KFC në 17 mijë restorante u shërben 12 milionë konsumatorëve brenda ditës

1 Gusht 2016 - 15:37      

Ëndrra e një njeriu dhe pasioni i tij për gatimin, janë treguesi më i mirë për suksesin e KFC-së, e cila ndër vite është shndërruar në njërën ndër franshizat më të mëdha në botë.

Historia fillon me Harland Sanders, i lindur më 1890, në qytezën e vogël të Henryville në Indiana të SHBA-ve. Biografia jetësore dhe sfiduese e këtij njeriu fillon me humbjen e babait të tij që në moshë shumë të re, ku edhe barra për kujdesin ndaj familjes i kalon atij që në moshë shumë të re.

Si rrjedhojë, ai e ka provuar veten në shumë punë, disa prej tyre edhe shumë të çuditshme, ku për pasojë edhe jetëgjatësia e punëve të tij ishte shumë e shkurtër.

Viti 1930 e gjen atë duke punuar në një pikë karburanti në qytezën e North Corbin, vend ky i cili përbën një pikë kthese në jetën e tij. Recetat e mësuara nga e ëma i dhanë atij famën, dhe nga ky epitet ai u detyrua që ta zgjerojë biznesin e tij duke hapur një lokal të ri. Ky ndryshim solli edhe zgjerimin e gamës së produkteve me bazë pulën.

Kështu në vitin 1936 Harland Sanders për herë të parë filloi ta përgatisë recetën e tij të famshme me pulë të fërguar.

Kjo recetë mori famën, duke e shtyrë Sanders që të eksperimentojë me erëza të ndryshme, derisa me kohë edhe arriti perfeksionimin dhe përshtatjen në recetat origjinale me përbërje prej 11 mëlmesash, në vitin 1940. Meqë recetat e tij patën sukses dhe filluan të pëlqehen në mënyrë masive në tërë Amerikën, Sanders vendosi që ta shesë recetën e tij, duke hapur kështu franshizën e parë sipas recetave të tij në vitin 1952.

Për hir të promovimit restoranti i parë u emërua “Kentucky Fried Chicken”, dhe prej këtij emërimi rrjedh edhe shkurtesa që do të fitonte famë botërore KFC. Fillimvitet e 60-ta e gjejnë KFC-në me më shumë se 600 restorante nëpër gjithë Amerikën, duke ofruar ushqime të përgatitura sipas recetës origjinale.

Në vitin 1967 KFC arriti që të pozicionohet në vendin e gjashtë në bazë të shitjeve në kategorinë e restoranteve zinxhir në SHBA.

Emri dhe autoriteti i krijuar për një kohë të shkurtër, bënë që pronësia dhe menaxhimi i KFC-së ndër vite të kalojë nëpër shumë duar, deri në vitin 1997 kur grupi “Yum!” mori pronësinë përfundimtare. Në këtë periudhë KFC zgjeroi gamën e tyre të produkteve, duke shtuar në menunë e tyre edhe ëmbëlsira, sandwiche, pije dhe shtesa të tjera.

Në këtë periudhë vlera e përgjithshme e kompanisë arriti në 6.2 miliardë dollarë.

Sot KFC renditet e dyta në kategorinë e zinxhireve të ushqimit në mbarë botën me më tepër se 17 mijë restorante të shpërndara anekënd botës, dhe shërben me shumë përkushtim më shumë se 12 milionë konsumatorë brenda ditës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...