Derivati i vitaminës A mund ta trajtojë diabetin e tipit 2

7 Shtator 2016 - 21:48      

Një lajm i mirë për miliona njerëz që vuajnë nga diabeti i tipit 2: Hulumtuesit në Kanada kanë demonstruar kohët e fundit potencialin e acidit retinoik, një derivat i vitaminës A, në trajtimin e sëmundjes dhe parandalimin e pasojave kardiovaskulare të saj, transmeton koha.net.

Normat e diabetit të tipit 1 dhe 2 janë rritur në SHBA dhe vende të tjera gjatë dekadës së fundit, duke u ngritur në proporcione epidemike. Zyrtarët e shëndetësisë nuk kanë qenë kurrë më të shqetësuar për një rrugëdalje mjekësore.

Tani, hulumtuesit në Universitetin e Montrealit dhe Qendrën Kërkimore CHUM ndoshta e kanë gjetur një rrugëdalje të tillë.

"Në minjtë obesë dhe rezistues ndaj insulinës, acidi retinoik e zvogëlon rrezikun e apoptozës kardiake, stimulon shprehjen e gjeneve kardio-mbrojtëse të reduktuara nga kjo sëmundje, dhe mbron nga akumulimi i kolagjenit në muskujt kardiakë, duke e shmangur kështu shfaqjen e fibrozës dhe komplikimet e mundura në të ardhmen," shpjegoi studiuesi kryesor, Daniel-Constantin Manolescu.

"Glukoza në gjak, rezistenca ndaj insulinës, pesha e trupit, dhe masa e trashësisë kishin rënë dukshëm në kafshët e trajtuara," shtoi Manolescu.

"Hulumtimi ynë identifikon efekte të reja metabolike të retinoideve dhe mund të çojë në ilaçe për antitrashje dhe antidiabetike," konfirmoi bashkautori i hulumtimit të ri, dr. Jean-Louis Chiasson.
Diabeti i tipit 2, në të cilin trupi ende prodhon insulinë, por nuk është në gjendje ta përdorë atë siç duhet, është lloji më i shpeshtë i diabetit; ai është gjithashtu edhe lloji që lidhet më drejtpërsëdrejti me trashjen.

Studimi është publikuar në fillim të këtij viti në revistën Applied Physiology, Nutrition, and Metabolism, dhe të dy hulumtuesit i prezantuan gjetjet e tyre në fillim të këtij muaji në Konferencën Vjetore të Shoqatës Kanadeze për Ushqyerje (Canadian Nutrition Society) në Newfoundland.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...