Nxirreni ujin e tepërt nga organizmi

28 Shtator 2016 - 15:36      

Ndjenja e peshës në duar, këmbë, nyje, fryrja dhe lodhja janë shenja të mbetjes së ujit në organizëm. Koha e nxehtë, puna që kërkon qëndrim të gjatë në këmbë ose ushqimi i keq janë më së shpeshti shkaktarë të këtij problemi, transmeton koha.net.

Shkaqet e mbajtjes së ujit mund t’i kërkojmë në shumë gjendje, shprehi apo lëshime në të ushqyer. Mosbalancimi i hormoneve gjatë kohës së ciklit menstrual, shtatzënisë, menopauzës dhe PMS-së femrat mund t’i lë të fryra, dhe nuk është sekret se si shumë femra e vënë re që gjinjtë i kanë “më të plota” disa ditë para se të kenë ciklin, transmeton koha.net.

Konsumimi i tepruar i kripës, i sheqernave dhe i yndyrave mund të kontribuojë në mbetjen e ujit në organizëm, dhe këtë mund ta ndihmojë konsumimi i pamjaftueshëm i kompleksit të vitaminave B dhe i proteinave. Ushqimi i shpejtë dhe ushqimet që janë shumë të kripura veprojnë ashtu që trupi fillon të mbajë ujin, ndërsa ne ndihemi më të fryrë në zonën e barkut dhe në gjymtyrë. Po ashtu, sëmundjet kronike si sëmundjet e veshkave, mushkërive ose artritisi mund të shkaktojnë mbajtjen e ujit.

Diuretikët

Diuretikët ndihmojnë në nxjerrjen e ujit dhe toksinave nga organizmi përmes traktit urinar. Natyra na ka dhënë disa ushqime të cilat mund t’i përdorim për këtë qëllim, të cilat i ndajmë në diuretikë natyrorë, ushqime të pasura me kalium dhe bimë me sasi të lartë të ujit.

Diuretikët natyrorë janë:

- sasitë e mëdha të çajit të gjelbër;
- një gotë e lëngut të thanës;
- dy lugë çaji uthull molle të përzierë në një gotë ujë – merret tri deri katër herë në ditë;
- çaji i luleradhiqes i cili është i pasur me kalium dhe vepron jashtëzakonisht fuqishëm;
- farat e anasonit të cilat ftohin;
- ushqimet e pasura me ujë si shalqiri dhe kastravecët po ashtu janë të mbushur me squfur dhe silic të cilët stimulojnë punën e veshkave;
- shpargu është i pasur me alkaloid shparge i cili po ashtu përmirëson funksionin e veshkave;
- sallata e gjelbër nxit metabolizmin dhe nxjerrjen e toksinave;
- domatet janë të pasura me vitamina A dhe C, dhe po ashtu përshpejtojnë nxjerrjen e toksinave përmes veshkave;
- rrepka, qepa dhe rrika janë miniera të vërteta të komponimeve të squfurit që nxisin metabolizmin për të nxjerrë toksina;
- Uji i kokosit po ashtu e ftoh trupin dhe mban ekuilibrin e elektroliteve.

Ushqimet e pasura me kalium

Ky lloj i ushqimi largon lëngjet e tepërta, ndërsa përfshin bananet, domatet, jogurtin, dredhëzat, kajsinë dhe papajën. Megjithatë, sasitë tepër të mëdha të kaliumit mund të çojnë në dhimbje të muskujve dhe në rrahje të parregullta të zemrës, nëse keni probleme me veshka.

Barishtet diuretike

- Barishtet diuretike kanë efekt antioksidant, antiviral dhe antiseptik;
- Rrushi i arushës (lat. arctostaphylos uva ursi) njihet si çaji i uvësn. Vepron në sekretimin e urinës, në pastrimin dhe dezinfektimin e kanaleve të urinës. Zakonisht përdoret në kombinim me ilaçe të tjera bimore, siç janë gjethi i mështeknës, ose rrënja e jamballit, sepse përmbajnë shumë acide tanini, të cilat mund të jenë të rënda për stomak;
- Dëllinja stimulon veshkat;
- Majdanozi përshpejton nxjerrjen e toksinave;
- Sipas ayurvedës, bima Tribulus terrestris po ashtu ndihmon traktin urinar dhe funksionet e veshkave.

Si mund të ndikoni në mbajtjen e ujit?

Zvogëloni konsumin e kripës, sheqerit dhe yndyrave. Natriumi vepron si grackë e lëngjeve në inde, prandaj shmangni ushqimet e përpunuara të mbushura me konservans dhe kripë (ushqimi i konservuar, pateja, hot-dogu).

Përkujdesuni për trupin tuaj dhe lëvizni - çdo ditë bëni lëvizje të shpejta ose ushtroni 30 minuta për të nxitur limfën. Ushqehuni me pemë dhe perime të freskëta për të kompensuar humbjen e nutrientëve të rëndësishëm, të cilat i “i ka marrë” urina. Pini tetë gota ujë në ditë, sepse sa më shumë që trupi juaj të jetë i hidratuar, më pak do t’i mbajë lëngjet.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...