30 Gusht 2016 - 08:14
Nëse fëmijët tanë rriten me përpjekje të tilla, ata nuk do të kenë nevojë të kthehen nga huliganizmi, drogat dhe seksi për t’u ndier të fuqishëm ose që i takojnë një grupi, transmeton Koha.net. Këshillat në vijim ndoshta mund t’u ndihmojnë prindërve të përdorin ato metoda të cilat fëmijëve u ofrojnë ndjenjën e mirëqenies dhe të sigurisë.
Shfrytëzoni momentet që i kaloni së bashku
Tek vetërespekti i fëmijës suaj në masë të madhe ndikon kualiteti i kohës të cilën e kaloni me të, dhe jo sasia e kohës. Me jetët tona shumë të zëna, shpesh mendojmë për gjërat tjera që duhet t’i bëjmë, në vend se të fokusohemi 100 për qind në atë se çka thotë fëmija jonë. Shpesh bëhemi sikur dëgjojmë dhe injorojmë përpjekjet e fëmijës për të komunikuar me ne. Nëse fëmijës nuk i kushtojmë kohë për këtë, ai shpesh bëhet i padëgjueshëm. Vëmendja negative në mendjen e fëmijës është më e mirë sesa injorimi. Po ashtu e rëndësishme është që të dihet që ndjenjat e tyre nuk janë as të vërteta e as të rreme dhe kur fëmija thotë “Nënë, ti kurrë nuk kalon kohë me mua” (edhe pse sapo keni luajtur me të), ai shpreh atë që ndien. Nuk duhet t’i kundërshtoni ndjenjat e tyre, por të bëni që ata të kuptojnë që u jepni rëndësi me fjalët si “Paj po, e di që ndihesh sikur ka kaluar shumë kohë qysh kur kemi kaluar kohën bashkë”.
Përdorni veprat, jo fjalët
Statistika thotë që fëmijëve u japim më shumë se 2000 kërkesa që duhet të respektojnë gjatë ditës! Nuk është as e çuditshme që fëmijët bëhen të shurdhër ndaj prindërve të tyre. Në vend të ankimit apo bërtitjes, pyetuni se çka mund të ndërmerrni në lidhje me mosbindjen dhe si të jepni mësim të thjeshtë, por të qartë. Veprat flasin më shumë e më zëshëm sesa vetëm fjalët.
Ofroni fëmijëve mënyrë të përshtatshme për t’u ndier të rëndësishëm
Nëse nuk e bëni këtë gjë, ata do të gjejnë mënyra të papërshtatshme për të ndier fuqinë e tyre. Mënyrat me të cilat mund t’i ndihmoni për t’u ndier të fuqishëm dhe të vlefshëm janë që t’i pyesni për këshilla, t’u jepni zgjedhje, t’i lejoni t’ju ndihmojnë rreth llogarive, gatimit ose blerjes. Shpesh kryejmë gjithçka për ta, sepse ne mund t’i bëjmë me më pak komplikime, por rezultati është që ata ndihen të parëndësishëm.
Përdorni pasojat natyrale
Pyetni veten se çka do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishit përzier në një situatë të caktuar? Nëse përzihemi kur nuk duhet, ua marrim fëmijëve rastin që të mësojnë diçka nga pasojat e veprave të tyre. Duke i lënë pasojat “të flasin”, shmangim prishjen e raportit me fëmijët me ankimet dhe të përkujtuarit e vazhdueshëm. Për shembull, nëse fëmija juaj harron të marrë shujtën e vet, mos ia çoni. Lejoni që ai vetë të gjejë zgjidhjen dhe të mësojë rëndësinë e të mbajturit mend.
Përdorni pasojat logjike
Shpesh pasojat janë shumë larg në të ardhmen që në mënyra praktike të përdoren pasojat natyrore. Kur ndodh kjo, pasojat logjike kanë efekt. Pasojat për fëmijën duhet të jenë logjikisht të lidhura me sjelljen për të funksionuar. Për shembull, nëse fëmija harron të kthejë videon e huazuar dhe e dënoni për një javë, ai dënim në të do të krijojë vetëm zemërim, transmeton Koha.net. Por nëse e ktheni videon në vend të tij dhe në qoftë se ia zbatoni shumën nga paratë e xhepit ose e detyroni që të bëjë diçka për paratë që i ka borxh, atëherë fëmija juaj mund të shohë logjikën në mënyrën tuaj të rritjes.
Hiqni dorë nga konflikti
Nëse fëmija ju teston përmes shpërthimeve të zemërimit dhe hidhërimit, ose ju drejtohet pa respekt, më së miri është që të largoheni nga dhoma dhe t’i thoni fëmijës që do të jeni në dhomën tjetër nëse dëshiron “përsëri të provojë”. Kurrë mos ikni të zemëruar ose të mundur.
Ndajeni veprën nga kryesi
Mos i thoni fëmijës që është i keq. Kjo e godet vetëbesimin e tij. Ndihmojeni të kuptojë që nuk bëhet fjalë për atë që nuk e doni, por që sjellja e tij është ajo që ju nuk jeni të gatshëm ta toleroni. Që fëmija të ketë vetëbesim të shëndetshëm, ai duhet të dijë që është i dashur, pavarësisht asaj çka bën, prandaj mos e motivoni duke ia cunguar dashurinë tuaj.
Jini konsekuent
Nëse jeni marrë vesh që fëmija juaj nuk mund të blejë ëmbëlsira kur shkoni në dyqan, mos lëshoni pe para lutjeve, lotëve dhe kërkesave të tij . Fëmija do të mësojë t’ju respektojë më shumë nëse me të vërtetë mendoni atë që e thoni.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...