1 Tetor 2016 - 16:43
Mossuksesi është vetëm mundësi që herën tjetër të provoni në mënyrë më të mençur, ka thënë shpikësi amerikan dhe themeluesi i mbretërisë automobilistike, Henry Ford. Para se është bërë miliarder, ka bankrotuar pesë herë, transmeton Koha.net. Nga rasti i tij shihet se sa është e rëndësishme që nga çdo dështim të mësohet mësimi. Hapi i parë në mënyrë që ta përdorni gabimin është ta pranoni gabimin, dhe pastaj të mendoni se çka mund të bëni ndryshe për tu mos përsëritur.
Dështimet nuk duhet t’i merrni në mënyrë tragjike dhe shumë personale sepse ato janë pjesë e jetës dhe askush nuk mund t’iu shmanget. Kurrsesi nuk duhet të lejoni të ndikojë në vetëbesimin tuaj dhe të filloni ta konsideroni veten më pak të aftë. Në vend se t’ju dobësojë, mossuksesi mundet t’ju forcojë, t’ju bëjë më me përvojë dhe më të mençur. Po ashtu, për të arritur sukses, është shumë e rëndësishme të liroheni nga frika e mossuksesit eventual të sërishëm, sepse ajo mund të jetë pengesa më e madhe për të realizuar synimet e dëshiruara.
Për ta kapërcyer atë, më së miri është të kaloni menjëherë në veprim – së pari nga ndërmarrjet e vogla, dhe pastaj të gjuheni në gjërat më të mëdha dhe më komplekse. Meqenëse njerëzit më së shumti i frikësohen përpjekjeve të sërishme sepse paraqesin të panjohurën, është e rëndësishme që së pari ta shqyrtoni tërësisht atë, në të cilën do ta angazhoni veten.
Provoni edhe të paramendoni skenarin më të keq të mundshëm të asaj përpjekjeje dhe sa shumë do t’ju duhet të shëroheni nga mossuksesi. Atëherë do të kuptoni që me siguri nuk do të ishte aq e tmerrshme siç keni menduar. Pasi që të liroheni nga frika dhe filloni t’i ndërmerrni hapat e para ndaj suksesit, më e rëndësishme është që t’i vazhdoni ata, pavarësisht ngecjeve të mundshme.
Lapsi si motivim
Shkruani çdo gjë të bukur që mund t’ju ndodhë nëse më në fund liroheni nga frika dhe filloni t’i realizoni synimet e dëshiruara. Çdo herë që ndiheni të pasigurte, dekurajuar apo të frikësuar, lexoni çka keni shkruar për të marrë forcë dhe motivim të ri. Kujtohuni edhe për sukseset e deritashme dhe shkruani edhe ato, sepse me këtë gjë në mënyrë të konsiderueshme do të forconi vetëbesimin dhe fitoni guxim.
Mos e krahasoni veten – më mirë mësoni
Nëse gjithmonë e krahasoni veten me të tjerët, asnjëherë nuk do të jeni të kënaqur. Në vend të kësaj lutni kolegët të cilët i çmoni t’ju ndihmojnë me këshilla dhe të ndajnë me ju përvojat të cilat edhe juve një ditë do të mund t’ju ndihmojnë.
Simptomat e frikës nga mossuksesi
Shtyrja e detyrimeve, ankthi i tepërt dhe perfeksionizimi janë simptoma të sabotimit të vetes në arritjen e planeve.
Thoni: “di, dua, mundem”
Deklaratat negative “nuk jam mjaft i zgjuar për të arritur” duhen të ndryshohen në pozitive, respektivisht vazhdimisht të thoni “di, dua, mundem”. Vetëm me vetëbesim të përmirësuar mund të arrini suksesin aq të dëshiruar.
Pyetjet e duhura hapin dyert
Pas mossuksesit bëni tri pyetje – “pse ka ndodhur”. “si kam mundur ta parandalojë” dhe “dhe çka duhet të bëjë për tu mos përsëritur” , transmeton Koha.net. Po ashtu është e rëndësishme të mbani mend që mossuksesi është term relativ. Ai mund të jetë forcë lëvizëse e ndryshimeve të mëdha jetësore për të mirë.
Durimi është aleat i fuqishëm
Është e rëndësishme të kuptohet që për gjërat më të mira në jetë më së shpeshti duhet shumë kohë, prandaj është e rëndësishme ta “armatosni” veten me durim. Vazhdimisht provoni metoda të reja deri te suksesi.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...