Foto: Ilustrim

Si ta dalloni fëmijën hiperaktiv

17 Tetor 2016 - 13:32      

Për fëmijët është normale të vrapojnë, të kërcejnë dhe të jenë vazhdimisht në lëvizje. Mirëpo, kur kjo sjellje tipike kalon në hiperaktivitet, respektivisht në sindromën ADHD? Dhe si të veproni nëse i vëreni këto simptoma në sjelljen e fëmijës suaj?

Simptomat

Ekzistojnë tri lloje të ndryshme të sindromës ADHD: kryesisht të pavëmendshëm, kryesisht hiperaktivë-impulsivë dhe tipi i kombinuar.

Fëmijët të cilët kanë tipin e parë të kësaj sindrome janë kryesisht të pakujdesshëm, kanë shumë vështirësi të koncentrohen në detaje, janë të paorganizuar, të shkujdesur, harrestarë, i humbin gjërat dhe vazhdimisht gabojnë.

Të vegjlit të cilët janë hiperaktiv-impulsiv janë gjithmonë në lëvizje: vrapojnë, kërcejnë dhe ngjiten kudo dhe në çdo vend, janë të zhurmshëm dhe i ndërpresin të tjerët.

Natyrisht, të gjithë fëmijët shfaqin disa nga këto simptoma kohë pas kohe, mirëpo fëmijët hiperaktiv shfaqin shumicën e këtyre simptomave vazhdimisht dhe në ambiente të ndryshme, transmeton Koha.net. Ky çrregullim i sjelljes fillon para moshës shtatë vjeçare dhe me kohë dobësohet apo zbutet.

Faktorët e rrezikut
Edhe pse sindroma ADHD mund të zhvillohet tek secili fëmijë, ata të cilët kanë një histori familjare me këtë sindromë janë më të rrezikuar. Gjenet luajnë rolin kryesor në rreth 75 për qind të rasteve të fëmijëve hiperaktivë.

Gjinia është po ashtu me rëndësi, meqë djemtë e kanë këtë sindromë dy deri tri herë më shpesh, megjithëse shkencëtarët ende nuk e kanë kuptuar arsyen.

Rreziqet tjera janë ekspozimi para lindjes në tym të duhanit, oksigjeni i pamjaftueshëm gjatë kohës së lindjes, helmimi me plumb, statusi i ulët socio-ekonomik ose depresioni dhe problemet tjera shëndetësore-mentale të njërit prind.

Shkencëtarët ende nuk janë krejt të sigurt se si ndikojnë këta faktorë në tru dhe në çfarë mënyre kontribuojnë në zhvillimin e hiperaktivitetit. Por e sigurt është se pjesa ballore e trurit përgjegjëse për planifikim dhe për zgjidhjen e problemeve tek fëmijët me këtë sindromë është për 10 për qind më e vogël, ndërsa i reduktuar është edhe aktiviteti në pjesën e trurit që lidhet me vëmendjen.

Çrregullime me simptoma të ngjashme
Shumë çrregullime të tjera mund të duken si ADHD, kështu që është me rëndësi vitale që fëmija të kontrollohet dhe vlerësohet hollësisht para caktimit të diagnozës, transmeton Koha.net. Për shembull, fëmijët që janë kronikisht të pafjetur për shkak të apneas, fëmijët me dëmtime dëgjimi dhe fëmijët me probleme shikimi, po ashtu mund të shfaqin disa simptoma të ngjashme me këtë sindromë.

Nëse pediatri përjashton faktorët fizik, ekspertët rekomandojnë një vlerësim psikologjik, si hap të ardhshëm. Rreth gjysma e të gjithë fëmijëve me sindromën ADHD kanë të paktën edhe një çrregullim tjetër të sjelljes.

Si ta edukoni fëmijën hiperaktiv
Jeta me sindromën ADHD është një sfidë e përditshme për fëmijën, por edhe për më të afërmit e tij.

Disa këshilla mund të ndihmojnë në zbutjen e stresit të tërë familjes:

• Lavdërojeni për ndonjë sjellje të caktuar të cilën dëshironi që ai ta përsërisë prapë. Për shembull: “Shkëlqyeshëm i ke rregulluar lodrat e tua”. Fëmijët me këtë sindromë më pak i pranojnë shtytjet pozitive, mirëpo megjithatë ndaj tyre reagojnë më mirë se ndaj kritikave.
• Shikojeni fëmijën tuaj në sy dhe i thoni se çfarë duhet të bëjë hap pas hapi. Në këtë mënyrë do ta dini nëse ju dëgjon.
• Shpërblejeni për sjellje të mirë dhe ndëshkojeni për sjellje të keqe - menjëherë. Fëmijët hiperaktivë e humbin shpejt lidhjen mes veprimeve të tyre dhe pasojave të vonuara.
• Ofroni nxitje konkrete, sepse këta fëmijë hutohen lehtë nga tundimet përreth. Jepni një shpërblim konkret, në mënyrë që ta mbani në rrugën e duhur. Për shembull, zgjateni lojën për gjysmë ore, nëse fëmija bën atë që ju kërkoni nga ai.
• Rutina është shumë e rëndësishme për fëmijët hiperaktiv. Ata nuk mund të organizohen, kështu që nëse bota e tyre është më e parashikueshme edhe sjellja e tyre do të jetë e tillë.

© KOHA

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...