shtëpisë dhe rrallë denoncohet. Pjesa më e madhe e grave punojnë në bujqësi dhe sektorin publik, sektorë të karakterizuar nga rroga dhe prestigj i ulët (UN/ACER, 2002).
Punonjëset Komerciale të seksit

Në Shqipëri puna e seksit është e ndaluar me ligj. Për personat që praktikojnë punën e seksit Kodi Penal parashikon dënime që luhaten nga një gjobë e thjeshtë deri në tre vjet burg. Para viteve 90 ky ligj zbatohej në mënyrë rigoroze dhe mund të thuhet se puna e seksit pothuajse nuk ekzistonte gjatë kësaj periudhe. Pas viteve 90 ndodhen në sërë ndryshimesh .Ndryshime të mprehta social-ekonomike pasuan kolapsin e regjimit komunist. Një numër i madh familjesh mbeten pa mjetet e domosdoshme ekonomike ( në disa raste të përballura me varfëri ekstreme). Shtresa më e prekur ishte popullsia që jetonte në zonat rurale, familjet që migruan nga zonat rurale drejt atyre urbanë dhe disa minoritete etnike (popullata Rome dhe komunitetit Egjipt) .


Përdoruesit e drogave të injektuara


Përdoruesit e drogave të injektuara duket të jenë një grup me risk, çka i bënë ata një kategori me përparësi. Fenomeni i përdorimit të drogës është rritur dukshëm gjatë viteve të tranzicionit. Numri i përdoruesve të drogës po rritet veçanërisht midis të rinjve, të cilët në shumicën e rasteve vijnë nga familje më të ardhura të pakta ekonomike. Gjithashtu vihet re një rritje e përdorimit të drogës midis të rinjve nga komuniteti Rom.
Popullata Rome


Niveli i ulët i njohurive dhe i perceptimit të rrezikut ndaj HIV/AIDS është i shpeshtë në popullatën Rome. Kjo lidhet me përqindjen e lartë të braktisjes së shkollës nga fëmijët dhe të rinjtë Romë, si dhe me shkaqet që hasen dhe në grupet e tjera të popullatës. Niveli i ulët i sjelljeve seksuale të sigurta lidhet me mungesën e njohurive dhe informacionit. Burimet kryesore të informacionit për HIV/AIDS/in, ashtu si dhe në grupet e tjera me rrezik, mbeten media dhe bashkëmoshatarët, ndërsa shkolla dhe familja konsiderohen si burime më pak të rëndësishme.
Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj


Pak njihet rreth seksit midis meshkujve, përfshi praktikat seksuale . Ndonëse i stigmatizuar një komunitet homoseksual ekziston në Shqipëri e Kosovë, i cili po bënë përpjekje për tu organizuar. Sjelljet e rrezikshme të këtij grupi reflektohen në numrin e rasteve me HIV/AIDS, ku rreth 25% e meshkujve të infektuar me HIV janë homo ose biseksuale. Të dhënat e pakta që ekzistojnë si dhe ato anektodike flasin për një nivel të ulët të përdorimit të kondomit midis meshkujve që kryejnë seks me meshkuj.


Të burgosurit
Shërbimi shëndetësor në burgje në Shqipëri e Kosovë paraqitet i konsoliduar përmes shërbimit mjekësor të ofruar nga mjekë, infermiere dhe dentiste si dhe spitalit të burgjeve. Paralelisht me këtë shërbim mjekësor, ofrohet edhe shërbim edukativ përmes punës individuale dhe në grup të ofruar nga sociologe dhe mësues.
Popullata e lëvizshme


Të qenit i lëvizshëm nuk përben në vetvete një faktor rreziku ndaj HIV/AIDS: janë situatat me të cilat ndeshen dhe sjelljet e rrezikshme në të cilat këta njerëz përfshihen gjatë lëvizjes ose migrimit, ato që rrisin predispozitat dhe rrezikun ndaj HIV/AIDS. Rreth 70% e rasteve të raportuara me infeksion HIV në Shqipëri rezultojnë të jenë infektuar jashtë shtetit. Shumica e tyre janë meshkuj të rinj të grup moshës 20-40 vjeç që kanë punuar apo jetuar për disa kohë ne shtete si Greqia apo Italia.


Rasti i parë me HIV/AIDS në Republikën e Kosovës


HIV/AIDS konsiderohet si njëra ndër sëmundjet infektuese më problematike në botë,ku mbi 20 milion njerëz janë të vdekur nga kjo sëmundje. Në Kosovë rasti i parë me HIV/AIDS është paraqitur në vitin 1986,vetëm 5 vjet pas paraqitjes së rastit të pare në botë. Shteti i Kosovës konsiderohet si vend me prevalencë më të ulët në Europë. Kurse në Shqipëri rasti i parë me HIV/AIDS lajmërohet në vitin 1993.
Numri i te infektuarve me HIV/AIDS në Kosovë

Pavarësisht numrit të vogël në Kosove nuk dihet saktësisht numri i saktë por sipas statistikave të fundit në qendrën e klinikes infektive në Kosovë për këto 29 vite në republikën e Kosovës janë shënuar 100 raste me të infektuar me HIV/AIDS.Në vitin 2005 është shënuar vetëm një rast duke bërë vitin me numrin më të vogël të të infektuarve dhe numri me i madhe është shënuar në vitin 2001 me 8 raste të infektuarish.Në Kosovë 46 persona janë të prekur me HIV dhe 54 me AIDS.
Në Kosovë janë disa qendra të testimit vullnetar për HIV/AIDS ato janë: në klinikën infektive,në shoqatën Labirint (merret vetëm me përdorues të drogës),ne organizatën CCGD (e cila merret vetëm me komunitetin MSM) dhe KOF (vetëm me punëtorët e seksit komercial).

Fikri Hajdari, psikolog

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...