14 Gusht 2016 - 12:36
Tani në luftë kundër mushkonjave studiuesit kanë një ide e re: mjekë, biologë dhe kimistë të Universitetit Wageningen në Holandë dhe të Institutit zviceran dhe për Sëmundje Tropikale dhe Shëndetin Publik në Bazel kanë testuar me kolegët e tyre të Qendrës për Fiziologjinë e Insekteve dhe Ekologjinë në Kenia një kurth të pazakonshëm kundër mushkonjave. Ky kurth imiton pothuajse në mënyrë të përkryer erën e trupit të njeriut. Dhe me sa duket pikërisht është kjo erë e cila i tërheq aq shumë mushkonjat, raporton DW.
Studiuesit e kanë publikuar përfundimet e tyre në numrin e fundit i revistës shkencore “The Lancet”.
Grupi studimor rreth profesorit Willem Takken ka zhvilluar një studim trevjeçar dhe nga i cili rezultoi se prej përdorimit të kurthit me erën e njeriut numri i mushkonjave që shkaktojnë ethe dhe malarie në ishullin kenian Rusinga ka rënë me 70%.
Era e këmbëve kundër mushkonjave
Dr. Renke Lühken, studiues pranë Institutit për Sëmundjet Tropikale “Bernhard Nocht” në Hamburg thotë në bisedë me Deutsche Welle-n se mushkonjat kanë nevojë për gjak që të riprodhohen dhe prandaj pickojnë njerëzit.
“Ideja për t’i luftuar ato me erën e trupit të njeriut nuk është e re. Në Afrikë njerëzit përdorin prej kohësh çorape të përdorura që lëshojnë erën e trupit të njeriut për të ndjellë mushkonjat”, ka thënë Luhken.
Kurthi i ri i ngjan një kapuçi. Ai përmban një përzierje që imiton erën e trupit të njeriut. Sapo mushkonjat e ndjejnë këtë erë dhe afrohen, ato thithen në “kapuç” prej një ventilatori.
Shkencëtarët që kanë shpikur këtë pajisje, theksojnë se kjo është një “metodë e qëndrueshme dhe e favorshme për mjedisin për t’i luftuar mushkonjat pa përdorur insekticide”.
Willem Takken mendon se në ndryshim me kimikatet helmuese, në rastin e kurthit me erë njeriu, nuk ka gjasa që mushkonjat me kalimin e kohës të bëhen “rezistente” ndaj këtij kurthi, sepse atyre u nevojitet aftësia për të gjetur “viktima njerëzore” për të thithur gjakun që u duhet për t’u riprodhuar.
Një mjet efikas kundër malaries
Malaria është shkaku kryesor i vdekjes në kontinentin afrikan. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) çdo vit nga malaria vdesin rreth një milion njerëz - gjë që do të thotë gati dy vdekje për minutë. 90% e pacientëve me malarie jetojnë aktualisht në Afrikë.
“Mposhtja e malaries, pa përdorur pesticide, është ëndrra ime”, thotë shpikësi i kapuçit me erë njeriu Willem Takken. Ai shpreson se përmes këtij aparati do të reduktohet jo vetëm numri i mushkonjave por edhe konsumi i pesticideve.
Po ashtu rryma që përdoret për ventilatorin e kapuçit në ishullin Rusinga prodhohet me panelë diellorë, sepse banorët e këtij ishulli nuk janë ende të lidhur me rrjetin qendror të energjisë.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...