12 Mars 2015 - 10:11
Komuna e Prishtinës krejt procesin e restaurimit të njërit nga objektet kulturore më të rëndësishme të kryeqytetit do ta kthejë në pikën zero. Hartuesit e projektit për restaurimin Hamamit të Madh në Prishtinë do ta bëjnë shqyrtimin e gjendjes së tanishme të objektit. Derisa të nxirren përfundimet, Komuna e Prishtinës do të formojë një komision gjithëpërfshirës nga institucionet e kulturës për të vendosur se si do të veprohet me restaurimin dhe cili do të jetë destinimi i objektit të shekullit XV.
Por në diskutimin publik “Vlerësimi i gjendjes aktuale dhe funksionalizimi i Hamamit të Madh të Prishtinës” që është organizuar nga Komuna e Prishtinës të mërkurën mbrëma, goxha fort janë përplasur përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të Komunës rreth pronësisë dhe destinimit të këtij objekti. Pjesa e parë e debatit që filloi me një orë vonesë ishte diskutim për rrugën deri te restaurimi shkatërrues i Hamamit të Madh.
E në pjesën e dytë janë dhënë rekomandime se si duhet të veprohet tutje për të mënjanuar gjendjen e tanishme ku përmes kulmit të reshurat atmosferike hyjnë brenda objektit duke e shkatërruar atë. Shkatërrimi i objektit kishte nisur qysh në fazën e parë më 2009 e kishte vazhduar deri më 2013 kur edhe janë ndalur punimet për shkak se nuk është respektuar plani i konservimit e restaurimit duke e betonuar objektin.
Deri tash janë shpenzuar rreth gjysmë milioni euro.
“Ekipi që e ka bërë planin do ta bëjë shqyrtimin e gjendjes. E një komision gjithëpërfshirës do të vendosë se si të veprohet në vazhdim”, ka thënë, Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, krejt në fund të debatit që ka zgjatur gati tri orë.
Por dy arkitektë nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë këmbëngulur që BIK-u është pronar i Hamamit të Madh.
“Deri më 1947 Hamami i Madh ka qenë pronë e Bashkësisë Islame e pastaj është marrë nga pushteti i atëhershëm”, ka thënë Sami Isufi nga BIK-u.
E Esat Ramadani po ashtu nga BIK-u ka thënë se bëhet fjalë për objekt islam.
“Hamami i është lënë Vakëfit. Vakëf do të thotë fondacion dhe nuk bën t’i ndërrohet destinimi”, ka thënë ai. Sipas dy përfaqësuesve të BIK-ut, institucionit të cilit i takojnë deshi Komuna apo jo, është faktor sa i përket së ardhmes së Hamamit të Madh. Kanë propozuar që objekti të jetë muze i artit islam. Por pas kundërshtimeve për këtë propozim Esat Ramadani ka marrë një shembull.
“Hebrenjtë po kërkojnë muze nëpër krejt qytetet e botës e po u lejohet. Ne jemi shumicë në Kosovë”, ka thënë ai.
Por Sule Diren e cila ishte pjesë e hartimit të planit për konservim e restaurim ka thënë se nuk bëhet fjalë për objekt islam, por otoman. Ajo ka treguar se gjatë hartimit të planit ishin bërë edhe diskutime e anketa me qytetarët.
“Kemi ardhur në përfundim se Hamami duhet të jetë qendër multifunksionale”, ka thënë Diren.
Pas vlerësimit të gjendjes aktuale Gjejlane Hoxha, ka thënë se urgjentisht duhet të ndërhyhet në objekt që të sanohet gjendja. E sa i përket destinimit ka pasur një propozim konkret.
“Hamami ka qenë edhe një sallon bukurie. E pse të mos jetë kështu edhe tash, të shërbejë për manikyr e pedikyr”, ka thënë Hoxha.
Arkitekti Valter Shtylla, nga Shqipëria, ka thënë se gjërat nuk kanë ecur si duhet qysh prej fillimit. Sipas tij, nuk janë marrë në konsideratë shumë pjesë të vlefshme të Hamamit.
“Gabim është nisur që nga A-ja, sepse duhet një studim para se të bëhet plani për konservim”, ka thënë ai.
Burbuqe Bakija-Deva, nga Ministria e Kulturës, ka thënë se duhet formuar një komision gjithëpërfshirës që të vendosë se çfarë do të bëhet tutje.
Komuna e Prishtinës dhe organizata suedeze Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), qysh në vitin 2006 kanë nisur nëpërmjet një memorandumi mirëkuptimi projektin e restaurimit të Hamamit të Madh të Prishtinës. Gjatë viteve 2007-2009 është punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit - fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohet se lëre që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes. Në qershor të vitit 2009, CHwB-ja ishte tërhequr prej bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.
Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore - kaltër e verdhë. “Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhet në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve i Kosovës. Autenticitetin Hamamit ia ka humbur krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda edhe kompania tjetër, “Daja Rrah”. I betonoi muret e jashtme.
Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë.
Firma kontraktuese kishte kryer punët restauruese të suvasë së brendshme në një pjesë të murit në hapësirën e ftohtë të Hamamit pa ndonjë këshillë dhe pa instruksione profesionale. Ishin përdorur edhe tulla të reja në qemerë. Nëpër muret e Hamamit ishin vendosur instalimet elektrike. Ishin krijuar të çara të vrazhda. Muret janë shpuar në tërë hapësirën e brendshme për vendosjen e gypave, për shpërndarjen e kabllove, për instalimet elektrike dhe krijojnë “pamje të pështirosur të sharlatanizmit”, thuhet në raportin e IMMK-së dhe QRTKP-së. Pak kohë pas kësaj faze, nisi të binte fasada. Edhe në pjesën e epërme, ku trarët mbështeten për mure, shihen çarje të fasadës.
Pjesë e diskutimit të organizuar nga Komuna e Prishtinës ishin edhe kryetari Shpend Ahmeti i cili ka thënë se është i interesuar që të zgjidhet kjo çështje, Valbona Saliuka nga IKMM-ja, Shqipe Hoxha nga UP-ja dhe Saranda Bogujevci, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, dhe Sali Shoshi drejtor i CHwB-së.
© KOHA Ditore
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...