14 Gusht 2016 - 08:21
Psikologët të cilët merren me studimin e vetëkontrollit njerëzor dallojnë dy sisteme themelore - të nxehtin dhe të ftohtin. Sistemi i ftohtë është ai cili ka të bëjë me aspektin kognitiv dhe refleksiv, ndërsa sistemi i nxehtë është ai i cili është përgjegjës për emocionet dhe impulset. Fuqia e vullnetit pastaj “përcakton” se kur sistemi i nxehtë merr kontrollin ndaj të ftohtit.
Fuqia e vullnetit po ashtu mund “të shpenzohet”. Si njëfarë burimi i kufizuar, nëse vetëkontrollin dhe fuqinë e vullnetit tuaj e shfrytëzoni vetëm në një gjë, fushat tjera të jetës suaj të brendshme mund të jenë të lëna pas dore, transmeton Koha.net. Për shembull, nëse para jush është një ditë punë e lodhshme që kërkon shumë koncentrim, ndërsa ju jeni të fokusuar në dietën rigoroze – puna do të vuajë.
Fuqia e vullnetit trajnohet!
Psikologët pohojnë që fuqia e mendjes është e ngjashme me muskujt në trup. Sa më shumë që ushtroni bëheni gjithnjë e më të fuqishëm në afat më të gjatë. Bicepsët tuaj ndoshta do të lodhen pas serisë së dhjetë të ngritjes së peshave dhe seria e dhjetë nuk punohet në mënyrë kualitative si e para, por herën tjetër kur jeni në palestër më vështirë lodheni sepse jeni në formë më të mirë. E njëjta vlen edhe me fuqinë e vullnetit.
Elaine Durham, psikologe klinike, sugjeron disa mënyra efektive të cilat ndihmojnë zhvillimin e fuqisë së vullnetit dhe vetëkontrollit:
1. Hani në mënyrë të rregullt dhe shëndetshëm – glukoza është e domosdoshme për trurin tuaj për të punuar shpejt. Kjo nuk do të thotë që të konsumoni sasi të pakufizuara të ëmbëlsirave, por burime natyrale të sheqernave të papërpunuara.
2. Ngritjani vetes disponimin – pas ditës së lodhshme, gjeni forcë që t’i gëzoheni diçkaje. Shikoni ndonjë film argëtues, ose lexoni diçka interesante.
3. Bëjeni këtë për shkak të vetes dhe jo të tjerëve – hulumtimi i kryer në Universitetin e qytetit amerikan Albany ka treguar që fuqia e vullnetit tek njerëzit që e forcojnë në shërbim të synimeve të veta shpenzohet më vështirë se tek ata që e drejtojnë drejt synimeve të jashtme dhe mirëqenies së huaj.
4. Merruni vetëm me një problem – shumë njerëz tentojnë që fuqinë e vullnetit ta përqendrojnë në zgjedhjen e më shumë problemeve të ndryshme në të njëjtën kohë. Kjo nuk funksionon, duhet të bëhen një nga një.
5. Duhet të keni një plan – psikologët këtë e quajnë “qëllimin për implementim”. Krijoni skenarin tuaj në të cilin parashihni çka do të bëhet nëse do të ndodhte “kjo ose ajo”, këshillon dr. Durham, përcjell portali DivineCaroline.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...