3 Shtator 2016 - 13:59
Disa persona që bartin variacionin e të ashtuquajturit “nivel i lartë i konsumimit të lartë” të cilitdo gjen, duket se pinë më shumë kafe, ndryshe nga ata që kanë variantin e “konsumimit të ulët”. Këto dy gjene janë emëruar CYP1A2 dhe AHR. I pari ka qenë i ndërlidhur më parë me procesin përmes të cilit kafeina zbërthehet në organizëm, përderisa AHR-ja rregullon aktivitetin e CYP1A2-shit.
“Është vërtet një rrëfim i jashtëzakonshëm”, ka thënë bashkautori, doktori Neil Caporaso nga Instituti Kombëtar i Kancerit. “Njerëzve as që u shkon në mendje por gjenet luajnë një rol të rëndësishëm në shumicën e sjelljeve tona, duke përfshirë edhe pirjen e duhanit dhe konsumimin e alkoolit. Dhe tani rezulton se kjo ka të bëjë edhe me sasinë e kafeinës që konsumojmë”. Globalisht, kafeina është substanca më e popullarizuar psikoaktive, ku të 90 për qind e njerëzve në botë e konsumojnë ndonjë formë të saj.
Rezultatet vijnë sipas hartës gjenetike të më shumë se 47 mijë amerikanëve e evropianëve nga pesë studime të ndryshme. Analizat, të cilat janë bërë gjatë viteve 1984 deri në 2001, kanë ekzaminuar mesataren e konsumimit të kafeinës – nëse ka qenë në disponim – për secilin pjesëmarrës që është përdorues i kafesë, çajit, koka-kolës dhe pijeve të tjera të gazuara dhe/ose çokollatës.
Duke analizuar të dhënat, doktor Caporaso dhe bashkëpunëtorët e tij kanë gjetur që ata që kanë bartur versionin e konsumimit më të lart të gjeneve CYP1A2 ose AHR kanë konsumuar sasi shtesë prej 40 miligramësh kafeinë më shumë krahasuar me ata që kanë variacionin e gjenotipit të konsumimit të ulët. Kjo është afërsisht e barabartë me kafeinën që gjendet në një koka-kolë të vetme ose sa një e treta e një filxhani kafeje.
“Poenta këtu është se mënyra se si ne e konsumojmë kafeinën nuk është e rastit”, ka thënë Caporaso. “Është e lidhur me dorën gjenetike të letrave që u janë ndarë. Dhe kjo do të thotë se tani mund t’i klasifikojmë njerëzit në ata që kanë metabolizëm të shpejtë dhe të ngadalshëm: njerëzit që pinë vetëm një kafe të vogël dhe ndihen mirë me atë sasi kafeine që marrin, dhe njerëzit që pinë dy kafe të mëdha dhe një koka-kolë brenda ditës, për të arritur të njëjtin efekt”. Dr. John Mulvihill nga Universiteti i Oklahomas, e ka përshkruar hulumtimin për kafeinën si “një bllok tjetër në ndërtimin e pamjes së mjekësisë së personalizuar”.
“Megjithëse nocioni i përgjithshëm i konsumimit të sasive më të vogla ose më të mëdha të kafeinës nuk është vëzhgim i ri, gjetjet klinike të kësaj pune kanë të bëjnë me faktin që gjenet që janë të implikuara në metabolizimin e kafeinës, janë të përfshira edhe në metabolizimin e gjërave të tjera”, ka thënë ai.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...