30 Tetor 2016 - 12:37
Ëndrrat gjithnjë i kanë fascinuar njerëzit, ndërsa derisa flemë, nënvetëdija jonë punon në kapacitet të plotë.
Edhe pse të gjithë ëndërrojmë, shumicës prej nesh megjithatë shpesh nuk u kujtohen ëndrrat e tyre, transmeton Koha.net. Shumica e njerëzve mban mend vetëm një pjesë të ëndrrave të veta dhe herë pas here në mënyrë shumë intensive u kujtohet ndonjë ëndërr e cila për shkak të ndonjë gjëje të caktuar u ka lënë përshtypje të posaçme.
Ëndrra është një fenomen kompleks psikologjik, proces në të cilin shprehet “uni” ynë më i thellë, gjendja e ndryshueshme e vetëdijes në të cilën përzihen përmbajtjet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Gjatë kohës së gjumit as trupi e as truri nuk janë plotësisht joaktivë. Në mënyrë të pavetëdijshme reagojmë në stimujt e jashtëm dhe rrotullohemi në shtrat madje deri në dyzet herë, ndërsa këtë gjë pothuajse as që e regjistrojmë.
Definimi preciz i ëndrrave do të ishte se janë shprehje e mendimeve tona, ndjenjave apo vetëdijes të krijuara përmes rrethit të ndjeshëm të mendimeve tona. Përmbajtja e ëndrrave shpesh është e lidhur me ngjarjet e kohës së fundit në jetën tonë, për shembull me ato të ditës së fundit apo një dite me parë, apo me disa probleme dhe ndjenja nga jeta e përditshme.
Shumë ekspertë konsiderojnë që ëndrrat në njëfarë mënyre janë “dritare” të shpirtit, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë më mirë veten, të marrim vendime më të mira në jetë dhe më lehtë të arrijmë synimet tona. Nënvetëdija jonë, në fakt, në këtë mënyrë na përcjell mesazhet dhe dëshiron të na ndihmojë.
Nëse disa ëndrra që përsëriten në mënyrë intensive, nënvetëdija juaj dëshiron kështu t’ua tërheqë vëmendjen në atë që ndoshta në jetën reale ekziston diçka që ju mundon, por ju nuk jeni duke e vërejtur apo jeni duke e injoruar atë gjë. Nganjëherë bëhet fjalë për ndonjë obligim që ju mundon apo diçka që keni harruar apo shtypur, ndërsa nënvetëdija juaj jua kujton këtë gjë me anë të ëndrrave.
Ankthet janë ato ëndrra të mundimshme të cilave nuk u gëzohet askush – në to jemi gjithmonë të paralizuar dhe nuk kemi mundësinë të ndikojmë në rrjedhën e ngjarjeve (nuk mund të ikim, mbesim pa zë, nuk mund të bërtasim apo të themi diçka etj.). Ndonjëherë ëndrrat e këqija mund të paraqiten edhe kur jemi të sëmurë apo për shkak të reagimit ndaj ndonjë ilaçi me të cilin nuk është mësuar organizmi.
Është interesante që në ëndërr kryesisht nuk e kuptojmë që ëndërrojmë. Kjo është për shkak të asaj që pa vetëdije jemi të paaftë t’i njohim ëndrrat tona, nuk kemi mundësi të jemi të vetëdijshëm për faktin se ku jemi, pra që nuk jemi në pyllin e magjepsur, por në shtëpi, në shtratin tonë.
Edhe pse derisa ëndërrojmë trupi rri i qetë, ai pa dashje reagon në stimuj, prandaj mund të vijë deri të ndryshimi në frymëmarrje apo rrahjet e zemrës.
Ëndërrojmë në fazën REM (Rapid Eye Movement – lëvizja rapide e syve), periudhën e cila ndodh në mes fazës së parë dhe të katërt të gjumit për çdo cikël. Ai cikël gjatë natës përsëritet çdo 90 minuta, me periudha gjithnjë më të gjata të fazës REM. Prandaj, para mëngjesit apo agimit ëndërrojmë më së shumti, transmeton Koha.net. Për shembull, në fazën e parë REM gjatë natës ëndërrojmë vetëm rreth pesë deri dhjetë minuta, por në mëngjes, pak para zgjimit, ëndrra mund të zgjasë rreth 30 deri 40 minuta.
Disa pohojnë që ekziston receta për të mbajtur mend ëndrrën. Para gjumit duhet të pini gjysmë gote ujë, dhe gjysmën tjetër pasi që zgjoheni dhe t’i thoni vetes që, kur ta pini ujin, do ta kujtoni ëndrrën. Pra, provoni!
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...