27 Janar 2017 - 17:13
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se punëtoria u zhvillua në kuadër të projektit Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK) të implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian Kosovë (EUOK) ku pjesëmarrësit mësuan parimet bazë për konzervimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe patën rastin të ofrojnë zgjidhje vetanake inovative në këtë fushë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti hapi punëtorinë me çrast theksoi që fjala e tij do të përqendrohet në të rinjtë dhe jo në politikë, parti ose fe pasi që 50 për qind e popullsisë në Kosovë janë më të rinj se 25 vjeç, ndërsa 70 për qind më të rinj se 35 vjeç.
Ahmeti theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore të Kosovës. Ai vuri në pah që komuna e Prishtinës ballafaqohet me shumë sfida kur bëhet fjalë për objektet e trashëgimisë kulturore, transmeton Koha.net.
"Komuna dhe institucionet do të duhej të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje më të mira për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ndonjëherë njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vendosin të ngritin ndërtesa të reja në vend të tyre", ka thënë Ahmeti.
I pranishëm në punëtori ishte edhe përfaqësuesi i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij në Kosovë (CHëB), Alban Morina i cili prezantoi mënyrën e identifikimit dhe vënien në hartë të vendeve të trashëgimisë kulturore në Prishtinë.
Pjesa e dytë e punëtorisë vazhdoi me një kuiz lidhur me çka ndjejnë dhe si e shohin të rinjtë trashëgiminë kulturore.
Përveç kësaj, pjesëmarrësit punuan në grupe dhe propozuan ide si të mbrohet dhe të promovohet trashëgimia kulturore me përfshirjen e të rinjve. Pas prezantimit u votua për propozimin më të mirë dhe fituese u shpall ideja që kishte të bëjë me ndryshimet që nevojiten të ndërmerren për të ju mundësuar qytetarëve me aftësi të kufizuar qasja më e mirë në vendet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Krejt në fund, pjesëmarrësit vizituan Muzeun Etnologjik ku patën rastin t’i shohin ekspozitat dhe mësuan historinë e muzeut.
Projekti Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK) përqendrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe Njësinë për Siguri të ndërtesave dhe të Trashëgimisë Kulturore pranë Policisë së Kosovës. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin ndaj identitetit kulturor dhe të trashëgimisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...